Për plotësimin e ëndrrës kryeministrore për prishjen e Teatrit Kombëtar, është ngarkuar sërish Erion Veliaj, i cili këtë herë duhet të japë prova para Ramës se e meriton vendin e Kryetarit të Bashkisë, që iu dha vitin e shkuar. Por a do mundet ai ta shembë godinën 80-vjeçare? A do mundet Veliaj që të dalë kundër të gjithëve, artistëve, opozitës, presidentit, shoqërisë civile, prokurorisë që e ka marrë nën hetim, dhe komunitetit ndërkombëtar që ka reaguar fort? A ekziston rreziku që të jetë ai kurbani i radhës që do ndjekë fatin e Saimir Tahirit?
Nga Armand Maho
Prishja e Teatrit është një ëndërr e vjetër e Edi Ramës. Daton që nga koha kur ishte ministër Kulture, dhe ai e thotë vetë në çdo moment, siç e deklaroi edhe një natë më parë tek “Opinion”. Një ide që asokohe u kundërshtua fort nga artistët. Por sot, emra të tillë si Luftar Paja, Bujar Asqeriu, apo dhe Robert Ndrenika, që në vitin 1999-2000 ishin në vijën e parë të luftës kundër prishjes së teatrit, sot janë shprehur në favor pro shembjes së godinës ku janë duartrokitur. Hipotezat janë të shumta!
Përgjatë periudhës kur ushtroi mandatin e kryebashkiakut, Edi Rama duke mos pasur mbështetjen e asnjë prej kryeministrave të kohës, nuk bëri tentativë për prishjen e Teatrit. E shtrirë në një sipërfaqe prej 5500 metrash katrorë, trualli ka sot një vlerë rreth 100 milionë euro. Në vitin 2018, tentativa e Veliajt për ta dhënë me koncesion dështoi në këshillin bashkiak, pasi nuk siguroi dot shumicën. Vota kundër e LSI-së, e cila që pas zgjedhjeve të vitit 2017 ishte deklaruar në opozitë, ia bëri të pamundur.
Në këto rrethana, çështjen e mori në dorë parlamenti. Rama e vuri institucionin ligjvënës tashmë në shërbim të idesë së tij të vjetër, shembjen e asaj godine. Gjykata Kushtetuese tashmë ishte shkrirë dhe vendimi nuk kishte ku ankimohej. Në letra koncesionarit iu hap rruga që të prishte godinën, por në realitet gjërat u vështirësuan shumë.
Për dy vjet rresht Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, nuk ka munguar asnjë ditë në oborrin e këtij institucioni, duke dhënë një mesazh të qartë për këdo që guxonte ta prekte.
Teatrin Kombëtar e mori në mbrojtje dhe Europa Nostra, një organizatë evropiane që merret me mbrojtjen e kulturës dhe trashëgimisë. Madje kjo e fundit ka premtuar dhe financimin e 80% të vlerës së rikonstruksionit.
Në këto kushte, koncesionari të cilit i duhej të përballonte jo vetëm humbjen e kohës, por dhe akuzat që i vinin nga të gjitha anët, u tërhoq.
Duke parë ndjeshmërinë e çështjes, Rama para pak ditësh ia kaloi në pronësi teatrin Bashkisë së Tiranës, me kryetar Erion Veliajn i cili po nxiton që ta shembë duke folur në emër të “interesit Publik”. Veliajt tashmë i duhet të tregojë para Ramës se e meriton vendin që mban dhe që për dy mandate rresht e mori pa luftë. Plotësimi i kapriços kryeministrore është sfida e tij e radhës.
Pyetja që shtrohet është: A mund ta mbajë kurrizi i brishtë i ish-kreut të Mjaft-it, peshën e një gabimi historik siç është shembja e Teatrit Kombëtar? Apo është thjesht Kurbani i radhës, siç ishte dhe Tahiri për Ramën?
A mund të përballet ai me njerëz që janë gati të japin gjithçka për atë godinë?
A mund të përballet ai me vendosmërinë e Neritan Liçajt, Robert Budinës, Kastriot Çipit e shumë aktivistëve të tjerë e qytetarëve pa asnjë interes, të pablerë, e që janë aty me zemër e me shpirt, prej dy vjetësh në diell e në shi?
Kjo mbetet për t’u parë!
Pasi planet e Edi Ramës për të dhënë me koncesion 5500 metra katrorë truall të Teatrit Kombëtar dështuan, tashmë flamurin e protagonistit e ka marrë në dorë Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj i cili nuk ka pritur po ka marrë dy ditë më parë, natën, vendimin për të shembur Teatrin Kombëtar.
Votimi është kryer nëpërmjet email–it që u është dërguar anëtarëve të Enjten, pa ndonjë mbledhje as formale online. Vendimi hyn në fuqi dhjetë ditë pas marrjes së vendimit, sipas nenit 55 të qeverisjes vendore. Pra pas datës 24 maj. Por, regjisori Robert Budina, në një dalje televizive denoncoi një mesazh të Kryeministrit Rama, sipas të cilit thuhet se i kërkon Veliajt shembjen e Teatrit brenda ditës së martë.
Vetë kryeministri dje në mbrëmje u shpreh se prishja e Teatrit është një ëndërr e tij 20-vjeçare, por nga ana tjetër ka shkarkuar përgjegjësinë nga vetja kur tha se ky nuk është më problem i tij, por i Bashkisë së Tiranës. Këshilli Bashkiak i dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit, përbëhet vetëm nga anëtarë të PS-së në shumicën dërrmuese dhe i vetmi kundërshtar aty, është Fabian Topollaj. E thënë ndryshe, Kryetari i Bashkisë dhe këshilli tashmë e kish vendosur paraprakisht vendimin, dhe votimi ka qenë formal.
Politika
Por megjithëse Kryetari i Bashkisë, kërkon të imponojë me çdo kusht shembjen e Teatrit, duket se s’do e ketë të lehtë. Jo më kot Rama, e kaloi topin në fushën e tij, duke kuptuar dhe kostot që mbart ndërmarrja e këtij akti. Këtë ai e pranoi dhe në një dalje publike kur tha se: “Teatri tashmë është çështje e autoritetit lokal”. Menjëherë, sapo policët Bashkiakë u paraqitën në dyert e Teatrit Kombëtar të mërkurën, Aleanca për Mbrojtjen e Tetarit u gjend aty, dhe premtoi se çdo tentativë nga ana e Veliajt për ta shembur godinën do kishte pasoja të rënda. Kjo aleancë, që ka mbledhur rreth saj artistë, intelektualë, regjisorë por edhe qytetarë të thjeshtë, prej dy vjetësh ka bërë një rezistencë të admirueshme në dyert e institucionit.
Malorja u bë dhe më e rrëpirët për Veliajn, i cili duket se ka marrë një barrë më të madhe se sa mban realisht. Kjo pasi rezistencës së tyre iu bashkua dje institucionalisht dhe presidenti i Republikës Ilir Meta, dhe kreu i opozitës, Lulzim Basha.
Ky i fundit, prej kohësh ka shprehur mbështetjen e tij ndaj artistëve madje ka firmosur dhe një marrëveshje me ta. Lajmi për marrjen e vendimit nga Këshilli Bashkiak u dha gjatë kohës kur Basha kish mbërritur mes artistëve në Teatrin Kombëtar. Kreu i opozitës komentoi dhe vendimin e marrë në urgjencë e sipër me urdhër të Veliajt.
“Bashkia e Tiranës ka një kryebashkiak të paligjshëm. Këshilli është inekzistent, i paligjshëm. Për sa kohë të jetë ky njeri në krye të punës, batërdia do të vazhdojë. Zgjedhjet do të vazhdojnë. Kjo dhunë, kjo vjedhje, grabitje, zhvatje e pronave të shqiptarëve, ka një dhe vetëm një emër, Edi Rama. PD ka qenë pranë artistëve në çdo sekondë. Ndaj iu bëj thirrje qytetarëve që të mbrojnë këta njerëz. Po mbrojnë shumë më shumë se sa një godinë. Po mbrojnë vijën e fundit, pas së cilës vjen diktatura”, -tha Basha. Dalja e Bashës, u shoqërua të nesërmen me masa administrative siç është heqja e patentës, por dhe gjobë. Bashkë me të, policia ndëshkoi me masa të ngjashme dhe 41 aktivistë të shoqërisë civile, që kanë dalë në mbrojtje të teatrit.
Vendimi u mor në të njëjtën ditë kur Presidenti i Republikës Ilir Meta, çështjen e teatrit dhe kalimin në pronësi Bashkisë së Tiranës ia dërgoi Gjykatës Kushtetuese. Kreu i shtetit, në deklaratën e tij, u shpreh se s’duhet të bëhet asnjë veprim pa pritur vendimin e kësaj gjykate. I pyetur se ku do jetë Presidenti në rast se fadromat i afrohen teatrit, ai u përgjigj: “Presidenti është gjithmonë në krye të detyrës së tij në mbrojtje të Kushtetutës, të interesit kombëtar, të interesit publik.
Dhe do të jetë gjithmonë në krye të detyrës. Për sa i takon ndonjë karagjozi që kërkon të bëjë prova force me Presidentin apo nuk e di me kë tjetër, duhet ta ketë të qartë se Presidenti sillet me përgjegjësi maksimale, mban shënim çdo gjë, i ka bërë paralajmërimet të përsëritura”, –tha Meta. Një akt-padi kanë depozituar në prokurori dhe aktivistët për mbrojtjen e teatrit.
Sipas tyre, godina është pronë e Ministrisë së Kulturës dhe si e tillë nuk mund të kalojë në pronësi të asnjë pushteti vendor, duke e konsideruar këtë si shkelje ligji. Sipas tyre, edhe akt-ekspertimi i bërë nga ana e institutit të Ndërtimit, është i njëanshëm dhe me prapavijë të qartë politike. Aleanca është e mendimit, se ata nuk kanë kryer akt-ekspertizën bazuar në gjendjen e godinës dhe përfundimet në të janë të pasakta. Instituti i ndërtimit akuzohet nga aktivistët për “Falsifikim dokumentash”. Ndërkohë, mësohet se dje SPAK ka nisur hetimet ndaj kreut të Bashkisë Tiranë Erion Veliaj, dhe nënkryetarit Arbi Mazniku për shpërdorim detyre.
Shoqëria civile
Por reagime të ashpra nuk kanë munguar as nga artistët, apo aktorët e shoqërisë civile. Shkrimtari dhe ish-ministri i Jashtëm Besnik Mustafaj tha dje se nga ana e qeverisë, apo e Bashkisë s’mund të ndërmerret asnjë veprim pa pritur gjykatën kushtetuese. “Me prishjen e Teatrit, Shqipëria humbet një godinë historike dhe humbet në imazh në arenën ndërkombëtare. Turpi, në rast përplasje me artistët dhe aktivistët që mbrojnë Teatrin, do t’i ngelet qeverisë dhe policisë” tha Mustafaj.
Analisti Fatos Lubonja, tha se nuk kemi të bëjmë thjesht me një godinë që qeveria kërkon ta shembë, por me një shkollë që do u lihet brezave. Sipas tij, Veliaj kërkon të bëjë biznes me truallin e teatrit, ashtu siç kërkon të bëjë biznes dhe me prishjen e shkollës “Sami Frashëri”.
Sipas tij, shkolla ishte krejt në rregull dhe e qëndrueshme nga ana strukturore pas tërmetit, dhe kjo e dalë nga vlerësimi i ekspertëve. “Por Veliaj e shembi, sepse aty do bëhet biznes, do bëhen ndërtime, e njëjta gjë do ndodhë dhe me teatrin”, tha Lubonja. Për shkrimtarin Ylli Demneri, është e papranueshme dhe heshtja e aktorëve që prej shumë vjetësh kanë interpretuar në këtë skenë. Demneri thotë se qeveria do e këtë të pamundur ta shembë teatrin, pasi do përballet me rezistencën e qytetarëve.
Si asnjëherë tjetër kundër shembjes së teatrit ka dalë dje dhe Komuniteti Ndërkombëtar, që ka reaguar qoftë institucionalisht si në rastin e BE-së apo Europa Nostra, qoftë me anë të ambasadave të akredituara në vendin tonë. Komisionerja e BE për Kulturën, Mariya Gabriel u bën apel institucioneve shqiptare që të përfshihen pa vonesë në një dialog konstruktiv mes palëve.
“Dialogu me shoqërinë civile dhe ekspertët e trashëgimisë kulturore është i domosdoshëm përpara se të merrni një vendim të pakthyeshëm për Teatrin Kombëtar. Ne inkurajojmë fuqimisht të gjitha institucionet përkatëse kombëtare që të përfshihen tani në një dialog konstruktiv me palët e trashëgimisë” u shpreh Gabriel me anë të një mesazhi në Twitter.
Europa Nostra e konsideron të paligjshëm vendimin e Bashkisë së Tiranës për shembjen e Teatrit Kombëtar. “Ne jemi për kulturën e Evropës. Kjo është arsyeja pse ne kundërshtojmë prishjen e paligjshme të propozuar të Teatrit Kombëtar në Tiranë, një nga 7 ndërtesat më të rrezikuara të Evropës. Teatri ruhet nga ligji kombëtar dhe mbrohet fuqimisht nga shoqëria civile dhe ekspertët. Sundimi i ligjit të bazohet mbi vlerat e BE-së”– thuhet në reagimin e organizatës që merret me trashëgiminë kulturore në Europë.
Një reagim të ngjashëm, ka bërë dhe Ambasada Britanike në Tiranë, ku i kërkon qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës nisjen e dialogut me kundërshtarët e shembjes së teatrit, ndërkohë që ambasadorja amerikane Youri Kim, ka vizituar dje zyrën e Ramës. Media njoftoi se takimi ishte kërkuar për çështjen e teatrit.