Nga Ndriçim Kulla
E etur për liri dhe zhvillim, e prirur drejt materializmit, siç pat qenë historikisht, vetvetja shqiptare e postkomunizmit duket se i drejtoi të gjitha energjitë në drejtim të ndërtimit të kapitalizmit shqiptar më shumë se sa demokracisë shqiptare. Në këtë “vetvete të Shqipërisë” rolin kryesor në balancimin e këtyre energjive duhet ta kishin luajtur qeveritë dhe partitë politike. Kur shohim sot se vetvetja jonë e shqyer dhe e paekuilibruar prej pabarazisë ekonomike dhe “shpërndarjes sociale” të përfitimeve dhe avantazheve, kuptojnë se demokracia që kemi ndërtuar mund të perifrazohet edhe si “demokraci pa demokraci” pra, një demokraci që është prirur më tepër të lërë të lirë dhe të zhvillojë kapitalizmin, se sa të realizojë ato parime të lirisë, barazisë dhe rishpërndarjes që i takojnë pikërisht aleancave dhe premtimeve që demokracia ka si formë qeverisje përpara popullit. Demokracia jonë është e akuzuar shpesh për fuqizimin e oligarkisë, për bllokimin e qarkullimit të elitave, për mos integrimin e barazisë formale me atë substanciale, por shumë rrallë për mos dëbimin ose shkatërrimin e pushtetit të padukshëm brenda saj. E megjithatë, sidomos situatat e fundit, dëshmojnë se ai pushtet vazhdon të ekzistojë dhe të fuqizohet. Sot, në kategorinë e “pushtetit të padukshëm”, përfshihen fenomene shumë të ndryshëm që parasupozojnë logjika të ndryshme, të pasjellshme brenda një tabloje unike. Nga ana tjetër, janë shtuar mjaft elementë që e bëjnë pushtetin e padukshëm shumë më të rrezikshëm se sa s’kish qenë kurrë ndonjëherë më parë. Konrad Lorenz, në librin e tij të vlershëm “Perëndimi i njeriut” (1983), thekson se “sjellje apo qëndrime që në të kaluarën konsideroheshin si të dobishme ose të padëmshme, njerëzimit të epokës sonë, në ndryshimin e rrethanave e situatave, i shfaqen si tërësisht të rrezikshme”.
Rasti i skandaleve të përgjimeve, që rezultoi i shtrirë nëpër disa legjislatura politike është më kuptimploti për të shembëllëzuar këtë qëndrim. Më në përgjithësi, çështja e efikasitetit të transparencës dhe të njohjes publike të së vërtetës parasupozon ekzistencën e një ambienti social të ndjeshëm ndaj të vërtetave që zhvillohen. Është ky realiteti social që i mungon sot Shqipërisë së zhytur në mjerim dhe që ka formuar për vite me radhë vetëm shqiptarë të ftohtë, refraktarë, dhe jo të lëndueshëm ndaj skandaleve. Dihet se, efikasiteti i transparencës lulëzon në një shoqëri ku është e rrënjosur një kulturë e fortë dhe e shpërhapur e të drejtave, përtejse një shtet i fortë i së drejtës. As edhe një premisë të tillë demokracia shqiptare nuk arrin ta promovojë vazhdimisht për të arritur në një shkallë të kënaqshme konsiderimi, të aftë të ndërtojë atë horizont të atillë shoqëroro-social ku fakti i zhvillimit i të një të vërtete të fshehur më parë të ketë në vetvete një impakt të fortë politik dhe etik mbi opinionin publik. Është pikërisht mungesa e një “terreni të lënduar” ku fara e së vërtetës të mund të mbijë, ajo që bën që çdo lloj skandali i nxjerrë në dritë të bjerë në zbrazëti, të shuhet për pak ditë ose të neutralizohet në kontekstin e formave vepruese të propagandës dhe komunikacionit të pushtetit të padukshëm, siç ka ndodhur rëndom gjatë këtyre viteve në të gjithë atë zullumqarinë e skandaleve që “kanë përmbytur” shtypin dhe rrjetet sociale gati përditë. Është pikërisht ky shpjegimi i besueshëm se përse ngjarje dhe fakte që për fasha të caktuara të opinionit publik të vendit tonë edhe pse shfaqen mjaftueshmërisht domethënëse për të provokuar një reagim politik, bien në indiferencë ose konsiderohen të tolerueshme nga pjesa më e madhe e qytetarëve të një vendi. Ndaj, vendosja e transparencës së një pushteti politik, nuk nënkupton se ky është një kusht i mjaftueshëm në sytë e publikut për mbarëvajtjen e një qeverisjeje të mirë. Nuk duhet harruar se transparenca dhe shkallët e ndryshme të saj përbëjnë një ekuivalente të shkallëve të zhvillimit të vetë demokracisë. E për më tepër, që jetëgjatësia brenda një sistemi-vend, të zonave të errëta ose opake të ushtrimit të pushtetit, pra të pakontrollueshmërisë dhe arbitraritetit, përbëjnë një nga mos sukseset më të rënda, një nga dështimet më të rrezikshme të demokracisë së këtij vendi. Korrupsioni, mitmarrja, shpërdorimi dhe keqshpërndarja e pasurisë shtetërore, (nga të cilat vuan aq shumë sot shoqëria shqiptare) janë vetëm disa nga format që merr pushteti kur bëhet i padukshëm. Mostransparenca, me fjalë të tjera, nuk hap vetëm hone e humnera në bilancet publike të qeverisë, por prodhon edhe një deficit të rëndë demokracie. Gjendja në të cilën ndodhet sot shkalla e transparencës së veprimit politik shqiptar është alarmuese në të gjitha fushat e shtrirjes së tij. Nga mos realizimi i planeve të parashikuara për doganat dhe tatimet, në intervale të gjata kohore deri në zhvillimin e herë pas hershëm të abuzimeve ekonomike, por edhe politike për mbrojtjen e segmenteve të caktuara klienteliste, dëshmohet se fenomeni i pushtetit të padukshëm e ka mbërthyer sot Shqipërinë me fizionomi nga më të ndryshmet, në çdo pjesë e sektor të jetës së vendit. Kjo shkallë e ndërhyrjes kapilare të këtij pushteti ndikon edhe në shkallën e demokracisë sonë. Pavarësisht se mund të mos duket në pamjen e jashtme si e tillë, ajo po shfaq një regres të frikshëm.
“Nëse është e vërtetë që pushteti priret gjithmonë drejt fshehjes” shkruan Elias Canetti te kryevepra e tij “Turmat dhe fuqia”, “atëherë transparenca është një parim transformues revolucionar , që mund të gjejë zbatim, qoftë edhe të pjesshëm, vetëm nëpërmjet një lufte politike dhe kulturore që nuk ka kurrë pushim”. “Jemi bij të një race e cila mbetet apatike, e painteresuar dhe e painfluencuar brenda në një botë të tërë luftërash ideale, brenda në një pellg të tërë korrentesh (rrymash) mendore”, shkruante Merxhani që në artikullin e tij të parë në prag te viteve 30-të. “Izolimi shoqëror-mendor! Ja titulli, ja njohja që shpreh në një mënyrë të përmbledhur dhe epigramatike realitetin më të dukshëm të historisë shqiptare”, do të përsëriste ai edhe një dekadë më pas. A thua janë shkruar për realitetin tone aktual këto fjalë ? A thua vallë ka ndryshuar gjë edhe pas kaq shumë dekadash historie? Realiteti ynë, a ka arritur tashmë ta ketë të tijën atë “lëmin” e lëruar shoqëroro-social që kërkonin krijuesit e neo-shqiptarizmës? Apo vallë vazhdon të lërë të derdhen mbi të gjithë ato rrebeshe të paralajmërimeve dhe përvojave të perëndimit dhe filozofisë politike botërore, pa mbirë asnjë farë beteje e lufte idealesh për të cilat sot kemi aq shumë nevojë? Në çdo shoqëri, në çdo fazë të saj, duhet të ketë një “çfarë” (qoftë ky parim, lëvizje apo kornizë qëllimesh) për të cilën një shoqëri lufton e ekziston, e një tjetër “çfarë” për të cilën ajo shoqëri zhvillohet e përmbushet. Sot, kur vetvetja shqiptare ndjen t’i rrezikohen rrënjët e demokracisë së saj të brishtë nga morali i molepsjes që i jep pesha e rëndë e oligarkisë dhe e pushtetit të padukshëm me gjithë rrjedhojat e saj, ajo “çfarë” nuk ka se si të mos jetë një betejë e tërësishme morale. “Drita e diellit është dezinfektuesi më i mirë” pat shkruar Lous Brandeis, në një shprehje të shndërruar më pas në emblematike. Pikërisht, kjo duhet të jetë beteja apo lufta jonë më urgjente, morale, kulturore, etike dhe politike, për të nxjerrë në dritë të diellit çdo ngjarje, apo veprim, çdo sjellje apo qëndrim, që i shkon për ndesh forcimit dhe lartësimit të shkallës së transparencës së veprimtarisë së çdo institucioni të përveçëm në tërësinë e shtetit dhe shoqërisë shqiptare. Vetëm kështu do të krijohet baza nga ku mund të nisemi për të ndërtuar gjithçka të mirë e të qëndrueshme për të cilën ëndërrojmë. Pa betejën ideale të fitimit të transparencës që duhet të shqyejë qiellin e mbuluar me errësirën e apatisë sonë proverbiale, nuk mund të shpresohet për asnjë lloj ndryshimi ekonomik apo social, gjëra këto konkrete e të prekshme, të vetmet që mund të na zgjojnë sadopak nga gjumi ku na është fashitur ndërgjegjja, Këto fjalë sot po i shkruaj me dhimbje e trishtim. Zemra më drithërohet teksa më del para syve ajo fantazma e tmerrshme e Niçes dhe ajo fjala e tij e njohur: “të vërtetat që fshihen transformohen në katastrofa”.