Aktualitet

Tension në Veri, serbët provokojnë sërish














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:57 - 27/09/21 |
mapo.al

Prej një jave vijon të ketë situatë të acaruar në Veri të Kosovës, ku trupa serbe janë dislokuar në kufi. Edhe dje, avionë ushtarakë kanë manifestuar forcë pranë zonës. Kjo gjendje ka alarmuar diplomacinë europiane dhe NATO-n, që kërkojnë qetësim urgjent dhe përmbajtje të palëve. Vihet në dyshim takimi i radhës në Bruksel mes Kurtit dhe Vuçiç. Sot Edi Rama viziton Prishtinën






Tensioni vijon të ngelet i lartë në Veri të Kosovës, ku pas vendimit të qeverisë për reciprocitetin e targave, kanë ndodhur akte dhunë nga ana e serbëve, dhe për këtë arsye, forcat speciale janë dislokuar atje. Dy pikat kufitare vijojnë të ngelen të bllokuara.


Beogradi që nuk e njeh Kosovën ende si shtet, ka dërguar në kufi shumë trupa ushtarakë, dhe ka kryer patrullime me avionë luftarakë. Kjo gjendje, ka vënë në lëvizje zyrat më të rëndësishme të BE-së dhe NATO-s. Ndërkohë, sot Edi Rama, që ka promovuar marrëdhënie të mira me Serbinë, viziton Prishtinën.







Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, u bëri thirrje Serbisë dhe Kosovës që të ulin tensionet në terren duke tërhequr menjëherë njësitë e posaçme të policisë dhe hequr barrikadat, ndërsa paralajmëroi një takim në Bruksel të negociatorëve të të dyja palëve, në ditët në vijim.




Zoti Borrell tha dje nëpërmjet një komunikate se janë të papranueshme provokimet e mëtejme dhe veprimet që nuk janë të bashkërenduara dhe se udhëheqësit e të dyja palëve janë përgjegjës për çdo mundësi të rrezikimit të sigurisë dhe mirëqenies së komuniteteve në të dyja vendet.



Ai ritheksoi se bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Europian janë e vetmja platformë për zgjidhjen e çështjeve të hapura.

“Ardhja e shefave të grupeve negociatore në Bruksel ditët në vijim është një hap i parë pozitiv. Është thelbësore që ata të vijnë me një mandat për të diskutuar rrugën përpara dhe për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme që janë në interes të qytetarëve”, theksoi zoti Borrell, duke nënvizuar se pret që Kosova dhe Serbia të krijojnë një mjedis të favorshëm për pajtim dhe qëndrueshmëri rajonale, që është thelbësore për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.

Grupe qytetarësh serb për të shtatën ditë me radhë po mbajnë të bllokuara rrugët për në vendkalimet kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Jarinjë dhe Bërnjak, në veriun e banuar me shumicë serbe, në shenjë proteste ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për të zbatuar masën e reciprocitetit me Serbinë për targat e makinave.

Autoritetet e Kosovës janë shprehur të gatshëm që të heqin masën e reciprocitetit në rast se edhe Serbia zotohet të bëj të njëjtën gjë për makinat me targa të Kosovës që udhëtojnë nëpër Serbi.
Por, zyrtarët në Beograd, që kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës të shpallur në vitin 2008, kanë hedhur poshtë një gjë të tillë duke kërkuar që njësitë e posaçme të policisë së Kosovës të largohen nga veriu dhe autoritetet në Prishtinë të heqin masën e vendosur më 20 shtator. Serbia ka hedhur poshtë mundësinë e vazhdimit të bisedime në Bruksel pa u përmbushur këto kushte, ndërsa ka ngritur gatishmërinë luftarake të trupave të saj në afërsi të kufirit me Kosovën.

Të shtunën autoritetet në Kosovë thanë se është djegur Qendra e Regjistrimit të Automjeteve në ndërtesën e e komunës së Zubin Potokut, ndërsa në një tjetër qendër të tillë në komunën e Zveçanit janë hedhur bomba, që nuk kanë shpërthyer.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se individë ose grupe të cilave sundimi i ligjit dhe rendi e siguria publike ua rrezikon aktivitetin kriminal po e sulmojnë shtetin e Kosovës dhe po e cenojnë paqen. Ai diskutoi këto çështje një natë më parë në Këshillin e Sigurisë së Kosovës dhe të dielën edhe me opozitën.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha të dielës se ka biseduar me presidentin e Serbisë dhe kryeministrin e Kosovës për “nevojën e uljes së tensioneve në veriun e Kosovës. Është thelbësore që Beogradi dhe Prishtina të përmbahen dhe t’u kthehen bisedimeve”, shkroi ai në rrjetet sociale, duke theksuar se mandati i KFOR-it është siguria dhe lëvizja e lirë për të gjithë.
Mijëra trupa të udhëhequra nga NATO-ja kujdesen për paqen dhe sigurinë në Kosovë.

Thirrjeve për përmbajtje ju bashkua edhe ambasadori gjerman në Prishtinë Jorn Rohde, i cili në një postim në rrjetet sociale tha se situata në veri duhet të qetësohet, ndërsa u bëri thirrja palëve që të flasin, siç tha, me njëra-tjetrën, në vend se të flasin për njëra-tjetrën.

MPJ: Dënojmë dhunën dhe provokimet serbe
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë është shumë e shqetësuar për përshkallëzimin e situatës në veri të Republikës së Kosovës dhe dënon fuqimisht aktet vandale të kryera sot, ku disa individë i vunë zjarrin zyrave të regjistrimit të mjeteve në Zubin Potok dhe dëmtuan një zyrë të ngjashme në Zveçan. Asgjë nuk e justifikon përdorimin e dhunës, dëmtimin e pronës publike dhe mungesën e respektit ndaj ligjit. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme bën thirrje që këta vandalë të sillen para drejtësisë.

Shqipëria është veçanërisht e shqetësuar për dërgimin e forcave të armatosura serbe pranë kufirit me Kosovën dhe mjetet fluturuese ushtarake të cilët fluturojnë afër dhe sipër hapësirës ajrore të Kosovës, të cilat nxisin individët të provokojnë trazira dhe dhunë, si dhe synojnë destabilizimin e Kosovës. Këto akte bien ndesh me marrëveshjet ndërkombëtare, të cilat kanë për synim të sigurojnë rendin dhe stabilitetin në atë pjesë të rajonit.

Ne i bëjmë thirrje Serbisë të tërheqë forcat e armatosura të dërguara pranë kufirit me Kosovën dhe të punojë për shtensionim të menjëhershëm të situatës. Ne i nxisim të gjithë aktorët të tregohen të përmbajtur dhe të drejtohen menjëherë drejt dialogut, si e vetmja mënyrë për të ecur përpara dhe për të zgjidhur çështjet e mbetura pezull me frymën e bashkëpunimit, ndaj të cilave Shqipëria është angazhuar në mënyrë të pakthyeshme, në përpjekjet e saj dypalëshe dhe shumëpalëshe.

Si një aleat i NATO-s dhe një anëtar i përgjegjshëm i Kombeve të Bashkuara, Shqipëria do të bëjë gjithçka që është e nevojshme për të mbështetur të gjitha përpjekjet drejt shtensionimit të menjëhershëm të situatës dhe kthimit drejt dialogut.

Basha: Aktet kriminale, të frymëzuara nga Beogradi
Po ndjek me shqetësim situatën e krijuar në veri të Kosovës, pas vendimit të drejtë dhe legjitim të qeverisë për vendosjen e reciprocitetit.

Aktet kriminale të ndodhura në 24 orët e fundit të frymëzuara nga Beogradi zyrtar, synojnë destabilizimin e Kosovës dhe krejt rajonit për interesat politikë të Aleksandër Vuçiç.

Shpreh mbështetjen e plotë dhe të fuqishme për qeverinë e Kosovës, institucionet e saj dhe të gjithë faktorin politik të angazhuar në përballimin e kësaj situate.

Detyra e Shqipërisë, edhe si vend anëtar i NATO-s, nuk është të heshtë por të përdorë të gjithë mekanizmat e saj diplomatikë për të ndihmuar në zgjidhjen e kësaj situate. Nuk mund të tolerohen tanket dhe avionët ushtarakë që mësyjnë kufijtë e Kosovës, duke kërcënuar paqen dhe sigurinë e të gjithë rajonit.

22


Etiketa: ,

Pas