Aktualitet

Të zhdukurit e diktaturës/ Identifikohen 2 nga 13 trupat e gjetura në Dajt














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 15:48 - 31/10/19 |
mapo.al

Prokuroria ka bllokuar kërkesat e ICMP për zhvarrime duke zvogëluar kështu shpresat për gjetjen e afër 6 mijë të zhdukurve nga regjimi komunist në Shqipëri.






***


Për 10 vite me radhë kanë pritur në morg mbetjet njerëzore të gjetura gjatë një zhvarrimi të bërë në afërsi të Dajtit nga familjarët e viktimave të komunizmit. Varri masiv ku u gjetën trupat mendohet se është përdorur nga sistemi diktatorial për të pushkatuar të burgosurit politik dhe besohet se janë të paktën 37 varre të tilla në gjithë vendin.







Sot në një konferencë për shtyp, Komisioni Ndërkombëtar për Njerëzit e Zhdukur (ICMP) dhe zyrtarë të delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, njoftuan se është arritur të identifikohen 2 nga 10 trupat e gjetura në Dajt, përmes analizës së ADN nga laboratori i ICMP në Hagë. Një sukses ky i vakët duke patur parasysh se projektit 2-vjeçar i ICMP po i vjen fundi dhe akoma nuk ka arritur të bëjë zhvarrime të tjera edhe pse janë të paktën 600 persona që kanë plotësuar rrugën zyrtare për gjetjen e të afërmeve të tyre të zhdukur gjatë diktaturës.




Por suksesi i ICMP, një  organizatë ndërkombëtare që ka operuar më parë në shumë vende të tjera, edhe në Ballkan, varet kryekëput nga vullneti i shtetit shqiptar për të bërë gjetjen e të zhdukurve, një vullnet i cili me sa duket ka munguar plotësisht.



“Familjet e mbi 6 mijë personave të zhdukur gjatë regjimit komunist vijojnë të presin për përgjigje. Ne jemi ende duke pritur që prokuroria e Fierit dhe ajo e Tiranës të lëshojë urdhrat për gërmimet në varrezat e Dajtit dhe Ballshit”– deklaroi drejtuesi i programit për Ballkanin Perëndimor në ICMP, Matthew Holliday.

Duke shpjeguar mënyrën se si funksionon ICMP ai la të kuptohej se e vetmja pengesë ishte shteti shqiptar por e fokusoi kritikën tek prokurorët. “Ne nuk mund të shkojmë në terren pa një urdhër gjykate. Ajo për të cilën po flasim këtu është për mbledhjen e provave të cilat mund të përdoren në hetime kriminale. ICMP nuk mundet thjeshtë të shkojë të gërmojë. Kjo duhet të bëhet në bashkëpunim me autoritetet, në bashkëpunim me prokurorinë” – tha Holliday gjatë konferencës.

Monica Bilayte, zyrtare në delegacionin e BE-së, po ashtu i bëri thirrje prokurorisë që të bashkëpunojë në këtë projekt.  Ajo tha se “ka rëndësi kritike që prokurorët përgjegjës të lëshojnë urdhrat për të gërmuar në vendvarrimet e Dajtit dhe Ballshit”, dy zonat ku ICMP ka mbledhur tashmë mjaftueshëm informacion se ekzistojnë varre masive të përdorura për të zhdukur ata që regjimi i konsideronte si kundërshtarë të tij.

Në konferencë ishte e pranishme edhe zv/ministrja e Punëve të Brendshme, Rovena Voda, e cila tha se nuk mungon vullneti për ta çuar këtë çështje deri në fund dhe për të zbuluar këtë njollë të errët të historisë së Shqipërisë, por gjithsesi nuk iu përgjigj pyetjes se pse qeveria nuk ka arritur që të ndërtojë të paktën një hartë të vendeve që janë përdorur si varre masive për ekzekutimet në diktaturë. Voda tha se një hap i parë pozitiv është bërë edhe pse i vogël, dhe theksoi se do të punohet për të gjetur mekanizmat për ta shtyrë këtë proces përpara.

Në të gjithë vendin besohet se ka vende që janë përdorur si varre masive dhe deri më sot nuk ka pasur asnjë hetim zyrtar për këtë çështje.

Në gusht, Luigj Ndou, kreu i Marrëdhënieve me Qeveritë për Shqipërinë dhe Kosovën pranë ICMP-së i tha Mapo-s se “Përmes Gjurmuesit te Vendvarimeve, 11 lokacione të mundshme janë raportuar në ICMP. Në 24 lokacione të tjera të mundshme janë raportuar në Institutin Shqiptar për Integrimin e të Përndjekurve Politikë (IIPP) dhe Autoritetit për hapjen e dosjeve të epokës komuniste.

Është e rëndësishme të theksohet se informacioni i dhënë, kryesisht nga familjet, mbi varret e mundshme duhet të hetohet siç duhet nga autoritetet në mënyrë që të vërtetojnë faktet.

Këto vende janë të vendosura në të gjithë Shqipërinë, nga Saranda në Shkodër, dhe më së shpeshti janë afër kampeve të burgjeve, objekteve ushtarake, lumenjve dhe vendeve të ngjashme.

Të gjitha pretendimet e besueshme në lidhje me varret e mundshme duhet të hetohen nga autoritetet para se të fillojë ndonjë punë në terren”. /MAPO.AL./

 

1


Etiketa: , , , ,

Pas