Kompania e ish-kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku, i shkarkuar nga detyra për shkak se fshehu dënimin në Greqi dhe i shpallur në kërkim policor, ka fituar një tender 5 milion lekë për mirëmbajtjen e luleve dhe hapësirave të gjelbërta në territorin e QSUT.
Kompania “Kajmaku sh.p.k”, siç pasqyrohet edhe në ekstraktin e QKB-së, me nipt “K83725201G”, është në emër të bashkëshortes së tij, Merita Kajmaku. Nga ana tjetër, vetë Agim Kajmaku vijon të jetë në kërkim nga policia pasi falsifikoi formularin e vetëdeklarimit, duke fshehur një dënim nga drejtësia greke për falsifikim kartëmonedhash.
Pas publikimit në media të buletinit të fundit të Agjencisë së Prokurorimeve Publike, ku edhe u zbulua tenderi për kompaninë e Kajmakut, ka reaguar Partia Demokratike përmes Sekretarit të Përgjithshëm, Gazment Bardhi. Numri dy i PD kërkoi anulimin e tenderit, duke shtuar se një i arratisur nuk mund të marrë paratë e shqiptarëve, por vendi i tij është në burg.
“Duke i dhënë miliona lekë një personi në arrati, që ai e emëroi kryebashkiak të Vorës dhe nuk guxoi ta shkarkonte, Edi Rama dëshmon, në mënyrë të përsëritur, se e vetmja gjë që di të bëjë është të palçkisë paratë e shqiptarëve me ca kriminelë, oligarkë dhe të korruptuar. Ky tender kriminal duhet anulluar! Paratë e shqiptarëve nuk mund t’i marrë një i arratisur që e ka vendin në burg”, shprehet Gazment Bardhi.
Postimi
Agim Kajmaku është rasti më flagrant i plaçkitjes së buxhetit nën mbrojtjen e Edi Ramës.
Faktet janë të pakundërshtueshme:
1. PD publikoi në Gusht 2019 dokumenta se Agim Kajmaku i Vorës rezulton i dënuar në Greqi, por Edi Rama e mbrojti.
2. Denoncimi i Partisë Demokratike u faktua i vërtetë, por Edi Rama nuk e shkarkoi.
3. Drejtësia kërkoi arrestimin, por Agim Kajmaku u lajmërua më parë dhe u lejua të arratiset.
4. Agim Kajmaku u arratis në nëntor2019, por Edi Rama i dha në janar 2020 tender 57 milionë lekë.
Duke i dhënë miliona lekë një personi në arrati, që ai e emëroi kryebashkiak të Vorës dhe nuk guxoi ta shkarkonte, Edi Rama dëshmon, në mënyrë të përsëritur, se e vetmja gjë që di të bëjë është të palçkisë paratë e shqiptarëve me ca kriminelë, oligarkë dhe të korruptuar.
Ky tender kriminal duhet anulluar! Paratë e shqiptarëve nuk mund t’i marrë një i arratisur që e ka vendin në burg!
LEXO EDHE:
Agim Kajmaku në arrati, por merr tendera nga Ministria e Brendshme