Mapo Letrare

Teksa bëjmë dashuri






               Publikuar në : 09:43 - 06/04/19 |
Nga Eli Kanina

Nga Eli Kanina


TEKSA BËJMË DASHURI

Dashuria më thua
Se është ai zogu që shpuplohet
Ndërsa uji valon në pritje mbi një zjarr bubulak.
Dashuria më thua
Se është ai udhëtimi që kurrë nuk e bëmë
Ndërsa udhëve vazhdimisht u nisëm pa plan.
Dashuria më thua
Se është ajo shtëpia kafaz që na zuri në çark
Ndërsa qiellin joshnim me një përqafim të聽 lakuriqtë.
Dashuria më thua
Se është ajo kënga që na zgjon në muzg e ag
Fërshëllimë e ëmbël melodish nga palca në gjak.
Dashuria më thua
Se është peshorja në dorë të njeriut të verbër
Një botë butësish në sqepin e shpendit të egër.
Dashuria më thua
Se është një guguçe për foshnjën që lind e ngazëllen
Edhe përtej atyre që duhen e ngjizen prej saj.
Dashuria më thua
Se është një aromë e athët gruaje
Në gishtat plot nyje kallosh të ashpra të një burri.

NË KURTHIN E DIELLIT

Kjo përflakje
Kjo përndezje
Kjo përpushje
Pa përgjigje
Pa përmbushje
Pa një ndukje
Pa një puthje…
Pse dashuria ime pa cak?
Oh, po ç’dilemë e imja të mban larg

Edhe një ditë tjetër pa mëkat
Drithërima e mungesës tënde
Ndihet deri në univers
Penetron thelbin e tokës shurdhe
Me zërin e instiktit pervers
Kush mi ngre këto kurthe deri në jerm?
Vibrimet trup e shpirt
Krater vullkani pa llavë më shndërrojnë
Shuhem me heshtje thëngjillash nën hi
Ndërsa ndiej një mrekulli në zgjim
Kordinatat e ndryshme me ty, mi kujton
Dielli, që ndajmë bashkë prej lindjes
Ky përqafim krahëbosh
Këtë mëngjes
Pa ty…

KUMTESË E PËRLOTUR

Ndërrimi i viteve më gjen të paplotë
Më duhet ca lotë ti mbush mendjen botës
Të dukem siç ndjehem, një shpirt pa sfond
E palumtur, e lënduar, e trishtë
E dobët, e dhunuar, e brishtë
E sëmurë, e dhembshur, e mishtë
E përdorur, e zhgënjyer nga pabesi e pistë…
Bota nuk do t’ia dijë për lëndime njerëzish
Koleksioni i saj në medja janë ca prekje
Nga piktura me lotë e me jetëavdekje
Ndërsa jeta bën përpjekje
Ëndrrazvarritur deri në mekje
Unë mësoj të gëlltis lotët si melhem
Si mund të lexohet ndryshe një shpirt në thelb?
Shendeverë shndërris e shëtis gjithandej
E pabesueshme mbetem në sfond
Ndaj më duhet një bizhu lotësh
Që bota të bindet se jam e vërtetë
E qullur nga lotët çlirohem
Por mbetem e shkrehtë
Pa ju…
O njerëz!
Sa shumë dua të qaj
Për veten që mbaj nën vete
Por për ju nuk do ta bëja
Besomëni kur ju drejtohem
Me buzëqeshjen shurup luleshtrydhesh
Nuk shtirem në asnjë rast
Thjesht s’dua t’ju humbas.
Unë di të qaj me çurgë lotësh
Dhe kam aq shumë arsye të qaj
As nuk më vjen turp nga lotët e mi
Ndërsa qaj pa motiv kur më vjen
Përmallem
Përlotem
Përmbahem
Përthahem
Pasi shpirti ngopet e deh arat me reshje
Zgjedh për ju një diell me buzëqeshje
Me meritë, qoftë edhe kot
Ngazëllej pastër e ngrohtë
Ç’nuk do të jepja që bota të bindej
Të më donte pa lotë.
Më duhen ca çurgë me lotë
Ndoshta jam për të qarë hallin
Por nuk e mbars malin të pjellë një mi
Më duhet një tjetër botë…
Një botë që ti meritojë lotët e mi.

KËSULËKUQJA E SË DJELËS

Eeej, mbamëni vesh!
Jam një kësulëkuqe librash
Në udhën e muzave endem
Nuk kam ndonjë shportë ilaçesh
Madje as skufjen e kuqe s’e kam
Ca libra, që me mesazhet e tyre
Herë më ndihin e herë më zmbrapsin
Por dua të nisem për diku gjithsesi
Dëshira ma kuqëlon imagjinatën
Si kësula e përrallës…
Lepuj, ketra, dhe iriqë të mirësisë
Mos më trembni, çuçurisni pakëz fat
Buzëqeshmëni, e në ndaçi ecim bashkë
Një copë udhë
Drejt e drejt!
Kthjellët krejt!
Semaforë kryqëzimesh nuk më duhen
Ca fenerë zogj pendëndritur gjithandej
Hyjnore ma bëjnë udhën, penën
Harlisen tekat e mia shumëshkronjëshe
Ndjekin lakadredhat e mendjes
Udhën e përrallës që më mban të mitur
Qyshkur e paratha fati
Duhet të isha rritur
Ose nisur
E di edhe ujkun
Edhe gjahtarin
S’di ende të përzgjedh
Si shtëpinë e gjyshes në mbërritje
Sepse një pyll më mungon
Më pengon
Që të nisem…

PËR TY QË JETON SI TË GJITHË

Jeta është muskuj
Muskuj që regëtijnë
Tërhiqen
Tkurren
Pulsojnë
Poshtë e përpjetë
Refleks e nerv
Tejçojnë e mbështjellin jetë…

Jeta është muskuj
Dhembin e shkaktojnë dhembje
Kënaqësi sysh në të parë
Art sigurie në mendje
Shfryjnë e përthithin
Shtojnë e ndalin ritmin
Shtyjnë e shtrydhin jetë
Sidoqofshin
Muskul të fortë, gur
Muskul të squllur, të ronitur, ushkur…

Jeta është muskuj
Muskuj që mburren në moshën e rritjes
Muskuj që flashken deri në sfidën e ikjes
Nga lindja në vdekje, gjithë koha është jetë
Jetë që jep jetë
Me forcën e vajzës së joshur, që josh
Është brishtësia vetë…


Etiketa: , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

CLOSE
CLOSE
Pas