fbpx

Aktualitet

Telefonata misterioze, si u zbulua kokaina që po vinte në Durrës






               Publikuar në : 17:29 - 08/10/19 |
mapo.al

“Një person i panjohur telefonoi Byronë e Speciale të antidrogës duke njoftuar se në pjesën frigoriferike të një kontenieri me banane që vinte nga Ekuadori kishte një sasi të madhe kokaine të fshehur. Menjëherë pas kësaj u bë një kontroll i kontejnerëve brenda portit të Selanikut (SEBO) dhe në motorin e frigoriferit u gjetën 47 pako me 51 kg kokainë”.


Gjithçka nisi nga një telefonatë anonime që mbërriti te Autoritetet Portuale të Selanikut natën e 2 gushtit. Kështu e nis shkrimin media greke Ekathimerini, lidhur me ngarkesën me kokainë e sekuestruar nga policia greke, e cila kishte për destinacion portin e Durrësit.



Sipas Ekathimerini-t, autoritetet greke ishin ata që iniciuan hetimin ndërkombëtar të operacionit të shumëpërfolur “Quito”. Ky ishte fillimi i një hetimi të vazhdueshëm që ka çuar në sekuestrimin e më shumë se 700 kg kokainë të fshehur në frigoriferë dhe në muret e 12 kontenierëve të bananeve nga Ekuadori të destinuara për Pireun, Selanikun dhe Durrësin.

Që nga sekuestrimi i parë, hetimet sekrete janë zhvilluar në Greqi ku qindra konteninerë të ardhura nga Ekuadori janë kontrolluar me pajisje me rreze x.

Zhvillimet e fundit hetimore vazhduan më pas jo më në Greqi, por në Shqipëri. Një prej kontenierëve që vinte nga Ekuadori, u lejua të vazhdonte rrugën e mbikëqyrjes nga Pireu me destinacionin e tij përfundimtar, Portin e Durrësit.

Natën e 19 shtatorit kontenieri ndërsa qëndroi për tetë ditë në Portin e Durrësit, një person ishte afruar dhe kishte marrë ngarkesën brenda kontenierit. Menjëherë pas kësaj me një autoveturë private personi sëbashku me një bashkëpunëtor tjetër, janë larguar nga Porti.

Njëzet minuta më vonë, pasi kontrolluan ngarkesën, ata zbuluan se kokaina ishte zëvendësuar me oriz duke kuptuar se po ndiqeshin dhe se kishin rënë në një kurth. Ndjekja pasoi dhe policia shqiptare përfundimisht arriti të arrestojë dy nga tre të dyshuarit, ndërsa kapiteni i dyshuar si bashkëpunëtor i tyre arriti të shpëtojë në mënyrë misterioze.

Operacionit të policisë shqiptare u kodua me emrin “Quito”, i cili i referohet kryeqytetit të Ekuadorit nga ku filloi udhëtimi i drogës.

Edhe pse hetimet në Shqipëri dhe Greqi nuk janë mbyllur, hetuesit janë të sigurt se pas importeve të kokainës nga Amerika Latine në Europë është mafia shqiptare. Raportet e fundit në shtypin shqiptar, në të vërtetë, shkojnë një hap më tej, duke treguar dy organizata kryesore kriminale me qendër në qytetet Fier dhe Elbasan.

Për rreth dy javë, në njërën nga tre kontenierët të ngarkuar me banane në portet e Pireut dhe Selanikut, oficerët e antidrogës zbuluan kokainë të fshehur në pjesën frigoriferike të kontenierit. Sasia totale e sekuestruar vlerësohet të arrijë në 700 kg.

Gjithsesi është çështje ditësh për përfundimin zyrtar të hetimit. Burimet nga mediat greke njoftojnë se shefat e Shërbimit të Njësive speciale të antidrogës, Rojet Bregdetare, SODO, policia si dhe zyrtarët e Doganave të Pireut do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp të mërkurën e ardhshme 9 tetor.


Etiketa: , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas