Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, është thirrur sot në interpelancë në Kuvend për shembjen e Teatrit Kombëtar. Ka qenë deputetja e opozitës së re, Fatjona Dhimitri që ka kërkuar ministrin në interpelancë.
Nga foltorja e Kuvendit, ministri Lleshaj theksoi se policia nuk shkoi me iniciativën e saj te teatri, por u thirr në përmbushje të detyrimit të saj ligjor. Lleshaj tha se ishte Bashkia e Tiranës institucioni që kërkoi mbështetjen e Policisë së Shtetit për të liruar Teatrin nga artistët dhe më pas për të vijuar me shembjen e tij.
“Më 17 maj policia u thirr nga IKMT e Tiranës, për të liruar një pronë në pronësi të Bashkisë së Tiranës. Kishte 27 muaj që kjo godinë ishte uzurpuar nga persona që nuk kishin asnjë tagër ligjor mbi të. Policia vajti e thirrur nga autoriteti pronar i godinës”, tha Lleshaj.
Interpelanca
Sandër Lleshaj: Unë jam me qytetarët dhe me policinë, përballë atyre që i kundërvihen ligjit. Kam mirëkuptim të plotë për të gjithë ata që u shqetësuan nga zhvillimet e datës 17 maj 2020, zhvillime të cilat i dhanë fund me zhurmë historisë së pafatë të godinës së Teatirt Kombëtar. Nuk kam ndërmend që në këtë interpelancë të harxhoj kohën me çështje që kanë të bëjnë me arkitekturën. Dua të them me keqëardhje kam konstatuar se dhe historia e godinës së teatrit, ashtu si shumë të tjera, degradoi që në ditët e para të saj, në një sherrnaj të rëndomtë politike. Policia nuk shkoi me iniciativën e saj në mjediset e teatrit, por u thirr në përmbushje të detyrimit të saj ligjor.
Policia ka detyrë t’iu përgjigjet këtyre thirrjeve. Policia nuk shkoi si palë, por si autoritet ligjzbatues, i thirrur për të zbatuar një vendim të ligjshëm. Të shqetësuarit duhet të dinë se policia në Shqipëri dhe çdo vend demokratik të botës nuk e ka luksin të bëjë vetë ligjin, por ka detyrë ta zbatojë atë. Në thelb, ligji e detyron policinë të përgjigjet ndaj kërkesave të cdo pronari, nëse prona e tij është zaptuar në mënyrë të paligjshme. Më 17 maj policia u thirr nga IKMT e Tiranës, për të liruar një pronë në pronësi të Bashkisë së Tiranës. Kishte 27 muaj që kjo godinë ishte uzurpuar nga persona që nuk kishin asnjë tagër ligjor mbi të. Policia vajti e thirrur nga autoriteti pronar i godinës.
Çfarë alternativash kishte policia?
Kishte vetëm dy, ose të shkonte e t’i përgjigjej kërkesës së bashkisë për mbështetje, ose ta refuzonte atë. Pra, të zbatonte një detyrim ligjor, ose të mos e zbatonte atë. Policia zgjodhi të parën. Besoj se të gjitha thirrjet ndaj policisë për të braktisur detyrën, janë një ndër problemet e mëdha, me të cilët duhet të merremi seriozisht. Thirrjet për të hedhur kapelet dëshmojnë sa lart jemi ne me parimet e funksionimit normal të shtetit. Pas 30 vitesh ka ardhur koha të kuptojmë disa parime elementare: së pari është ‘jo dhunë’. Asgjë nuk arrihet me dhunë. Besoj se edhe po të jetonte sot At Gjergj Fishta, do na i përsëriste akoma disa gjëra, që i ka shkruar që kur përpiqej t’ua mësonte shqiptarëve ‘a, b, c’.
Fatjona Dhimitri
“E kam iniciuar këtë interpelancë, duke marrë shkas nga dhuna barbare nga individë të veshur me uniforma policie gjatë operacionit të një shembje të historisë së vendit tonë, Teatrit Kombëtar. Mendova se ndonjë prej ushtarëve të zellshëm të pushtetit, do të kishin kurajo që t’i dilnin shqiptarët përballë, për të realizuar një dëgjesë. Por më kërkohet mbyllja e gojës, për të vijuar më tej me heshtjen patetikë të plan prishësve. Po si mund të bjerë në veshë të shurdhër shembja e trashëgimisë kulturore?!
Askujt nga qeveria, duke nisur nga organizatori, kryeministri, ekzekutorët, kryetari i bashkisë moniste, dhe ministrit të Brendshëm, s’ju bë vonë dhe duke përfituar nga errësira dhe pandemia globale, të godasin teatrin. Kanë hyrë në mënyrë barbare me armë zjarri, duke përdorur gaz lotsjellës, e duke i goditur gjithandej dhe duke i arrestuar me 20 policë për person. Dhuna e përdorur ndaj publicistit të njohur, Alfred Lela, është fakt i pamohueshëm i dhunës prej efektiveve. Protestuesit kanë qenë në të drejtën e tyre. Ata po protestonin paqësisht, asnjëri prej tyre nuk ka qenë I dhunshëm me policinë. Konfrontimin e ka nisur policia, duke I shtyrë, nxjerrë krahët e përdorur forcën. Policët ishin disa herë më të lartë në numër se protestuesit, edhe pse këta të fundit nuk paraqisnin aspak rrezikshmëri”.