Vetëm dy ditë pas takimit me grupin parlamentar, Rama ka zhvilluar një takim këtë herë me kryebashkiakët, ku u ka kujtuar përgjegjësinë që do të mbajnë sëbashku me drejtuesit politikë për rezultate të dobëta në zgjedhjet e ardhshme.
Rama e ka pohuar edhe më parë se ka humbje në elektorat, por sërish pretendon 800 mijë vota. Nga një vëzhgim i Gazetës MAPO, rezulton se Rama këtë numër votash nuk e ka marrë as në vitin më të mirë të tij.
Nga Elbasani ku dy ditë më parë mblodhi grupin parlamentar, Edi Rama ka mbledhur krerët e bashkive, të cilëve u ka kërkuar të dalin në fushatë me qëllim sigurimin e mandatit të tretë. Burime nga mbledhja shprehen se për 60 minuta Rama është fokusuar tek rezultati, ku nuk ka hezituar dhe ti kërcënojë të zgjedhurit e tij, se në rast humbjeje ata bashkë me drejtuesin politik të Qarkut “nuk do jenë më pjesë e së njëjtës skuadër”.
Rama ka kërkuar 800 mijë vota që përkthehen në rreth 74 apo 75 mandate, aq sa mori në vitin 2017. Menjëherë pas këtij takimi që ka zgjatur rreth 60 minuta, Rama është drejtuar për në Tiranë ku ka mbledhur në selinë e PS-së, sërish grupin parlamentar socialist, për ti ripërsëritur urdhrin e dhënë dy ditë më pare, që ishte ai i fitores të një mandati të tretë.
Porositë
Porosi të tjera që Rama u ka dhënë kryebashkiakëve të tij, kanë qënë shpërndarja e propagandës qeveritare nga ana e stafeve të bashkisë, sidomos në rrjetet sociale. Pra, promovimi i arritjeve dhe gjithçkaje tjetër të madhe që Kryeministri e servir pa rreshtur në faqen e tij personale në Facebook. Porosi tjetër ndaj bashkiakëve ka qenë dhe ulja e kontrollove nga ana e inspektoriateve të bizneseve që janë prekur nga pandemia, duke kërkuar që të “mos i bezdisin” pasi kjo do të shkaktonte pakënaqësi.
Në fakt sipas raporteve nga pandemia janë prekur rreth 80% e bizneseve. Një tjetër pikë ku do të bazohet strategjia, është dhe ajo e punësimeve në shtet dhe privat. Përsa i përket emërimit të drejtorëve nëpër bashkitë e vendit, Rama ka lënë porosi që të konsultohen me zëvëndës kryeministrin Erjon Braçe. Duket se kemi të bëjmë me një strategji të përsëritur në kohë. Nga një vëzhgim i para disa ditëve i gazetës Mapo, rezultonte se në tre vite, përkatësisht gjatë fushatave elektorale, qeveria ka punësuar jo pak por rreth 21 mijë persona, të cilët angazhohen kryesisht për të shpërndarë lajmërimet dhe propagandën qeveritare në Facebook.
Në mbledhjen e grupit parlamentar Edi Rama u ka paraqitur një dokument deputetëve në lidhje me aktivitetin e tyre në Facebook. Në document ishte shënuar data e hyrjes në rrjetin social, nëse ishin aktivë apo pasivë në shpërndarjen e propagandës e kështu me rradhë. Duket se në mungesë të ndonjë alternative tjetër, Kryeministri ka zgjedhur si mjet efiçent rrjetin social, për të bindur votuesit.
Votat
Por nuk dihet se nga do i nxjerrë Edi Rama, votat për të cilat flet. Duke hedhur një sy në sjelljen e zgjedhësve në dy zgjedhjet e fundit parlamentare, Rama në ditën më të mirë të tij nuk ka marrë dot më shumë se 713 mijë vota. Pati një rritje votash në vitin 2017 me rreth 50 mijë vota, por këto mendohen të kenë qënë vota fiktive, të cilat janë marrë nëpërmjet manipulimit dhe blerjes së votave. Në zgjedhjet e vitit 2013 për frontin opozitar numërohen rreth 900 mijë vota, ndërsa në vitin më të keq që ishte ai i 2017-ës, numërohen rreth 800 mijë vota.
Në rast se do kishin dalë të bashkuar, sot koalicioni opozitar do të ishte në pushtet të paktën me 73 mandate. Për të mos folur më pas për zgjedhjet lokale, të cilat do e nxirrnin në opozitë të sigurtë Edi Ramën. Më tej, po të llogarisësh dhe rrjedhjen e votave për shkak të konsumit, atëherë llogaria e asaj çka pretendon Kryeministri është shumë larg. Në këtë linjë duket se janë dhe sondazhet e zhvilluara nga të dyja krahët e politikës.
Në një kohë kur opozita pretendon fitore të sigurtë, deklarata këto të bëra nga eksponentë të saj, Bardhi, Tabaku etj, vetë Rama në një takim të zhvilluar në Vlorë para disa kohësh gjatë një debati me kryebashkiakun Dritan Leli, siç raportojnë mediat, është ankuar se në Vlorë, që mbahet bastion i PS-së, sondazhet nuk e nxjerrin më shumë se 30%. Në rast se kjo është e vërtetë atëherë kuptohen qartësisht dhe lëvizjet që Kryeministri ka bërë duke marrë kosto të mëdha në kurriz të Integrimit Europian të Shqipërisë.
E para janë ndryshimet kushtetuese, të cilat synojnë të godasin koalicionet parazgjedhore dhe e nxjerrin humbës Kryeministrin duke i lënë të vetmen shpresë elektoratin e rreshtit, për të dalë forcë e parë dhe më pas të fillojë ekspansionin e blerjes së deputetëve. E dyta, mosngritja e Gjykatës Kushtetuese dhe zvarritja deri pas zgjedhjeve.
Kjo e fundit ka në dorë një ankimim të Shoqatës së bashkive për zgjedhjet e vitit 2019 dhe pakushtetueshmërinë e tyre. Një vendim në favor të shoqatës do bënte që shumë bashki që i fitoi pa kandidatë, ti humbasë në rast se zhvillohen dy palë zgjedhje njëkohësisht.