Aktualitet

Teatri Kombëtar nuk mund të shembet me votën e ‘Zogut të Tiranës’





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 20:31 - 29/12/19 |
Nga Gentian Gaba

Ka një betoniere në sheshin midis dy Teatrove. Është e ndriçuar si për festë. Në të ka një babagjysh që mban në dorë një tabelë me mbishkrimin ‘Mbro Teatrin’. Është një pemë e ‘Vitit të Ri’ aspak e zakontë. Sipas Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, është simboli i vërtetë i qytetit të Tiranës.


Një shuplakë ndaj gjithë farsës së dekoreve, të cilët përpiqen të kamuflojnë betonin që vërshon si lum në rrugët e kryeqytetit, të atrofizuar nga trafiku që këto prodhojnë. Moratoriumi, i premtuar nga kandidatit për kreun e bashkisë së Tiranës në garën e vitit 2015, është një mirazh. Lehtësia kalamendëse me të cilën Veliaj gënjen, tashmë është proverbiale. Tejkalohet vetëm nga aftësia për të mos u skuqur kur, i vendosur përballë çka thënë, zvarritet nëpër sofizma, që vetëm mediat e klientëve të bashkisë janë në gjendje ti serverin si të vërteta.



Nga maja e këtij mali mashtrimesh, Veliaj artikulon sikur të jetë themeluesi dhe pronari i vetëm i Tiranës. Megjithatë, arroganca që shfaq, e bën të ngjasojë më shumë me kryetarin e një komiteti ekzekutiv, sesa me atë të një kryebashkiaku të zgjedhur nga qytetarët. Në fund të fundit, nuk është i votuar, por i emëruar. Fituesi i një gare pa garë, në të cilën partia e dytë doli forma falike që u vizatua në fletët e votimit, nga ata që u detyruan të bëheshin pjesë në garë nga frika e humbjes së vendit të punës, apo u tunduan nga një bakshish mjeran.


I tillë ishte ai që mori ‘Zogu i Tiranës’, vota e të cilit kushtoi vetëm njëzetë mijë lekë të vjetra. Sic transit gloria mundi! (Kështu kalon lavdia e botës!) Askujt nuk i mungon fantazia e nevojshme për të kuptuar se çfarë turpi ka qenë 30 qershori.

Me legjitimitetin që i buron nga ‘Zogu’, ish majtisti dhe ish G nëntëdhjetë e nëntëshi, kërcënoi pak ditë më parë Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit. Në mbledhjen moniste të Këshillit Bashkiak të Tiranës, teksa kalonte një tjetër rritje taksash, përkufizoi protestuesit që po mbrojnë godinën historike ‘një çetë e vogël’ e cila do të ketë fatin e ‘Astrit’. Që do të thotë se artistët dhe qytetarët do të zbohen prej sheshit Bujar Lako me dhunën policiore dhe gaz lotsjellës.

Fjalë të rënda, jo vetëm sepse vijnë nga i votuari i Zogut, por sepse i adresohen një komuniteti që ka fituar simpatitë e një mase të madhe të shqiptarëve. Jo vetëm sepse në dy vjet ndalën projektin klientelist me të cilin tjetërsohet prona publike, shkelet kushtetuta dhe shkatërrohet historia e përbashkët, por krijuan, një model të ri të angazhimit qytetar.

Një sfidë që nxori cullak një pushtet totalisht të pamoralshëm, dhe fitoi besimin e njerëzve që, midis Bashkisë dhe Teatrit, zgjodhën këtë të fundit për dorëzimin e ndihmave për të prekurit e tërmetit. Dhe, ndryshe nga Veliaj mjaftist, mbrojtjen e Teatrit nuk e bëjnë të subvencionuar nga OJF-të, vendore apo të huaja, por si një detyrë qytetare, në mbrojtje të publikes dhe demokracisë. Jo duke u çjerrë si ai dikur, por duke bërë art, duke dhënë shfaqje, duke sjellë artistë nga gjithë Europa për të performuar në atë që, në Shqipëri dhe matanë saj, njihet si ‘Festivali për Mbrojtjen e Teatrit’.

Më shumë se pesëdhjetë aktivitete kulturore të zhvilluara nën ritmin konstant të gjeneratorit, i cili zëvendëson energjinë elektrike të prerë nga qeveria në 24 korrik. Atë ditë, Teatri u mor në menaxhim nga ky komunitet, i cili e mbron 24 orë në 24, në atë që do të njihet si protesta më e gjatë e historisë shqiptare. Një jetëgjatësi që mbart në vetvete drejtësinë e kësaj kauze; pasi askush nuk e sfidon dot për kaq gjatë dhe kaq fortë një pushtet autokratik, pa pasur një marrëdhënie të pastër me të vërtetën.

Dhe e vërteta është që projekti për të shkatërruar Teatrin Kombëtar, është tërësisht në kundërshti me ligjin, historinë dhe moralin publik. Nga autopsia e ligjit special, dalin në pah metastazat që kanë goditur demokracinë tonë hibride.

Por, përkundër gjithë hordhisë që i është sulur godinës 80 vjeçare, Aleanca, e bekuar nga një soj providence, arriti ta ndalë. Godina nuk i rezistoi vetëm korrupsionit dhe klientelizmit, por edhe tërmeteve, të cilën, funksionarë të korruptuar, e kishin shpallur si të rrezikuar.

Anipse, sot për sot i vetmi rrezik, është vetë qeveria. Të paktën ky është edhe opinioni i Europa Nostra, autoriteti europian në fushën e trashëgimisë. E cila, në 10 dhjetor, e shpalli Teatrin Kombëtar një nga ‘14 vendndodhjet më të rrezikuara’, me një angazhim publik për ta futur edhe në Shtatëshe. Kjo do të thotë që, ‘kasollja’, ‘bordello’, ‘stalla e kuajve’, siç e quajnë dashnorët e ligjit ‘Fusha’, është një monument kulture që i përket edhe Europës, pasi mbart histori dhe vlera të rralla të trashëgimisë së kontinentit në të cilin kërkojmë të aderojmë.

Një mbrojtje që lë pa tekst përçmuesit e këtushëm të godinës dhe, njëkohësisht, ekspozon ata që fshihen pas pamundësisë për të investuar te rikonstruktimi. Europa Nostra funksionon si një katalizator për përthithjen e fondeve. Pra, me duart në xhep, pa asnjë shpenzim nga shqiptar, Europa Nostra mund të sjellë në jetë të re Teatrin.

Sidoqoftë, nëse dëgjojmë krokamat e Veliaj, duket se puna e Aleancës ende nuk mjafton. Qartësisht, pas tërmetit, që bëri qesharake propagandën mbi sigurinë e godinës; dhe marrjes në mbrojtje nga Europa Nostra, që hodhi poshtë pretendimet mbi vlerat historike dhe arkitekturore, korrupsioni mbetet e vetmja arsye për të shkatërruar Teatrin Kombëtar dhe për t’i hapur rrugë qiellgërvishtësve që do të mbijnë pranë tij.

Për këtë arsye, në kapërcyell të viteve, Erion Veliaj kërcënon me gazin lotsjellës një komunitet që mbron godinën prej shkurtit të vitit 2018. Për të njëjtën arsye drejtuesi i bashkisë shkel ligjin, duke mos bërë asnjë transparencë mbi procesin e vendimmarrjes për tenderin. Ndonëse janë shkelur të gjitha afatet zyrtare, institucioni që duhet të jetë i qytetarëve, ka marrë trajtat e bunkerit që ka përballë. Asgjë nuk është bërë e qartë për publikun se kush ishin pjesëmarrësit, klasifikimi i ofertave apo fituesi. Madje nuk i ngadalëson as fatkeqësia e tërmetit (500 milionë lekë që po përdoren për të negociuar në fshehtësi ‘fituesin’ e pashpallur, mund të përdoreshin për rindërtimin), as mungesa e Gjykatës Kushtetuese, tek e cila Presidenti i Republikës ka depozituar ligjin Fusha, fill pasi policia mori zvarrë aktorin Edmond Budina mëngjesin e 24 korrikut.

Ky nxitim djallëzor, ‘Nxitim është i djallit. Ngadalësia e Zotit’ – ka pas thënë gazetari Henry Louis Mencken, nuk ekspozon vetëm vullnetin për të shembur Teatrin, por njëkohësisht demokracinë. Nëse përballë rezistencës dyvjeçare, të Europa Nostra, Presidentit të Republikës, Opozitës dhe opozitarizimit që gëlon në vend, do të lejohet avancimi i një mazhorance të ndërtuar mbi votat e ‘niçeve’, akulloreve, por edhe Zogut të Tiranës’, rrënojat e Teatrit do të shërbejnë si sarkofagu i shoqërisë sonë.

Në të kundërt, nëse qytetarët do t’i përgjigjen thirrjeve të aktivistëve në mbrojtje të Aleancës, dhe do të kuptojnë se avancimi i një autokracie nuk ndalet një herë në 4 vjet apo kur ajo vjen te dera e shtëpisë, por kur kërcënon publiken, atëherë, përveç Teatrit, do të kemi fituar edhe demokracinë.


Etiketa: , ,

Pas