Krimet e Rënda gjejnë mospërputhje në alibinë e të dyshuarit për vrasjen e Dritan Lamajt. Ndryshe nga ç’tha Arben Frroku, telefonatat e përgjuaratregojnë se ai fliste për “një punë të mbyllur me sukses” që duhej festuar
Tiranë Provat e siguruara nga Prokuroria për Krime të Rënda rrëzojnë alibinë e të dyshuarit kryesor për vrasjen e komisarit Dritan Lamaj. Burime të rezervuara pranë prokurorisë sqarojnë disa detaje nga dosja hetimore, ku hidhen dyshime për përfshirjen e biznesmenit Arben Frroku në vrasjen e komisarit Lamajt, me të cilin kishte një konflikt të hershëm. Ky dyshohet se është dhe motivi i krimit, sipas prokurorisë, e cila tashmë ka bërë kërkesën për ekstradimin e të dyshuarit nga Selaniku i Greqisë, ku u arrestua mëngjesin e datës 25 shkurt, një ditë pas vrasjes së kryekomisarit. Burimet thonë se biznesmeni Arben Frroku ka kaluar në pikën doganore të Kapshticës me drejtim Greqinë në orën 21:27 minuta, pra tre orë pas vrasjes së kryekomisarit, i cili u qëllua me breshëri automatiku pasditen e datës 24 shkurt, pranë banesës së tij në Tiranë. Vetë Frroku deklaroi publikisht se doganën e ka kaluar rreth orës 20:00 të mbrëmjes së të dielës, por nga këqyrja e regjistrit dhe kamerave të sigurisë prokuroria thotë se ora e saktë është 21:27 minuta e mbrëmjes së datës 24 shkurt.
Bisedat telefonike
Kjo është vetëm një nga të dhënat që rrëzon alibinë e të dyshuarit për vrasje, pasi në dosjen hetimore, sipas burimeve, gjenden edhe biseda të përgjuara mes tij dhe një shtetasi shqiptar që përdorte një numër grek. Këto përgjime, sipas prokurorisë, tregojnë se Arben Frroku po shkonte në Greqi për të festuar pas një “pune” të mbyllur me sukses. “Gjatë rrugës për në Kapshticë, Arben Frroku ka kryer një telefonatë me një shtetas shqiptar që ndodhet në Greqi. Në bisedë Frroku e ka porositur të merrte Wiskey, pasi duhet të festonin”- tha një burim i prokurorisë. Kjo bisedë, sipas burimeve, rrëzon alibinë e të dyshuarit se po shkonte në Greqi për të takuar një avokat grek për çështjen e gjyqit, që nipi i tij Sokol Frroku kishte në Selanik. Kjo dhe për faktin se familjarët e të dyshuarit, gjatë marrjes në pyetje në polici kanë deklaruar se nuk kishin dijeni për arsyet e largimit të afërmit të tyre drejt Greqisë, çka sipas akuzës hedh dyshime për përfshirjen e Frrokut në vrasje. Aktualisht hetuesit janë duke verifikuar alibinë e Arben Frrokut dhe familjarëve të tij për itinerarin që ai ka ndjekur më datë 24 shkurt. Djali i tij Grand Frroku në një deklaratë për mediat tha se atë ditë babai i tij është kthyer nga një ndeshje në Laç, ku luante klubi i Tërbunit, ku ai është president, ka ndaluar në ambientet e kompanisë së tij dhe është nisur në drejtim të Greqisë. Ndërsa vetë i dyshuari tha se nga Laçi ka ardhur në Tiranë dhe rreth orës 4-5 të pasdites është nisur drejt Greqisë, duke konfirmuar se doganat e Kapshticës e ka kaluar mes orës 19:00 dhe 20:00 të mbrëmjes së të dielës.
Dosja “Frroku” drejt Greqisë
Të gjitha këto pretendime do të verifikohen nga Prokuroria për Krime të Rënda, e cila vijon të marrë dëshmi nga persona që kishin dijeni mbi konfliktin mes ish-shefit të komisariatit nr.6, Dritan Lamaj, dhe biznesmenit Arben Frroku. Ky i fundit është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare pas masës së arrestit që dha Gjykata për Krime të Rënda dy ditë pas vrasjes së komisarit. Kjo kërkesë u është paraqitur autoriteteve greke, ndërsa Gjykata e Selanikut la 40 ditë afat që Interpol Tirana të paraqesë dosjen hetimore për ekstradimin e Arben Frrokut në Shqipëri. Vetë i dyshuari ka mohuar çdo lidhje me vrasjen e komisar Lamajt, duke deklaruar se do të përballet me të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij.
Prokuroria:
Biznesmeni Arben Frroku ka kaluar në pikën doganore të Kapshticës me drejtim Greqinë në orën 21:27 minuta, pra tri orë pas vrasjes së kryekomisarit Dritan Lamaj. Ai u arrestua mëngjesin e 25 shkurtit në një hotel në Selanik
Frroku:
Nga Laçi kam ardhur në Tiranë dhe rreth orës 4-5 të pasdites, jam nisur drejt Greqisë. Në doganën e Kapshticës kam kaluar mes orës 19:00 dhe 20:00 të mbrëmjes së të dielës. Kam pasur konflikte, por s’kam lidhje me vrasjen e Lamajt
Alibia e biznesmenit, ekspertizë pamjeve filmike
Prej dy ditësh, serveri i kompanisë “Xhoi Lloto” ndodhet nën ekzaminimin e ekspertëve të IT-së për të verifikuar pamjet
Hetuesit e Policisë së Tiranës sekuestruan serverin qendror të kompanisë “Xhoi Lloto”, aksioner i së cilës është Arben Frroku. Ekspertët e Institutit të Policisë Shkencore në Policinë e Shtetit sekuestruan serverin qendror të kompanisë së basteve, për të verifikuar nëse i akuzuari për vrasjen e Dritan Lamajt ka qenë në kompani, në momentin kur ndodhi vrasja. Familjarët e tij kanë pohuar për median se kanë pamje filmike që tregojnë Frrokun në ambientet e kompanisë.
Sipas burimeve të hetimit, mësohet se ekspertët, veç sekuestrimit të serverit kanë kryer disa veprime të tjera që kanë të bëjnë me kamerat e vëzhgimit, me serverin si dhe me hard-diskun e serverit. Po kështu burimet thonë se ekspertët kanë sekuestruar kamera edhe të lokaleve të tjera që janë në pronësi të Frrokut. Pas sekuestrimit, një grup ekspertësh inxhinierë informatike (IT) pritet që të kryejnë ekzaminimet përkatëse për të parë nëse në server ka pasur apo jo ndërhyrje, nëse ka pasur, të çfarë lloji kanë qenë, si dhe kohën e ndërhyrjes e të detajeve të tjera që mund të identifikohen. Po kështu burimet thonë se pritet që të ketë edhe veprime të tjera ekzaminuese sa i përket gjendjes së serverit, kapacitetit, e pyetje të tjera që kanë të bëjnë me të, për të cilat hetuesit dhe prokurorët kanë nevojë të kenë dijeni për të sqaruar rrethanat e hetimit mbi vrasjen e Dritan Lamajt dhe të dyshuarit e krimit të ndodhur të dielën në mbrëmje. Ekspertët dhe inxhinierët e informatikës (IT) pritet të japin edhe një mendim mbi pamjet e që mund të gjenden në arkivin apo në hapësirën e serverit. Ekspertët pritet të verifikojnë nëse ka ndonjë manipulim të mundshëm të pamjeve që ndodhen aty, apo të datës së mundshme të saj. Deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, hetuesit e çështjes nuk kishin marrë ende një përgjigje nga ekspertët e IT-së për pamjet filmike të sekuestruara në kompaninë “Xhoi Lloto”.
Frroku: Do të
kandidoj për PKD
Tiranë Pak minuta para seancës gjyqësore në Selanik, Arben Frroku tha se do të kandidonte për deputet në zgjedhjet e 23 qershorit. “Jam kristiandemokrat i pastër. Do të kandidoj për Partinë e Dhimitër Muslisë”,-tha ai në një intervistë për News 24. Ai ka shpjeguar më tej itinerarin e ndjekur drejt Greqisë, duke ngulmuar në pafajësinë e tij. “Kam kaluar kufirin drejt Greqisë rreth orës 20:00, vrasjen e mora vesh kur isha në doganë. Në hotel në Selanik kam mbërritur rreth orës 24:00. Pasi u njoftova, u thashë se nesër do të kthehem në Tiranë”,- tha Frroku. Ai bëri me dije se për gjyqin që po zhvillohet në Selanik, ka një avokat grek që quhet Makis Kaftopulos. Sa i përket fotos me zyrtarët e Policisë, biznesmeni theksoi se ka shumë njohje si në politikë, polici e biznes. Ai përjashtoi që kreu i PS-së, Rama, t`i ketë bërë ndonjë ofertë për kandidim në zgjedhjet e ardhshme.
Njeriu qe ne pasdite vret nje njeri tjeter nderkaq ne mbremje feston krimin e kryer, duhet te jete kriminel monstruoz. Njerez te tille dhe bashkpunetoret e tij, duhet denuar me burgim te perjetshem. Vetem me denime maksimale mund te ndalen vrasjet kaq te shpeshta dhe monstruoze ne Shqiperi.