Aktualitet

Të zbulojnë se kush janë ata vetë, të dëgjojnë zemrat dhe të ndjekin ëndrrat e tyre





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 18:00 - 04/07/20 |
Nga Esmeralda Kraja

Ekskluzivisht për Suplementin letrar të gazetës MAPO – Intervistë me Alli Sinclair, shkimtare australiane, fituese e shumë çmimeve


Alli Sinclair është shkimtare australiane, fituese e shumë çmimeve, e cila ka jetuar në Argjentinë, Peru dhe Kanada. Ajo është ngjitur në disa nga malet më të larta të botës dhe ka punuar si një udhërrëfyese turnesh në Amerikën e Jugut dhe atë Qendrore.


Australia ka qenë gjithmonë pranë zemrës së Alli-t pasi ajo i do peizazhet e larmishme dhe trashëgiminë e pasur shumëkulturore të asaj toke të mrekullueshme.


Librat e Alli eksplorojnë historinë, kulturën, dashurinë, pikëllimin dhe marrëdhëniet midis familjes, miqve dhe të dashurve. Ajo sjell romancën dhe emocionin e të zbuluarit të botës së vjetër dhe të asaj të re dhe pëlqen të tërheqë lexuesit në një udhëtim plot zbulime të reja. Libri i saj i fundit, Fushat e Djegura, është një sfond historik në Queensland–in verior të vitit 1948.


Kur e pyeta Allin, si dhe kur e keni filluar karrierën tuaj shkrimtare, ajo m’u përgjigj:

Si fëmijë, unë gjithmonë shkruaja histori të shkurtra për t’u argëtuar dhe ia lexoja ato familjes sime. Pastaj si adoleshente nuk shkruaja më për qejf, por në të njëzetat fillova të shkruaj ditarë udhëtimesh, duke dokumentuar të gjitha vendet e mahnitshme që kam vizituar dhe njerëzit që kam takuar.

Unë u intervistova për udhëtimet e mia për një emision në radio dhe prezantuesi më pyeti nëse kisha shkruar ndonjëherë histori sepse ai mendonte se isha një shkrimtare e lindur. Në atë periudhë as që e mendoja të shkruaja ndonjë libër por komenti i prezantuesit më bëri të mendoja.

U regjistrova në një kurs shkrimi dhe kështu shkrova librin tim të parë. Që atëherë kam parë vetëm përpara!

Bashkëbisedoi: Esmeralda Kraja

Znj. Sinclair, si ka qenë fëmijëria dhe jeta juaj familjare?

Jam rritur në Geelong, një qytet bregdetar në Australinë e Jugut. Kam pasur një fëmijëri të mrekullueshme me vëllain dhe prindërit. Kemi kaluar shumë nga koha jonë e lirë në plazhet tona dhe duke shëtitur në pyjet aty pranë. Familja ime është shumë e bashkuar dhe ne kemi një sens të çmendur humori dhe i dhurojmë shumë dashuri njëri-tjetrit. Gjyshja ka qënë tregimtarja më e mirë që kam njohur ndonjëherë dhe njëkohësisht ishte shumë argëtuese. Kur e kujtoj atë frymëzohem për të shkruar dhe për të vazhduar ëndrrën time si autore.

Për cilën pjesë të kulturës suaj jeni më së shumti dhe më pak krenare?

Unë e dua sensin e humorit australian, sepse është shumë i thatë dhe sarkastik, megjithëse ndonjëherë jo-australianët e kanë të vështirë ta kuptojnë pse i shohim disa gjëra qesharake. Unë gjithashtu e dua mënyrën se si australianët po bashkohen në këtë kohë krize për të ndihmuar të huajt. Kjo ndjenjë e bashkësisë është shumë e fortë në të gjithë vendin dhe më ngrohet zemra teksa shoh bashkombësit e mi të mbështesin të tjerët aty ku ka më shumë nevojë.

Australianët kanë një reputacion se pijnë shumë dhe ngrenë zërin me të tjerët. Ne i quajmë ata “yobos”. Fatkeqësisht, ka disa australianë që nuk janë mendjehapur dhe nuk i trajtojnë njerëzit nga kulturat e tjera me respekt. Ky nuk është një aspekt i Australisë për të cilin jam krenare. Duke pasur dyndje emigrantësh me prejardhje të ndryshme dhe që e konsiderojnë Australinë shtëpinë e tyre, “yobot” kanë filluar të kuptojnë se njerëzit janë njerëz, dhe varet se si dikush sillet, jo nga vjen, kjo është e rëndësishme. Të gjithë njerëzit duan të njëjtat gjëra – të ndihen të mirëpritur; të kenë ushqim, strehim, arsimim dhe miq; për të shfrytëzuar sa më shumë gjëra të mira nga jeta në të gjitha mënyrat.

Cila ishte gjëja e parë që keni shkruar ndonjëherë?

Pasi u regjistrova në kursin e shkrimit artistik, shkrova një roman që bazohej lirshëm në përvojat e mia të udhëtimeve. I vura njerëzit në dijeni për këtë sepse mendoja nëse ata më pyesnin “A e ke mbaruar atë librin?” atëherë do të më duhej t’u përgjigjesha dhe nuk do t’ia lejoja vetes t’u thoja “Oh, jam dorëzuar”! Kjo gjë më mbante të motivuar për ta përfunduar. Kam studiuar shumë për të shkruar atë libër edhe pse e di që nuk do të botohet kurrë, përsëri jam krenare për këtë sepse kuptova se kisha aftësi të shkruaja dhe mund të mbaroja deri në fund një libër. Kjo më lumturon dhe më frymëzon.

Na tregoni për librat tuaj. Sa libra keni shkruar?

Kam shkruar gjashtë libra të ambietuar në destinacione të ndryshme: Australi, Argjentinë, Spanjë, Francë, Itali dhe SHBA. Të gjitha janë “fiction” bazuar në fakte dhe kanë periudha të ndryshme kohore, që do të thotë se ka shumë fakte të jetës reale (kulturë dhe histori) të endura në skenat e trillimeve. Personazhet e mi kryesore janë gra të forta që nuk përkulen përpara pritshmërive të shoqërisë. Ata preferojnë të zbulojnë se kush janë ata vetë, të dëgjojnë zemrat dhe të ndjekin ëndrrat e tyre. Ndonjëherë, ka romancë gjatë rrugës.
Libri im i parë është Midnight Serenade (i quajtur Luna Tango në Australi) dhe është letra ime e dashurisë për Argjentinën. Është i vendosur në dy kohë – në vitin 1952 dhe në ditët e sotme. Ka një mister që përfshin tri gjenerata femrash. Zhvillohet mbi historinë dhe kuptimin kulturor të vallëzimit dhe muzikës madhështore të tangos.

Shkrimtarja australiane Christina Stead dikur ka thënë: “Çfarëdo që të thonë burrat, gratë e dinë”, mendoni se keni diçka të përbashkët me të?

Oh, absolutisht! Ne femrat jemi shumë intuitive, mjafton t’ia japim vetes mundësinë të zhvillojmë këtë aftësi dhe të dëgjojmë zemrat tona. Intuita jonë ka gjithmonë të drejtë.

Zonja Sinclair, ne do të donim të dëgjonim pak për librin tuaj të fundit, historinë dhe jetën e protagonistëve të tij.

Patjetër! Kinemaja e ëndrrave të humbura është ambientuar në Hollywoodin e viteve 1950 dhe në Australinë e vitit 1994. Bëhet fjalë për dy protagoniste shumë të ndryshme që punojnë në industrinë e filmit – Lena Lee është një aktore Hollywoodi e viteve ’50 që refuzon të konformohet dhe dëshiron të luajë role të grave të forta e të pavarura (diçka që nuk ndodhte nëpër filmat e asaj kohe); dhe në skenarin e vitit 1994 është Claire Montgomery, menaxhere në një shfaqje TV në Queensland. Ajo ëndërron të bëhet drejtoreshë, por e ka të vështirë të ketë sukses në këtë industri të mbizotëruar nga meshkujt.
Është një ftesë për të gjetur forcën brenda vetvetes dhe për të gërmuar thellë për të zbuluar se çfarë dhe kush është me rëndësi në jetën tonë. Personazhet njohin padrejtësitë shoqërore dhe gjejnë guximin të luftojnë për të drejtat e tyre dhe të tjerëve.

Teksa ndjekim dy personazhet kryesore, zbulojmë se megjithëse këto gra kanë lindur dekada larg njëra-tjetrës dhe jetojnë në anët e kundërta të botës, ato përballen me luftëra dhe sfida të ngjashme për të arritur qëllimet e tyre në karrierë, i ruajnë zemrat e tyre që të mos thyhen dhe të jenë të vërteta për veten dhe të tjerët.

Çfarë ju frymëzon të shkruani? Cili apo kush ka qenë ndikimi juaj më i madh? Cilët libra kanë ndikuar më shumë te ju?

Më pëlqen të krijoj botë dhe karaktere të reja dhe të zbuloj se çfarë ndodh me ta. Filloj me një ide, por ndërsa e shkruaj ajo zgjerohet e ndërkohë njihem më mirë me historinë dhe personazhet. Ndonjëherë ka kthesa që nuk i pres kurrë!

Ndikimi im më i madh ka qenë gjyshja ime. Kujtimi im i hershëm i rrëfimeve të saj, është kur isha tre vjeç dhe teksa më rrëfente ndonjë histori i kalonin në mendje të gjitha llojet e personazheve dhe vargjeve qesharake. Ishte koha “jonë” dhe është diçka që do ta vlerësoj gjithmonë.
Unë i adhuroj librat e Isabel Allende, William Dalrymple, Edmund Hillary dhe Maria Duenas. Ka një ndjenjë aventure në secilin prej tyre dhe kjo i flet shpirtit tim të shqetësuar.

Çfarë përpiqeni më shumë të arrini me shkrimin tuaj?

Dëshira ime është që lexuesit të bien në dashuri me personazhet e mi, që zemrat e tyre të rrëmbehen dhe historia të qëndrojë te lexuesi për një kohë të gjatë. Unë do të doja që lexuesi t’i mendojë personazhet si miqtë e vet, dhe kur të përfundojë librin të ndiejë se ka mësuar diçka të re për botën dhe gjithashtu për veten.

Keni ëndrruar që të bëheni shkrimtare me kohë të plotë? Nëse po, kjo ëndërr është realizuar?

Absolutisht! Jam shumë me fat që tani jam një shkrimtar me kohë të plotë. Unë e dua atë që bëj edhe pse shpeshherë duket e vështirë të jesh krijues! Për këdo që ka një ëndërr – çdo ëndërr, ciladoqoftë ajo – punoni shumë për ta arritur dhe mos u dorëzoni, sepse me të vërtetë magjia mund të ndodhë.

Cilat janë sfidat kryesore me të cilat jeni përballur në karrierën tuaj dhe sa nga përvojat tuaja ju motivojnë si shkrimtare?

Si nënë me fëmijë adoleshentë, mund të jetë një sfidë për të mbajtur ekuilibrin punë/jetë. Shpeshherë e gjej veten mbi një makinë shkrimi ose laptop, ndërsa pres që fëmijët të dalin nga shkolla ose palestra. Mund të jetë e rëndë, por nuk do ta ndryshoja për asnjë arsye këtë rrugë.

Më duket se vonoj shumë nëse kam ngecur në një skenë ose nuk jam e sigurt se çfarë duhet të bëjë personazhi im më tej. Edhe pse i planifikoj historitë e mia, ndonjëherë filloj të shkruaj dhe zbuloj se personazhi që mendova se e njihja mirë është në të vërtetë i ndryshëm dhe më duhet të rregulloj tregimin.

Mund të jetë zhgënjyese dhe kur ndodhë kjo kam tendencë të shpenzoj shumë kohë në mediat sociale ose pastrimin e shtëpisë (sepse është një justifikim i shkëlqyeshëm për të mos shkruar!). Por përfundimisht më duhet të ulem dhe ta përfundoj. Për fat të mirë, gjithmonë e bëj.

Libri im i parë kishte një element të përvojave të mia në Argjentinë dhe personazhi kryesor, Dani, kishte shumë ngjashmëri me mua. Por sa më shumë libra të shkruaj dhe sa më shumë karaktere të zhvilloj, aq më të larmishëm bëhen personazhet dhe nis të kuptoj se nuk kanë asgjë të përbashkët me mua. Kjo është bukuria e të shkruarit – sa më shumë që shkruajmë, aq më shumë rritemi dhe mësojmë.

Falënderimet e mia Alli Sinclair për kohën që më dedikuat në këtë bisedë.

Faleminderit për konsideratën Esmeralda.

Maj, 2020


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas