Mapo Letrare

Teleskop me sy njeriu/ Poezi nga Demir Gjergji








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 21:33 - 22/11/20 |
Demir Gjergji

Teleskop me sy njeriu



 


Një pikë det
Nga syri bie,
Mbyten yje e anije.




2020



 


DASHNORI I LIRISË

 

-Parodi-

 

Luftës së egër, mespërmes krismash,

Me tri plagë, imazhe trëndafilash,

(Në këmbë, në brak e në sisë),

Si në ëndërr u nis,

Dashnor i lirisë.

 

Liria me luftën

Në jerm u puthën…

 

Dhe shtrati u shtrua…

Dhe jermi u shua!

 

Liria u zgjua,

E plogët si çdo grua.

 

Burri faqemjekër,

Me armën e vjetër

(Dhe plagët në zemër),

Gjurmon liri tjetër…

 

MALI

-Për Martin Camajn-

 

Të fshehtat që kush s’ia pa,

E kujt s’ia tha,

Pikë-pikë përvidhen thellësive të tij.

Pikojnë psherëtima,

Gurgullojnë mirazhe,

Oshtijnë ofshama.

Lumi i çon të gjitha në det,

E deti i ngre në qiell tallaze.

Dëgjojeni shpirtin e tij te ky lumë

Dhe mos guxoni të dini më shumë!

 

B a l a d ë

 

FSHIHU, DASHURI!

 

-Brenda lotëve të mia të të shoh të pasqyruar…-

-Lazgush-

 

(Fund në fillim)

 

Derdhet drita e djeg dënesat,

Lehtë mbi dhé dremisin hijet.

Shkunden kurmit tim ndërresat,

E trembur mjegulla lë brigjet.

 

(Midis)

 

Ah, balli i bardhë pa floririn,

Si qiell i natës lënë pa hënë…

Orgjive vellon po ma grisin.

Tutorët shtigjet m’i kanë zënë.

 

Verbohet egër syri i Zotit,

Te limfa, gjaku e qeliza.

Në sytë e qelqtë të robotit,

Sfilon krejt nudo Monaliza.

 

Mikroskopë e semaforë,

Kamera me sy gjeniu,

Teleskopë e projektorë;

Vështrojnë me kokërdhokë njeriu!

 

Qëllon artileri e syve

Me etje, epsh e me kureshtje,

Në ujëra, trupa, thellë në pyje,

Misteret japin shpirt në heshtje.

 

Sy që sytë m’i grabitën;

Ma plasën shpirtin tej në baltë,

Në treg të bursës lirë ma shitën,

Floririn tënd , o nënë në ballë!

 

Ata po ma përdhosin puthjen,

Ata po ma përçmojnë lutjen,

Ata po ma përqeshin skuqjen,

Ata po ma afrojnë zhdukjen!

 

Ku je, o baladë Doruntine?

Ç’u bëtë, o hije të pyllit?

Kërkoj ndonjë shenjë enigme,

Te drita e largët e yllit.

 

Ah, Princ i Kaltër, ku më mbete?!

Me ç’drogë më mpihesh në smog?

Malli vë kujën me vete.

Loto në 3D, o laptop!

 

(Finale)

 

Nga dritë e yllit, fshehtësi,

Më vjen një zë e nis më flet:

“Do bëhem mollë, më mbaj në gji,

Në udhë që s’kthehen më në jetë”.

 

Fshehtësi, më merr së thelli,

Në mars të çel si vjollcë e njomë,

Të jem një yll i këtij qielli,

Të shfaqem vetëm si aromë.

 

E thellë në trup ta mbjell një dhembje,

Të më bëjë të ndjehem nënë,

Ta tund me një ninullë në mbrëmje,

Mëngjeseve me gji ta mënd.

 

(Fillim në fund)

 

Bie muzg i butë mbi shpresë,

Qielli shkund mbi dhé enigma,

Bar e bimë bulëzojnë vesë,

Mjegujsh fshihet zanafilla.

 

 

BËJE, ZOT, ËNDËRR!

 

Pllakave morsi i takave,

Troket metrikës së hapave,

Më shkul nga shtrojat përgjumësh,

Më ndjell të të ndjek pas gjurmësh.

 

Aromë në ajër ti fryn,

Së thelli në mua merr frymë…

Mëkati i natës në shtrat,

Orët i zgjat e i zgjat.

 

Ç’të shohë dritë e pasqyrës;

Sytë a djallëzitë e fytyrës?

Fryma qelqin e vesh,

Ankthi agun mban vesh.

 

Mëngjesi flatron errësirës,

Mesnata mrizon mesditës.

Mesditë e mesnatë tinëzisht,

Nga pas na kallzojnë me gisht.

 

…S’dikur u shtrimë të flinim:

Vjosa në një shtrat me Drinin

…Çka ndodhi me ne atëbotë,

Ndërroje me ëndërr, o Zot!

 

NJË GOTË NATË

 

Nga terri dal e nga misteri.

Me borë e mjegull veshur trashë.

Në trill të prapë aventurieri,

Hajnisht në portë të trokas.

 

Me frikë në frymë, furtunë në gjoks,

Si hije hëne hyj në dhomë,

Ku ti më pret si një Xhokondë

E sapozbritur prej tablosë.

 

Bujtina plot me perla brenda.

Në trup të qesh ty çdo qelizë,

Te gota plot mezi pret vera,

Në gjakun tonë të lëvizë.

 

Me afsh më zhvesh nga borë e mjegull,

Me buzë të qëroj si mollë,

Një yll çapkën çukit në tjegull,

Na sheh e çel në qiell manjolë.

 

Gjëmime, zjarre e stuhi

Tani kanë frymën tonë gjenezë…

Dhe tmerri se mos vjen Ai,

Më keq na çmend, më fort na ndez.

 

Në faqe, gushë, brak e gjinj,

Nga puthjet çelin trëndafila.

Me gishta loz mbi tastet brinjë,

Në kurmin tënd kumbon muzika.

 

Në fund, në dhomë, çdo gjë shkrumb!

Përzishëm dita sytë i hap…

Të mbramen gllënjkë vere shkund,

Me shpresë se gota mbushet prapë.

 

NËN HARQET E LARTË

 

Portikët e lashtë, bedenat si dhëmbë,

Veshur me myshkun e motit të ri

Si ti, e atëhershmja ime, si ti,

S’diku, me hiret nën petkun e zi.

 

Gurët që kishe atë mbrëmje nën këmbë,

Ndriçojnë ende kalldrëmit nën hënë,

Si fijet e thinjura supeve rënë,

S’diku nën mjegull qytetesh të rëndë.

 

Siç ishin janë muret, fjalët në këngë,

Pishtarët s’i fiku as kohë, as gjëmë,

As shkulja jote prej meje me rrënjë

Dhe hyrja papritur në tjetër gojëdhënë.

 

Harqe të bardhë, porta në gri,

Dal prej tyre mbi kalë dori.

Si ti, e atëhershmja ime, si ti

S’diku, me hiret nën velin e zi.

 

Petrelë, 5 prill, ‘20…

 

VALS ME VIOLË

 

Hapësira mes kordave,

Hapësira mes kodrave,

Hapësira mes notave,

Dhe mes epokave.

 

Hapësira mes resh,

Hapësira mes nesh…

 

Ajo do të jetë,

Kur ti të mos jesh…

 

 

ÇELËSI I HUMBUR

 

Zgjohemi e çohemi fëmijë axhami,

Në trupa qumështorë dalim e dukemi,

Përndjekur nga drita, që sheh me lakmi,

Në sy të sho-shoqit strukemi e puthemi.

 

Ndërsa pas derës së mbyllur nga brenda,

Në shtrat e sirtarë, në raft a në mur,

Kalben kostumet, parfumet dhe mendja,

Dhe flakët e gjakut të ndezur dikur.

 

Baresim në udhë që kurrë s’i shkelëm,

Prekemi e ndjehemi si shekuj më parë…

Me sytë nga qielli pyesim të dielën,

Çelësin e humbur mos vallë e ka parë…

 

 

1


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas