Është promovuar në ambientet e Hotel Plaza Tirana libri me autor ish-ambasadorin e Shqipërisë në Greqi, Mjeshtrin e Madh, Z.Bashkim Zeneli. Të pranishëm ishin Presidenti i Republikës, Ilir Meta dhe figura të njohura në vend. Botimi i UET Press, me titull “Miqësi e Trazuar” vjen në një moment kur marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë janë shumë të diskutuara dhe dinamike. Gjeni më poshtë parathënien e librit nga Henri Çili
Nga Henri Çili
Ideja për një parathënie për librin e ambasadorit Bashkim Zeneli për Greqinë më tundon së paku për tri arsye. E vlerësoj Bashkim Zenelin si një personalitet të jetës sonë publike dhe jam i befasuar nga bashkëpunimi i tij i parë me UET Press me librin “Për Gjermaninë”, nga mënyra se si ai me plot përkushtim, me shumë profesionalizëm dhe klas botoi një vepër jashtëzakonisht të mirë në vitin 2016. Një libër për Gjermaninë në kulmin e një konteksti të ri gjerman për Ballkanin dhe për Shqipërinë gjithashtu, por edhe sepse më bën përshtypje një racë në zhdukje e personaliteteve të jetës sonë publike, të cilët bashkojnë në një: disiplinën, profesionalizmin, etikën, përkushtimin, si dhe sensin për publiken.
Ky është Bashkim Zeneli, bisedat ose kafet me të cilin, në kafenë e rezidencës ku banojmë afër, janë të një kënaqësie të jashtëzakonshme. Fillimisht për autorin. Bashkim Zeneli ka një CV komplekse. CV të plotë në gazetari, në politikë, në shërbimin diplomatik, por mbi të gjitha ka një CV të plotë në jetën publike edhe pas largimit nga shërbimi diplomatik, çka e bën atë një nga personazhet më simpatikë të jetës publike, më të vlefshëm, më të saktë, më të plotë nga të gjithë njerëzit që kanë kontribuuar një jetë të tërë në detyrat publike, në kohë, qeveri apo regjime të ndryshme dhe që ka diçka për t’i thënë mjedisit publik shqiptar me përvojën e tij.
Bashkim Zeneli është i kujdesshëm, ai nuk ka asnjë fjalë tepër dhe asnjë fjalë mangët. Ai ka një projektim të qartë në jetën publike që kulmon me titullin “Mjeshtër i madh” që presidenti Meta ia akordoi para disa muajsh, nga shërbimet e tij të vyera në raport me detyrat që ka pasur. Zeneli ka një prezencë mediatike të matur, ka një tekst ose tekste, shënime, botime të një rëndësie të jashtëzakonshme, për historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë apo didaktikën e nesërme. Pikërisht këtu takohemi, dhe shtëpia botuese e Universitetit Europian të Tiranës, e inkuadruar tashmë brenda aktiviteteve të Institutit Europian Pashko, si krahu non-profit i universitetit tonë, bën të mundur krijimin e një kolane shënimesh nga ish-ambasadorë, të cilët shkojnë drejt fillimit të krijimit të një tradite të qytetëruar të vendeve të zhvilluara: kushdo që ka pasur një përvojë pune profesionale, jetësore, që ka diçka për të thënë, duhet t’ia lërë trashëgim brezave të mëtejshëm, profesionistëve, diplomatëve të rinj, analistëve, publicistëve, politikanëve, ato çka ka parë dhe dëgjuar, atë që mendon dhe këndvështrimet e tij.
Pikërisht ky është interesi ynë vital për të botuar dy librat e Bashkim Zenelit dhe shpresoj dhe libra të tjerë për Gjermaninë, si ai i pari, që pati një sukses të jashtëzakonshëm për zhanrin e botimit dhe mbi të gjitha pati një vazhdim, librin tjetër për Greqinë, “Fqinjësi e trazuar”. Kjo racë, të cilën e përfaqëson më së miri Bashkim Zeneli, është fatkeqësisht një racë në zhdukje, por një soj zotërinjsh dhe shërbestarësh të interesit publik dhe të administratës sonë të shërbimit diplomatik, të cilët ia vlen të merren si shembull për kujdesin, përkushtimin, detajet dhe polivalencën e kryerjes së detyrave të tyre si ambasadorë, por edhe si përfaqësues të një shteti, kulture, të një kombi në vendin, shoqërinë, kulturën e një kombi tjetër. Në këtë mënyrë Bashkim Zeneli formëson një tip, jo se të tjerë ambasadorë nuk kanë shkruar, jo se të tjerë ambasadorë nuk kanë pasur të njëjtën gjë, jo se të tjerë ambasadorë nuk kanë pasur këtë shumëdimensionalitet, duke filluar ndoshta nga shembulli i ndritur i Javer Malos, ambasadorit të Shqipërisë në Paris dhe libri të tij “Mbresa dhe Kujtime”, botuar para viteve ’90. Këtu dua të bëj lidhjen në librin e Bashkim Zenelit.
Libri “Fqinjësi e trazuar” është një pamje e detajuar e misionit diplomatik të ambasadorit Bashkim Zeneli në ambasadën shqiptare në Greqi. Ishin kohë të lumtura për të dyja vendet dhe ndoshta në këtë ngjitje qëndron dhe suksesi i misionit të tij diplomatik me Greqinë. Fillimet e dekadës së parë të shekullit XXI, që përkon me periudhën kur ambasador Zeneli ka shërbyer në Athinë, janë momente të mira për të dyja vendet. Në Shqipëri ka një relaks në marrëdhëniet diplomatike. Është rikthyer kryeministri Fatos Nano. Ka ndodhur një marrëveshje e re Nano-Berisha, ka një lloj paqeje politike të rëndësishme. Greqia është në kulmin e zhvillimit të saj ekonomik. Kriza nuk kishte ardhur ende dhe të gjitha ëndrrat ishin të mundshme për grekët. Samiti i Selanikut, Lojërat Olimpike, Kampionati Europian i futbollit me kampione Greqinë, që përkon në atë kohë, japin ndjesinë e një vendi që është në lulëzim dhe në zhvillim e sipër. Po ashtu Greqia ka kaluar një 10 – 15-vjeçar kur Ballkani po hapej, kur vërshuan emigrantët, dhe impulsi ekonomik që ata kanë dhënë për shoqërinë greke është jashtëzakonisht i madh. Projekti europian po ecën mirë dhe në samitin e Selanikut, që udhëhiqet nga kryeministri Simitis, liderët e BE-së janë shumë optimistë. Janë kohëra që nuk mendohet dhe nuk konceptohet Brexit, as nuk konceptohet që integrimi europian do të zgjasë më shumë, populistët dhe ekstremistët dukeshin larg. Është koha kur situata është aq optimiste, saqë komisioneri Kris Patten bën thirrje për integrimin e plotë të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian brenda vitit 2014.
Në këtë atmosferë zhvillohet shërbimi diplomatik i ambasador Zenelit. I mbushur me detaje, i mbushur me punë të përkushtuar, i mbushur me takime të të gjitha niveleve, nga arti te kultura, nga qeveritarët e lartë, nga takimet e bizneseve apo shkëmbimeve universitare, nga takime me të huaj të rëndësishëm që shkelin Athinën, si rasti i ish-liderit sovjetik Gorbaçov, ku ambasador Zeneli ka një dialog shumë të veçantë me rëndësi historike për marrëdhëniet me Shqipërinë gjatë komunizmit dhe raportin me Bashkimin Sovjetik pas viteve ’60, ka në Athinë ecejake të nivelit ndërkombëtar, ka ecejake të ambasador Zenelit në rajone dhe vende të ndryshme të Greqisë, kudo ku ka një katilitet apo kontekst për marrëdhëniet Shqipëri ‒ Greqi. Libri ka një kronikë të zgjeruar të mënyrës se si një ambasador punon apo mund të punojë në një vend fqinj.
Kjo periudhë e shërbimit të ambasador Zenelit, konsiderohet si periudha më e mirë e marrëdhënieve shqiptaro-greke. Kjo periudhë konsiderohet gjerësisht falë dhe rolit të tij. Mjafton të shohësh vlerësimet e personaliteteve të larta greke në kopertinën e pasme të librit për ta kuptuar këtë.
Mbi të gjitha, libri ka një veçanti: detajet e këtij libri do t’i mbeten lexuesit për të parë multidimensionalitetin e figurës së ambasador Zenelit, që demonstrohet që nga takimi i tij me liderët politikë deri tek artistët e famshëm, që nga festat private ku ai është në një rreth shumë të rezervuar njerëzish dhe merr pjesë në takime dhe biseda me njerëz me peshë në Greqinë e asaj kohe e deri te shënimet ose observimet që ai bën për ngërçe, situata apo problematika në marrëdhënien midis dy vendeve.
Një gjë që spikat, libri ofron një qasje pozitive ndaj Greqisë, një qasje larg çdo nënteksti apo larg çdo klisheje që ne kemi për fqinjët tanë të jugut, grekët, me të cilët kemi një histori shumë komplekse. Bashkim Zeneli bën dallimin. Ai pozicionohet qartë, pa humbur asgjë nga etika diplomatike, pa humbur asgjë nga mbrojtja e interesave shtetërore dhe qeverisë që përfaqëson në Athinë, ai pozicionohet qartë në krahun e pozitivistëve, e atyre që i shohin marrëdhëniet Shqipëri-Greqi si vitale për suksesin e tranzicionit shqiptar, ose si një ndihmë shumë e rëndësishme që Shqipëria të përballonte atë tranzicion shumë të vështirë, që kur doli nga komunizmi. Të gjithë i kemi pasur dhe i kemi pjesë të shoqërisë apo familjeve tona qindra emigrantë, që në këto 30 vite kanë shkuar dhe kanë ardhur nga Greqia dhe kanë bërë të mundur një mbështetje të jashtëzakonshme ekonomike për zhvillimin e Shqipërisë. Të gjithë jemi prezentë se si mijëra njerëz janë shëruar, ndihmuar e mbështetur, solidarizuar falë grekëve nga situata nga më të vështirat. Mijëra biznese, shkëmbime dhe impulse ekonomike kanë marrë shkas nga bashkëpunimi me sipërmarrjet greke apo nga puna e palodhur e shqiptarëve në Greqinë fqinje. A nuk mjaftojnë këto për të qenë në krahun e pozitivëve, për të qenë përtej problemeve, përtej të gjitha shfaqjeve të ksenofobisë, racizmit, keqtrajtimeve apo problemeve nga më idiotet, si bllokimet e administratës greke, të mbetura nga orët e së vjetrës në lidhje me shqiptarët. Pikërisht ky temp modern, bashkëkohor dhe pozitiv ndihet si një limfë në gjithë librin e Bashkim Zenelit.
Detyra e një ambasadori është t’i çojë gjërat përpara. T’i përmirësojë dhe të shohë anën pozitive pa neglizhuar problemet dhe pa prekur interesat ndërshtetërore. Ajo që ka rëndësi është që gjërat të lëvizin nga pika A në pikën B. Që një problem të lehtësohet, një iniciativë të lindë, një marrëdhënie diplomatike të shkojë përpara, pikërisht në këtë front është ambasadori Bashkim Zeneli, i palodhur në çdo detaj dhe tryezë zyrtare. Libri “Për Gjermaninë” dhe tashmë libri për Greqinë, “Fqinjësi e trazuar”, është një kontribut i dorës së parë në disa plane. Ky libër bën pjesë në bibliotekën e diplomacisë shqiptare dhe është i vlefshëm për të gjithë ata, për të gjithë diplomatët e rinj që duan të shkojnë në Greqi, ose që do të punojnë për këtë vend fqinj. Libri për Greqinë është një burim i jashtëzakonshëm për të gjithë studiuesit e marrëdhënieve shqiptaro-greke apo studiuesve ballkanikë të kohës. Libri për Greqinë është një kënaqësi intelektuale për të gjithë ata publicistë, gazetarë të fjalës, të jetës publike, të cilët në një mënyrë apo një tjetër i referohen çështjes greke në kushtet kur marrëdhëniet me Greqinë janë komplekse dhe të pranishme çdo ditë në media dhe tryezat tona dhe debateve televizive. Si i tillë, libri për Greqinë përmbush një mision të plotë të ambasador Zenelit në Athinë, akt pa të cilin detyra e tij do të ishte e mangët.
Së fundi, dhe më e rëndësishmja, është se Bashkim Zeneli vazhdon ta kryejë më së miri detyrën e tij si ish-ambasador. Ai, me anë të këtij libri apo aktiviteteve të tjera, bën pjesë tek ish-zyrtarët e shtetit shqiptar që e nderojnë shoqërinë, shërbimin tonë diplomatik, pasi mbeten vazhdimisht një burim informacioni, burim debati dhe burim të dhënash për t’i çuar më përpara këto marrëdhënie, për të qenë më të suksesshëm në sferën diplomatike dhe mbi të gjitha për të mësuar didaktikën e marrëdhënieve diplomatike për të gjithë ata që do ta fillojnë këtë punë një ditë, duke filluar nga studentët tanë të Marrëdhënieve Ndërkombëtare apo nga ato të Shkencave Politike. Ky libër i rri mjaft mirë bibliotekës së UET Press, ky autor i qëndron shumë mirë klubit të autorëve të UET Press, dhe bashkë me idetë e tjera që kemi zhvilluar me ambasador Zenelin, shpresojmë të kemi botime të tjera po kaq cilësore dhe të përkushtuara nga një njeri, i cili meriton veçse respekt për profesionalizmin dhe njerëzillëkun në kulturën e tij.
Përvoja e ambasador Zenelit rrëfyer në këtë libër, mund të shërbejë si almanak për diplomatët, sesi punohet dhe si arrihen rezultate, edhe kur vështirësitë janë nga më të mëdhatë.