Sot opozita ka thirrur protestën e radhës para Kuvendit. Ndërkohë dje deputetët opozitarë kanë zyrtarizuar edhe dorëzimin e mandateve. Kryetari i parlamentit Gramoz Ruçi, njoftoi anulimin e seancës plenare të Kuvendit. Policia njoftoi se synohet hyrja me forcë në sallën e parlamentit, i cili në mbrëmje u rrethua me tela me gjemba. Ndërkombëtarët, apel kundër dhunës.
Acarimi politik i javës së fundit pritet të ketë sot zhvillime të reja, gjatë protestës që opozita ka thirrur, pasi ekzekutoi edhe vendimin për djegien e mandateve të deputetit. Situata e tensionuar është shoqëruar edhe me paralajmërime se mund të ketë dhunë. Policia ka bërë një njoftim të tillë duke thënë se ka të dhëna se do të ketë përpjekje për të hyrë në sallën plenare. Edhe ndërkombëtarët nuk kanë përjashtuar rastet e mundshme të dhunës dhe apeluan për të qëndruar larg turmave. Nga Gjermania ku gjendet për një vizitë Presidenti Meta u shpreh se çdo veprim ekstrem nuk i shërben jo vetëm demokracisë, por as forcimit të institucioneve dhe njëkohësisht tha se është kundër djegies së mandateve nga deputetët e opozitës. Kreu i Kuvendit Ruçi, njoftoi vendimin për anulimin e seancës plenare të Kuvendit.
Ruçi: Opozita të reflektojë
“Është detyra jonë t’i krijojmë opozitës hapësira kohore reflektimi dhe mundësi rikthimi në rrugën e arsyes. Në këto kushte, duke pasur parasysh apelin e partnerëve tanë strategjikë, duke pasur parasysh informacionet e organeve ligjzbatuese dhe të inteligjencës, duke ndjekur qëllimin më të lartë të ruajtjes së integritetit të Kuvendit të Shqipërisë, të deputetëve dhe të sallës së Kuvendit, ftoj kolegët deputetë, anëtarë të të gjithë grupeve parlamentare, të mirëkuptojnë vendimin tim për të mos zhvilluar seancën plenare të ditës së enjte, datë 21 shkurt”, deklaroi sot pasdite kryetari i parlamentit. Ruçi paralajmëroi se djegia e mandateve do të dëmtojë pikë së pari, vetë opozitën. “Është një lloj kamikazllëku politik që hedh në erë të zotët e punës, por dëmton padyshim rëndë të tërë mjedisin tonë”, deklaroi Ruçi.
Opozita djeg mandatet
“Kam nderin dhe privilegjin t’ju bëj të ditur vendimin unanim të Këshillit Kombëtar për djegien e mandateve parlamentare me efekt të menjëhershëm”. Kështu deklaroi kreu i PD Basha, ndërkohë që oborri i selisë blu kishte marrë përmasat e një mitingu në pritje të atij vendimi. “Ne e hedhim këtë hap pasi kemi shteruar çdo mundësi tjetër”, -tha Basha, duke bërë thirrje për pjesëmarrje në protestën e sotme. “Askush mos të mungojë, zonja dhe zotërinj, qytetare e qytetarë, demokratë dhe socialistë të tradhtuar nga rilindja kriminale, në protestën e nesërme në orën 10:00 para Kuvendit të Shqipërisë, i cili një orë e më parë do t’i kthehet Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe jo krimit e korrupsionit”, deklaroi Basha. Demokratët nisën më pas firmosjen e dokumentit, ku deklaronin se jepnin dorëheqjen e parevokueshme nga mandati i deputetit. I pari që firmosi ishte Sali Berisha. Të njëjtin akt ndërmorën edhe kolegët e tyre të LSI-së, dhe e para që ka firmosur letrën e dorëheqjes si deputete ka qenë kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi. Ndërkohë dje në zyrën e Bashës shkuan për të përcjellë mesazhet e tyre ambasadori i Delegacionit Europian në Tiranë, Luigi Soreca dhe ambasadorja gjermane Shultz.
Parapërgatitjet e policisë
Policia përmes një deklarate u shpreh se “ka të dhëna për nxitje të dhunës dhe organizime me natyrë kriminale. Synohet hyrja me forcë në sallën e Parlamentit, duke ushtruar dhunë mbi personelin që ka detyrimin ligjor të sigurojë mbrojtjen e institucionit themelor të demokracisë”. Policia theksoi gjithashtu se “forcat e rendit dhe sigurisë janë të gatshme t’i përgjigjen me forcën e ligjit dhe në proporcionalitet të plotë, çdo veprimi të paligjshëm apo akti dhune”. Ndër masat paraprake të Policisë dhe Gardës për të përballuar protestën para Kuvendit është edhe vendosja e telit me gjemba para ndërtesës. Teli me gjemba, i cili do të përdoret edhe si një barrikadë nëse do të ketë tentativa të protestuesve për të thyer kordonin policor.