Arkiva

Tenderët sekret/ Aranita Brahaj: Shkelje ligji, mungesë transparence








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:31 - 30/05/20 |
mapo.al

Në një intervistë për MAPO, Drejtoresha Ekzekutive e OpenData Albania, shprehet se tenderat e zhvilluar për blerjen e pajisjeve për përballimin e pandemisë, janë në kushtet e mungesës së transparencës dhe shkeljes së ligjit e kushtetutës.


Sipas saj, Ligji për Prokurimet publike, e saktëson mjaft qartë se si procedohet me blerjen në kushtet e fatkeqësisë natyrore dhe ishte krejt pa vend miratimi i një VKM-je qeveritare e cila anashkalon Agjencinë e Prokurimit Publik.


Nga ana tjetër, Brahaj shprehet skeptike dhe në lidhje me atë çfarë pritet nga Struktura e Posaçme Antikorrupsion dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Ajo thotë se në rastin e tenderavevendimmarrja është kolegjiale dhe jo individuale, dhe si e tillë e vështirëson punën e prokurorisë. Ekziston mundësia që çështja të mbyllet. Për më shumë që edhe SPAK nuk ka dhënë informacione të qarta se cilat kontrata po heton.



Çfarë janë tenderat sekretë? Nga përvoja juaj e gjatë, a keni ndeshur procedura të ngjashme me këto të Ministrisë së Shëndetësisë?
Atëherë në lidhje me pyetjen, janë Kontrata Sekrete. Parashikohen nga Neni 6 i Ligjit për Prokurimet Publike. Me VKM 203 të muajit shkurt, 2020, Qeveria Rama vendos të rregullojë procedura të kontratave për interesa thelbësorë të shtetit dhe më 22 mars me një VKM tjetër, 243, vendos që blerjet shëndetësore për Covid 19 të jenë “Kontrata për Interesa Thelbësorë të Shtetit” në kontekstin e Nenit 6, Kontrata Sekrete.


-A mendoni se abuzimi me tenderat sekretë është më i madh se me tenderat e zakonshëm?


Problemi me kontratat sekrete në emergjencë të COVID19, qëndron te fakti se në situatën në fjalë, qeveria duhet të bënte të kundërtën e asaj që ka bërë. Në situatën e COVID-19 prokurimet shëndetësore u karakterizuan nga, 1-nevoja emergjente dhe 2-mundësi të limituara për të siguruar mallra. Kjo mundësi e limituar erdhi si pasojë e faktit që të gjithë filluan të blejnë, u rrit nevoja për një grup dhe sasi të caktuar mallrash, disa vende ndaluan eksportet dhe regjimet doganore u vështirësuan. Në këtë kontekst, qeveria duhet të krijonte mundësi për njoftime më të hapura dhe gjurmime më inteligjente edhe jashtë vendit për të garantuar furnizim (kryesorja) dhe për të garantuar edhe vlerë ekonomike më të mirë por në proporcion edhe me vështirësitë e krijuara. Qeveria jonë bëri të kundërtën. Thirri operatorin e mëparshëm dhe vijoi përpjekjet për blerje. Kjo sjell mungesë transparence, mungesë konkurrueshmërie, pamundësi të operatorëve të duhur për pjesëmarrje, dhe mbi të gjitha, dyshoj që qeveria të ketë siguruar në kohën e duhur, aq mallra sa po kërkonte dhe me vlerë ekonomike reale. Aplikimi i kontraktimit sekret, bëri që qeveria të humbasë edhe besimin publik që po punon për të garantuar më të mirën në një rast rreziku. Procedura të tilla të mbyllura dhe të klasifikuara mund të përdoren në blerje ushtarake apo blerje të institucioneve të sigurisë kombëtare. Blerjet mjekësore për COVID-19, nuk kanë pse aplikohen si blerje “Për interesa thelbësorë të shtetit” në kontekstin e klasifikimit të informacionit. Legjislacioni ynë për Prokurimet Publike i njeh shumë mirë situatat e emergjencave dhe i ka të rregulluara me ligj (pra jo me VKM që janë vendimmarrje thellësisht politike) procedurat e shpejta dhe të menjëhershme në këto kushte. Qeveria, në këtë mënyrë, ka anashkaluar Ligjin dhe institucionin e Agjencisë së Prokurimeve Publike. Ne kemi një listë me 15 tituj kontratash blerje për situatën COVID-19, që nuk dimë as sasinë e mallit, përshkrimin dhe karakteristikat, mënyrën dhe afatet e furnizimit apo vlerën e blerjes. De-juro dhe de-facto këto kontrata qëndrojnë sekret.

 -A besoni se do të ketë hetim, zbardhje dhe përgjegjësi të autorëve në këtë rast? 

Sa i takon hetimit, ajo që ka bërë qeveria është se ka vendosur vetë procedurën dhe ka miratuar po vetë kontratat. Këtu, hetimi penal bëhet më i vështirë pasi kemi vendimmarrje politike. Duke qenë që vendimmarrja politike është kolegjiale dhe jo individuale, Prokuroria e ka shumë të vështirë të bëjë hetimin dhe zbardhjen e përgjegjësisë penale. Parë në këtë këndvështrim, na duhet të themi se ky hetim i kontratave sekrete është një sfidë dhe moment prove për SPAK.

Mund të bëhet hetim dhe të mbyllet, duke legjitimuar veprimet e qeverisë. Për momentin, nuk kemi asgjë të qartë, cilën kontratë po heton SPAK. Personalisht nuk pres shumë nga kjo strukturë, pasi janë të njëjtët prokurorë që kanë vegjetuar më parë nëpër prokurori të ndryshme dhe jemi në një situatë politike që ka instrumentalizuar shumë sektorë, mes tyre edhe të promovuarit e rinj në drejtësi.



Pas