Editorial

Teatri, shansi historik i SPAK





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 13:05 - 27/05/20 |
Nga Armand Maho

Në rast se ka një çështje që do të justifikonte më së miri emrin tashmë të njohur, SPAK, (Strukturës së Posaçme Anti Korrupsion), është dosja e dërguar nga artistët për mbojtjen e Teatrit pranë këtij organi që ka të bëjë me atë çka ndodhi mëngjesin e datës 17 maj.


Ai fashikull është pasqyra ku korrupsioni dhe krimi i organizuar, lidhen në mënyrën më arrogante, ulëritëse, duke i bërë karshillëk emocioneve dhe kujtesës së mijëra qytetarëve. Dhe jo vetëm kaq, ajo është nyja ku mund të zbërthehet i gjithë zinxhiri i kësaj ndërthurjeje që po i merr frymën dhe ka zënë në çark qytetin.


Mjaft të hedhësh sytë nëpër Tiranë, mbrapa sahatit, 15 katëshit e gjetkë, për të parë se pazaret e errëta janë shndërruar në beton tashmë. Dosja e Teatrit do të zbërthente trajtimin si palckë që i bëhet pronës publike, kulturës, historisë së këtij vendi, në interes të oligarkisë. Se si, në vrap e sipër u falsifikuan firma, vota, shifra, proçedura dhe inspektime. Brenda asaj dosje është nëpërkëmbja që i bëhet Kushtetutës.


Ky është një shans historik për SPAK në narrativën për të fituar besimin e publikut. Aksionet ndaj fakirëve nuk justifikojnë dot apatinë e treguar deri më tani. Rasti i heqjes dorë nga votat e vjedhura në Dibër, la një shije të hidhur. Në rast se kërkon të hapë kutinë e pandorës, mjaft të gërvishtë sadopak plagën e 17 majit.


Prokuroria duhet të tregojë se i shërben publikut. Pushteti ka mjaft shërbëtorë që i lëpihen. Ata që ndihen vetëm e të pambrojtur në këtë vend, janë njerëzit e thjeshtë, që robtohen për të paguar taksat, me të cilat mbahet në këmbë dhe ajo godinë ku pretendohet drejtësi.

Në rast se nuk hetohet makutëria, ndaj pronës publike, atëherë çfarë do të hetojë vallë SPAK? Në rast se ata prokurorë atje, me status të fuqishëm e mbrojtje ndërkombëtare, i frikësohen pushtetit, atëherë çfarë vlere ka pasur shkatërrimi i sistemit të vjetër e të anatemuar të drejtësisë? Për çfarë ky vend ndejti pa gjykatë Kushtetuese e Gjykatë të Lartë për tash tre vjet? Për çfarë vlejti ai vetting, ku gjyqtarët dhe prokurorët e këtij vendi duhet të jepnin llogari deri në qindarkat e fundit, e mundësisht para një jurie që është denoncuar si e njëanshme politikisht.

Drejtësia është themeli i një shteti, ajo qëndron aty për të gdhendur në memorie ndëshkimin e paudhësive, që vijnë më së pari nga pushtet që shkojnë e vijnë. Për drejtësinë, shumë prokurorë idealistë kanë dhënë dhe jetën. Porkurorëve tanë nuk po u kërkohet kjo sakrificë. Thjeshtë i kërkohet të dimë, pse u shemb në mënyrë shtazarake një godinë e cila ishte dëshmitare prej më shumë se 80 vjetësh e historisë tonë. U kërkohet të zbulojnë se përse po shqyhet kryeqyteti nga të gjitha anët, ata e kanë fuqinë për t’a bërë këtë.

Çdo prokuror, para se të jetë burokrat është qytetar. SPAK-ut i është dhënë shansi historik për të ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve në këtë vend. Le të anojë një herë peshorja e saj nga ata që janë nëpërkëmbur, le të godasë një herë shpata e drejtësiësë atje ku duhet. Ti japë një herë shpresë këtij vendi, ku ashtu si ne dhe ata kanë zgjedhur të rrisin fëmijët. Të tregojë se e duan Shqipërinë, e duan Tiranën!


Etiketa: , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas