Sopranoja shqiptare me famë ndërkombëtare, Inva Mula shprehet kategorikisht kundër privatizimit të Teatrit të Operas dhe Baletit.
Në një lidhje telefonike për “Ballkan Web”, Mula sugjeroi financime shtesë nga biznese të mëdha, me kushtin që shteti të jetë rregullator.
Sopranoja gjithashtu bëri thirrje për një tryezë me artistë shqiptarë dhe drejtues të operave të mëdha europiane, që të sjellin përvojat e tyre në menaxhim.
“Opera? Shqipëria nuk i ngjan vendeve të tjera. Është fat që u ndërtua në vitet ‘50, kur kishim aq vështirësi. Teatri i Operas është i paprekshëm në të gjithë Lindjen, ai nuk është prekur pavarësisht ndryshimeve që kanë ndodhur. Opera është aset, nuk mund të bëhet private, kjo as nuk diskutohet”, u shpreh Inva Mula.
“Shteti duhet të ndërhyjë që bizneset e mëdha të ndihmojnë duke shtuar buxhetin për Teatrin e Operas. Unë bëj thirrje për një tryezë me artistë shqiptarë, me studiues për Operan. Unë vetë mund të ftoj drejtues të operave të mëdha europiane që të sjellin përvojat e tyre në menaxhim”, vijoi sopranoja duke shtuar se teatro operash duhet të kenë edhe qytete si Shkodra, ku u instalua opera e parë shqiptare, apo Korça.
Reagimi i sopranos lidhur me Teatrin e Operas dhe Baletit vjen pas qendrimit publik të tenorit Agim Hushi.
Ministrja e Kulturës Elva Margariti, deklaroi para pak ditësh se Teatri i Operas dhe Baletit do të dalë nga skema e financimit të qeverisë, duke lënë të kuptohet se do të privatizohet, ose do të shkrihet, nëse nuk gjen fonde vetadministrimi.