Mëngjesin e të mërkurës u njoftua se një zyrtar i lartë amerikan do bënte disa telefonata të rëndësishme në rajon. Mes tyre, ai do fliste edhe me Edi Ramën.
Këshilltari i presidentit Donald Trump, John Bolton do të telefononte liderët kryesorë në Tiranë dhe Prishtinë.
Se për çfarë do të diskutohej, kjo nuk dihet.
Më vonë u tha se telefonata nuk ka shkuar aq mirë në Kosovë. Me shumë gjasë, kryeministri Ramush Haradinaj, që kundërshton shkëmbimin e territoreve, do ketë diskutuar ashpër me Bolton, që nga ana e tij ka deklaruar se SHBA nuk do e kundërshtojë një shkëmbim territoresh mes Serbisë dhe Kosovës.
Ky zhvillim interesant erdhi një ditë pasi media e rëndësishme gjermane, Deutsche Welle njoftonte se kryeministri shqiptar Edi Rama nuk ka pasur asnjë takim zyrtar gjatë vizitës në Berlin.
Më vonë gazeta austriake, Der Standard shkruante se puna e ndarjes së kufijve mes Kosovës dhe Serbisë është thuajse e kryer, pasi për këtë çështje po lobon njeriu kyç i Donald Trump.
Në kohën kur Gjermania është kundër krijimit të një situate të tillë në rajon me ndarje territoresh dhe administrata e Trump duket pro, situata në rajon do të komplikohet. Kjo ka bërë që edhe politikanët të marrin pozicione.