Kryesore

Tensionohet situata, “opozita futet” në burg





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:42 - 08/05/19 |
mapo.al

Policia arreston ish-deputetin demokrat Klevis Balliu për akuzën e kundërshtimit të punonjësve të policisë. Banorët e Unazës së Re bllokuan rrugën për të mos lejuar eskortën kryeministrore që të kalonte. Balliu u shoqërua me forcë në komisariat bashkë me pesë protestues të tjerë, ndërsa pasdite për të u pre fletë-arresti. Reagon Basha: “Burgosje politike, Rama i ka ditët e numëruara”.


Dialogu dhe zgjidhja e ngërçit të madh politik duket gjithnjë e më e largët mes erës së protestës dhe “erës së rëndë” të qelive, të destinuara për deputetët e opozitës, me mandat të djegur. Në një rast të paprecedent, dje u arrestua ish-deputeti i PD-së Klevis Balliu, për akuzën; kundërshtim me dhunë ndaj punonjësve të policisë, prishje e qetësisë publike dhe pengim të qarkullimit të mjeteve të transportit. Arrestimi i Balliut erdhi pasi bashkë me banorët e Unazës së Re dolën në rrugë për të penguar lëvizjen e eskortës kryeministrore, i cili vizitoi pranë zonës së “Astirit” një biznes privat. Bashkë me numrin e vogël të protestuesve të parë u bashkuan qindra banorë të tjerë që nga prania e madhe policore, e instaluar për “sigurinë kryeministrore”, dyshuan se ky moment mund të përdorej edhe për prishjen e banesave të tyre. Policia pretendon se nga përplasjet me protestuesit kanë mbetur katër efektivë të lënduar. Kryedemokrati Lulzim Basha e konsideroi burgosje politike dhe nga Shkodra lëshoi mesazh të fortë kundrejt kryeministrit Edi Rama, duke e paralajmëruar se shumë shpejt vetë kryeministri do e ketë vendin në qeli. Me arrestimin e djeshëm të ish-deputetit demokrat situata është ndezur edhe më shumë, por duket se disa masa “represive”, nuk kanë penguar qytetarët që të shuajnë frymën e revoltës. Po dje në mesditë artistët dhe shumë qytetarë kanë protestuar para Teatrit Kombëtar, duke rivendosur në shenjë simbolike edhe shkronjat që ishin hequr nga godina e teatrit, një objekt i piketuar nga pushteti lokal dhe qendror për t’u shkatërruar.



Revolta në Unazën e Re


Dita e djeshme ka qenë një protestë e paparashikuar për sa i përket orës, pasi prej gjashtë muajsh banorët e unazës së re kanë preferuar çdo pasdite për të dalë në rrugë me parulla dhe pankarta në mbrojtje të banesave të tyre. Me shpejtësi është përhapur lajmi se kryeministri Edi Rama do kalonte në ato momente pranë Unazës së Re dhe u tentua që të bllokohej rruga. Bashkë me protestuesit ishte edhe ish-deputeti demokrat Klevis Balliu. Përplasjet dhe incidentet ishin të shumta, duke krijuar kaos për të paktën 40 minuta dhe bllokim të përkohshëm të rrugës. Gjithashtu shumë efektivë, kryesisht Forcat Speciale kanë qenë të pranishëm me armë të gjata, në kundërshtim të protokolleve dhe rregullores policore, pasi në përballje me turmën nuk lejohet mbajtja e armëve. Banorët u shprehen se ka disa të plagosur, ndërsa dy gra humbën ndjenjat pasi sipas tyre mbi turmën u hodh spraj me gaz lotsjellës. Pas disa minutash tension me sulme të ndërsjella dhe incidente, policia shoqëroi forcërisht në ambientet e Komisariatit 6 në Tiranë ish-deputetin dhe pesë protestues të tjerë. Kur pritej që të linin qelinë pasi të merreshin në pyetje, policia dha njoftimin zyrtar se për Balliun dhe një tjetër protestues ishte marrë vendimi i arrestit. Ish-deputeti demokrat do të dalë në gjykatë brenda 48 orëve nga momenti i prerjes së fletë-arrestit për të mësuar mbi masën e sigurisë që do të vendoset për akuzën; kundërshtim me dhunë ndaj punonjësve të policisë, prishje e qetësisë publike dhe pengim të qarkullimit të mjeteve të transportit. Balliu ka qenë një nga ish-deputetët që çdo ditë ka dalë në mbështetje të banorëve, të cilët kanë mbushur gjysmë viti që protestojnë çdo ditë kundër projektit për prishjen e banesave, çka do i hapte rrugë ndërtimit dhe zgjerimit të këtij aksi. Çështja u ndërlikua edhe më shumë kur u zbulua mega afera korruptive, ku kompania e cila merrte përsipër kryerjen e punimeve kishte falsifikuar dokumentet dhe pavarësisht këtij akti të rëndë, u shpall fituese nga Ministria e Infrastrukturës dhe do të përfitonte 18 milionë euro. Për skandalin korruptiv pak po flitet pasi prokuroria është hermetike, madje që nga regjistrimi i dosjes penale nuk ka kryer procedurat e nevojshme për të zbuluar se kush fshihej pas skandalit të madh financiar dhe jo vetëm.

Basha-Ramës: I ke orët e numëruara

Ndërsa kryedemokrati Lulzim Basha gjendej në Shkodër në një takim me anëtarë të rinj të Partisë Demokratike, u informua mbi arrestimin e ish-deputetit Balliau dhe reagoi ashpër duke u shprehur se ata që u arrestuan në Tiranë janë të burgosur politik. “Ata mbajnë në qelitë e burgut të burgosur politik që janë ngritur për të mbrojtur qytetarët nga dhuna policore. Sot (dje) në mesditë, njerëz të veshur me uniformat e Policisë së Shtetit, kanë dhunuar qytetarët. Është dita për t’ia thënë qartë dhe prerë; i ke ditët e numëruara. Kurrë më nuk do të pranojmë që ligji të funksionojë me dy standarde, të godasë të pafajshmit”, theksoi Basha. Ai shtoi se kriminelët nga burgu komunikojnë me qeveritarët, duke nënvizuar se “së shpejti do t’ua sjellim Edi Ramën atje ku jeni ju bashkë me kriminelët e tjerë në pushtet”. Po në këtë takim kryedemokrati e ka konsideruar mbledhjen e Komisionit të Reformës në Drejtësi si farsë dhe nuk do të njihet nga opozita. Ai tha se reforma do të votohet me referendum nga shqiptarët. Basha akuzoi qeverinë se ka shkatërruar biznesin e vogël, ka shkaktuar mjerim e papunësi. “Ju e dini fare mirë bandat e taksidarëve kanë shkatërruar biznesin e vogël, kanë mbyllur qepenat e 30 bizneseve përditë, kanë shkaktuar mjerim dhe papunësi. Duket në xhepat e zbrazur, te fermerët e braktisur, duket te mjerimi i pensionistëve, te dëshpërimi i rinisë që ndodhet para dy alternativave: Të ulë kokën apo të ikë në emigracion. Asnjë prej këtyre alternativave nuk pranohet as nga këta 200 të rinj, as nga demokratët e tjerë. Ne do të qëndrojmë, ne do të përballemi, ne do të fitojmë”, theksoi Basha. dita e sotme pritet që të jetë me të tjera zhvillime pas arrestimit të ish-deputetit Klevis Balliu. Pas tre ditësh do të mbahet protesta e radhës në Tiranë dhe ngjarja e djeshme duket se e ka shtuar edhe më shumë frymën e revoltës.


Etiketa: , , , ,

Pas