Editorial

Teatri i vjetër shembi ‘drejtësinë e re’





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 18:51 - 26/07/20 |
Nga Gentian Gaba

24 korriku i vitit të shkuar ishte një gur kilometrik i rëndësishëm për qëndresën në mbrojtje të Teatrit Kombëtar. Për herë të parë në historinë e Shqipërisë, një godinë publike u mor në administrim nga artistë dhe qytetarë.


Një përpjekje e ndershme dhe e guximshme e diktuar nga rrokopuja e shtetit ligjor ngase, në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, arbitrariteti me të cilin pushteti po përparonte me planin antiligjor për shembjen e dy godinave historike, mund të ndalej vetëm nga ushtrimi i drejtpërdrejtë i sovranitetit.


Qindra e mijëra qytetarë të fortë nga e drejta e tyre për t’iu rezistuar shkelësve të Kushtetutës, u rebeluan duke u përballur me policinë.


Një e drejtë e sanksionuar edhe në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, në paragrafin e tretë të preambulës: “Duke patur parasysh se është e nevojshme që të drejtat e njeriut të mbrohen me dispozita juridike, kështu që njeriu të mos jetë i shtrënguar që në pikën e fundit t’i përvishet kryengritjes kundër tiranisë dhe shtypjes”.


Ky ushtrim i drejtpërdrejtë i sovranitetit, i dha jetë një zhvillimi të paprecedentë të pushtetit të qytetarëve, që pak ditë pas 24 korrikut do të ngrihej në një stad tjetër, nëpërmjet ‘Festivalit për mbrojtjen e Teatrit’.

Nëpërmjet një kalendari artistik, Teatri i braktisur prej më shumë se një viti, erdhi në një jetë të re. Nën ritmin metalik të gumëzhimës së gjeneratorëve sepse energjia elektrike dhe uji ishin ndërprerë nga rrethuesit, u mbajtën më shumë se 60 evente artistike.

Sipari u hap për artistë nga e gjithë bota. U interpretua në gegnisht dhe toskërisht, italisht, gjermanisht dhe anglisht, si një kor që buçiste për të dëshmuar se ‘non grata’ regjisorët dhe aktorët e huaj, i kishte shpallur makutëria për ta shkatërruar Teatrin, jo mungesa e dëshirës për të luajtur në një sallë plot histori.

Dhe jeta ndoqi ritmin e skenës, në të cilën u ngjit edhe ngjarja më e rëndë e vitit të shkuar, tërmeti. I dyti në pak kohë, i cili i la pa tekst mercenarët me diplomë inxhinierie, që në raportet e tyre e cilësonin si një objekt në mëshirë të dridhjes së parë të tokës.

Dhe në ato ditë të zeza për vendin, dy godinat pritën si krah të hapur vullnetarët që iu bashkuan mbrojtësve të Teatrit, në sipërmarrjen e mbledhjes dhe shpërndarjes së ndihmave për të pafatët e 26 nëntorit.

Një pelegrinazh që zgjati me ditë të tëra, në të cilin lexohej qashtër se përpara institucioneve, qytetarët i besuan Teatrit. Teatrit i besuan shumë të tjerë, sidomos jashtë vendit. In primis Europa Nostra, Federatë Pan-Europiane për Trashëgiminë Kulturore, e cila e mori në mbrojtje godinën e Giulio Berté, duke e mirëpritur në arsenalin e trashëgimisë kulturore europiane.

Por fatkeqësisht, nuk mjaftoi. Një vit nga dita në të cilën u ‘çlirua’, Teatri nuk është më. Nuk mjaftoi mbrojtja nëntëmujore, 24 orë në 24, as sensibilizimi kombëtar dhe ndërkombëtar, as shfaqjet, as thirrjet e përfaqësuesve më të lartë të BE-së, as premtimi i Europa Nostra për ta restauruar me fonde europiane.

Në një ushtrim të turpshëm të forcës, në muajin e shenjtë të Ramazanit, në mesin e pandemisë dhe duke shfrytëzuar masat shtrënguese të miratuara pak kohë më parë, e shembën. Më shumë se një mijë policë, një pjesë e armatosur me armë luftarake, u sulën në orët e para të një dite që do të mbetet e shënuar me turp në historinë tonë.

Oshtima e shembjes mbërriti në të gjithë hapësirën europiane. Reagimet e shumta dhe të forta e bënë të kuptueshme për të gjithë se çfarë krimi ishte konsumuar, se si u shkel rendi ligjor dhe çfarë kosto të lartë ishte i gatshëm të pranonte Rama për të çuar deri në fund planin e tij njëzetvjeçar.

Nëse kjo datë do të shënojë një pikë kthese, sigurisht negative, në rrugëtimin politik të Edi Ramës, mbetet për t’u parë. Megjithatë, përtej shuplakave të shumta ndërkombëtare, ushtrimi i asaj barbarie evidentoi edhe njëherë burimin e guximit të kryeministrit për ta çuar deri në fund planin e tij te një mungesë shumë e rëndësishme, drejtësia.

Një zonjë e rëndë që ka marrë një vakancë të gjatë nga vendi ynë. Në fakt, përpos shumë shkeljeve të tjera të viteve të fundit, historia e protestës së Teatrit Kombëtar do të ishte krejt ndryshe, nëse ‘drejtësia e re’ do të ishte përnjëmend e tillë.

Ishte pikërisht mungesa e saj, që shtyu Ramën në çuarjen përpara të një ligji antikushtetues në Parlament, i vetëdijshëm se dera e Gjykatës Kushtetuese nuk do të hapej për shumë kohë. Dhe, sikurse thotë edhe një fjalë e urtë, ‘rasti e bëri njeriun hajdut’.

Ani pse sharra i ngeci te protesta më e gjatë e historisë së Shqipërisë, ku artistë, aktivistë dhe qytetarë të profesioneve të ndryshme, me një sipërmarrje të ethshme politike, kulturore, diplomatike, arritën të bllokonin për më shumë se dy vjet fadromat kryeministrore, Rama përdori forcën arbitrare në shkelje të çdo norme shoqërore dhe ligji kombëtar dhe ndërkombëtar.

Për Teatrin Kombëtar ka dy çështje të ngritura në Gjykatën Kushtetuese. Të dyja me dorën e Presidentit të Republikës. Nuk mjaftuan. Për Teatrin Kombëtar ka gjashtë kallëzime në SPAK, të ngritura nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit.

Ende asnjë hap nga drejtësia e re. Për Teatrin Kombëtar ka kallëzime të ndryshme në Prokurorinë e Tiranës. Heshtje. Krejt ndryshe nga sa u premtua me Reformën në Drejtësi, që me sa duket, u shemb nga Teatri i vjetër, pandëshkueshmëria vijon.

Jo vetëm sepse dy muaj pas sulmit barbar, drejtësia vijon të jetë e mumifikuar, por sepse shkelja e shtetit ligjor u pranua edhe nga ata që kanë harxhuar miliona euro për reformën, ndërkombëtarët.

Dhe kur dorëzanët e saj vendosin në pikëpyetje rendin ligjor në Shqipëri, kjo kthehet në një j’accuse për gjithë implementimin e reformës; pasi në një vend ku gjuri i abuzivizmit vendoset mbi kokën e qytetarëve, vetëm për hesapet e ngushta të Kryeministrit, nuk mund të ketë as drejtësi të pavarur dhe as drejtësi të re.

Andaj, katër vjet pas votimit të Reformës, me SPAK-un shumë milionsh’ në gjendje pune, por i papunë, i cili në spartakiadat mediatike pro reformë trumbetohej si gogoli i korrupsionit; dhe me shembësit e Teatrit që vijojnë planet e tyre për të ndërtuar në atë tokë që sot duhej të ishte e rrethuar si skenë krimi, drejtësia ka një shans historik për të treguar vlefshmërinë dhe pavarësinë e saj dhe për t’u shkëputur nga ambiguiteti i tranzicionit.

Por, nëse e kundërta ndodh, dhe ndërtesa zëvendësuese do të ngrihet në hapësirën e “Rrethit italo-shqiptar Skanderbeg”, ajo godinë s’ka për të qenë kurrë teatër, por guri i varrit mbi ‘drejtësinë e re’.


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas