Kundërshtimi i komunitetit të artistëve, të cilat kanë pothuaj 1 vit e gjysmë që bëjnë qendresë periodike të përnatshme kundër shembjes së godinës ekzistuese të Teatrit Kombëtar, duket se ka rënë në vesh të shurdhër, pasi kryeministri Edi Rama dëshmon në vazhdimësi se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga projekti për ndërtimin e një Teatri të ri.
Në një postim në llogarinë e tij zyrtare në Facebook, Rama ka njoftuar se së shpejti do të ndërtohet një Teatër të ri i Operas dhe Baletit. Kreu i qeverisë shkruan edhe pse kjo godinë ishte “ku e ku” më e mirë se ajo e TK-së, të cilën e quan “karakatina e turpshme prej tallashi”, sërish nuk mund të krahasohej me asnjë nga teatrot e Evropës.
Kreu i qeverisë, u ka dhënë edhe një mesazh artistëve që vijojnë të protestojnë kundër zbatimit të planit për shembjen e TK-së, duke shkruar se godina e re, përveçse do të jetë një gëzim nga brenda, do të rrezatojë edhe nga jashtë, si një kryevepër e arkitekturës bashkëkohore.
Postimi i Ramës
SË SHPEJTI SHQIPËRIA do të ketë një TEATËR TË RI TË OPERAS DHE BALETIT (Shihni fotoalbumin e kantierit😉) – Opera, edhe pse ishte ku e ku më e mirë, se sa karakatina e turpshme prej tallashi e Teatrit Kombëtar, nuk krahasohej dot as me teatrot e qytezave të Europës😢
Dhe me këtë rast, kush ka sy të shikojë e mendje të mendojë, mund të shohë (edhe pse ende s’ka përfunduar Salla e Madhe e shfaqjeve), pa asnjë mundim, dallimin si nata me ditën, mes pasionit tonë për të bukurën e për dinjitozen dhe lidhjes së pandashme me shëmtinë e me pisllëkun, të atyre që u vriten sytë nga drita e të resë😳
Ja kështu, njësoj, do të shkëlqejë nesër edhe Teatri i ri Kombëtar, i cili përveçse do të jetë një gëzim nga brenda për çdo artist e artdashës, do të rrezatojë edhe nga jashtë, si një kryevepër e arkitekturës bashkëkohore, falë talentit të arkitektit të famshëm danez Bjarke Ingels e të studios së tij prestigjoze “BIG”👍
(Kjo vlen edhe për ata që e kanë romuzin 3D në majë të gjuhës kur komentojnë, sepse para se të niste ky kantier, 3D ishte edhe kjo këtu😜)