Ambasadori i BE në vendin tonë, Luigi Soreca doli sot në një konferencë për koncertin “Zafest” që zhvillohet në Theth këtë fundjavë, por iu përgjigj edhe interesit të gazetarëve për çështjen e Teatrit Kombëtar, ku artistët protestojnë kundër shembjes së tij. Ambasadori tha se “I takon qeverisë shqiptare të vendosë për projektin e Teatrit të ri”. Ai shtoi se kjo çështje është politizuar.
“Nuk duhet të jemi ne ata që themi nëse duhet të ketë një ndërtesë të re ose jo, këtë e kanë përgjegjësi autoritetet shqiptare. Ashtu sikur e dini edhe ju pozicioni ynë ka qenë i qartë që nga shtatori i vitit të shkuar, BE i ka bërë thirrje qeverisë që të jenë transparent edhe pa qasje diskriminuese në treg. Ky duhet të jetë parimi që duhet të udhëheqë autoritetet shqiptare”.
Nga ana tjetër ambasadori bëri thirrje që gara në tender të jetë e hapur dhe transparente.
“Është lançuar një tender, duhen kritere të qarta dhe transparente për këtë projekt. Për ne, siç e thashë, është e rëndësishme të respektohet sundimi i ligjit. Procedurat e tenderit të jenë në përputhje me ato të BE, tenderi është i hapur deri në shtator. E rëndësishme është çështja e konkurencës së lirë dhe të drejtë dhe ai të jetë i hapur deri në 19 shtator”, u shpreh ai.