Presidenti Ilir Meta ka diskutuar me përfaqësuesit e Europa Nostra rreth mundësisë për të nisur një hetim ndërkombëtar.
Lajmin e njoftoi vetë Presidenti përmes një konference për shtyp të premten, ku zbuloi se përmes një videkonference kishte rënë dakord “për domosdoshmërinë” e një hetimi për atë që ai e quajti si ngjarje që tronditi opinionin vendas dhe ndërkombëtar.
“Kam zhvilluar një bashkëbisedim me videkonferencë me përfaqësuesit e Europa Nostra, të cilët i falënderova për angazhimin e tyre për promovimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore e historike të vendit tonë. Ramë dakord për domosdoshmërinë e nisjes së një hetimi ndërkombëtar për çështjen e shembjes së paligjshme dhe arbitrare të Teatrit Kombëtar, çka tronditi të gjithë opinionin publik vendas e ndërkombëtar,” – tha Meta.
Ai shtoi se kishte rënë dakord që të vazhdonte më tej bashkëpunimin me Europa Nostran edhe për çështje të tjera për ruajtjen e trashëgimisë kulturore në Shqipëri.