fbpx

Dikur

Tentativat e drazhistëve serbë për të luftuar komunistët në Shqipëri





               Publikuar në : 11:08 - 02/08/19 |
Nga Veli Haklaj

-Përpjekjet e çetave drazhiste me xhandarmërinë dhe vullnetarët shqiptarë në Kosovë


Nga Veli Haklaj



VIJON NGA NUMRI I KALUAR


  1. Shkaqet e luftimeve me drazhistat në qarkun e Prishtinës

Në fillimin e vitit 1944, veprime të çetave drazhiste kundër popullsisë shqiptare u evidentuan edhe në qarkun e Prishtinës. Më 29 shkurt 1944, prefekti i Prishtinës Hysen Prishtina, i përcjell Ministrisë së Punëve të Brendshme një shkresë të Prefekturës së Mitrovicës, si dhe një dokument në gjuhën serbisht, që flisnin rreth shkaqeve dhe gjendjes së luftimeve në krahinën e asaj prefekture, që ishin zhvilluar ndërmjet çetnikëve sulmues serbë dhe vullnetarëve shqiptarë, të cilët ishin të detyruar për me mbrojtë kufijtë shqiptarë, si dhe mbi masat me karakter shëndetësor të marruna në atë prefekturë për të plagosurit shqiptarë.

Po më 29 shkurt 1944, prefekti i Prishtinës Hysen Prishtina, i kishte përcjellë Ministrisë së Punëve të Brendshme procesverbalet dhe origjinalet e një shkrese shpjegimi të nënprefekturës së Ferizajt rreth “arrestimit të disa personave me kombësi serbe, anëtarë të rrezikshëm të Partisë Drazhiste në krahinën e Kosovës, me lutjen që t’i shqyrtonin edhe të merrnin masat e rastit kundra tyre në mënyrë që mund t’u pritej definitivisht hovi i veprimtarisë së tyne në dâm të interesave jetike të Atdheut tonë”.

Në përgjigjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme, më 21 mars 1944, theksohet: “Personat që përmenden në shkresën e sipërme të mbahen në burg dhe kundra tyne të merren masat ligjore”.

  1. Përpjekje edhe për të luftuar në Shqipëri

Drejtuesi i çetnikëve serbë, Drazha Mihajloviçi, do të tentonte pa sukses edhe lidhjen e tij me nacionalistin nga Luma, Muharrem Bajraktarin, me qëllim bashkëpunimin kundër komunistëve në Shqipëri dhe Kosovë. Për këtë fakt hedh dritë edhe procesverbali i mbajtur nga nënprefektura e Ferizajt mbi arrestimin e çetnikut Rajko Parliç, që iu përcoll Prefekturës Shtetnore të Prishtinës nga nënprefekti i Ferizajt, Kadri Vasil Borshi, më 18 janar 1944.

Ky procesverbal u mbajt më 11 nëntor 1943, në zyrën e Nënprefekturës së Ferizajt, ku përveç nënprefektit Borshi ishin prezent edhe postëkomandanti i Qendrës Adem Kajtazi dhe sekretari i Nënprefekturës z. Galip Dema.

I arrestuari Rajko Parliç, 40 vjeç, i lindur në Nerodime, i martuar, me pesë fëmijë (vajza), bujk, i pyetur nga autoritetet e mësipërme dha përgjigjet e tij, sipas të cilave rezulton:

Rajko Parliç kishte qenë ushtar i ish – Jugosllavisë dhe mbasi kapitulloi Jugosllavia (prill 1941) kthehet në shtëpi. Deri më 23 janar 1943 merret me punët e tij. Më 23 janar, pasi kishte dalë me marrë dru plagoset nga komunistët dhe shtrohet në shtëpinë private të kushurinit të tij Stojmir Parliç. Mbas tre muajsh, së bashku me Stojmir Parliç, kalojnë kufirin fshehtas për në Serbi dhe jetojnë në katundin Tern të Komunës Dobridoll. Këtu kanë vepruar si ushtarë në trupat e Drazho Mihajloviçit për tre muaj dhe kanë luftuar kundër komunistëve. Mbas tre muajsh, komandanti i tyre, majori Gjuriç, i cili gjithashtu ishte në urdhërat e Drazho Mihajloviçit, u jep urdhër Rajko Parliçit, meqë e dinte gjuhën shqipe, që së bashku me Stojmir Parliçin të shkojnë në Shqipëri dhe aty do të vepronin bashkë me shqiptarët kundra komunistave nën urdhërat e duke pasur lidhje me Muharrem Bajraktarin.

Ata ishin gjashtë vetë: Rajko Parliç, komandanti i tyre toger Stojmir Parliç, toger Petar Terkla, Obrad Perkla, Danilo Perkla e Gjorgje Vojnoviç. Pasi kalojnë kufirin (Serbi – Kosovë), në vendin e quajtur Terpeza, udhëtojnë natën dhe mbërrijnë në Çagllavic të Komunës së Graçanicës, ku, mbasi fjetën një natë, u nisën prapë natën për në Nerodimen e Epërme, në shtëpinë e Vukadin Parliçit, ku, mbasi hanë darkë, dalin në vendin e quajtur Çuka. Ndërkohë, Stojmir Parliçi kishte harruar torbën me municion në shtëpinë e Vukadinit, të cilin, mbasi kishte marrë torbën për t’ua sjellë, gjatë rrugës e kapin policët e Komunës Nerodime. Vukadini tregon se ku gjindeshin drazhistat dhe në atë kohë vihen në ndjekje të tyre policia e komunës dhe vullnetarët. Policia nuk i gjeti dhe kështu nuk u dha rasti për të bërë përpjekje me ta. Një natë flejnë në Potok – Obiçki, ditën e ardhshme flejnë në pyell dhe të tretën ditë Rajko Parliçi me Petar Terklan udhëtojnë për në Prizren malit, për të kaluar në anën e Muharrem Bajraktarit, ku në takimin me të, Rajko Parliç do luante rolin e përkthyesit. Ndërkohë, katër të tjerët (Stojmir Parliç, Danilo Perkla, Obrad Perkla e Gjorgje Vojnoviç) u nisën për në Ferizaj, ku fare lehtë mund të zhvillonin programin e tyre. Stojmir Parliç dhe Gjorgje Vojinoviç arrestohen dhe burgosen.

Rajko Parliçi me Petar Terklan, mbasi udhëtojnë tre ditë në pyell, mbërrijnë në Prizren. Natën e parë flejnë në një han të panjohur, në krahun e djathtë kur hyhet në qytet nga Suhareka. Të nesërmen, Petar Terkla niset për në Kukës me automobil, kurse Rajko Parliç, meqënse ishte i sëmurë, qëndron gjashtë javë në shtëpinë e Vojin Gjorgjeviçit, të cilin e kishte shok dhe ishte sipërmarrës.

Mbas gjashtë javësh, Petar Terkla kthehet nga Kukësi, takohet me Rajkon dhe së bashku, duke udhëtuar fshehtas natën, pas katër ditëve mbërrijnë në Prishtinë. Petar Terkla shkon në shtëpinë e zonjës Vukoviçka, shtëpi që gjendej në hyrjen e qytetit, në rrugën e parë në krahun e majtë, afër pazarit të bagëtive. Kurse Rajko Parliç kthehet për në shtëpinë e tij në Nerodime, ku qëndron i fshehur për një muaj, derisa xhandarmëria shqiptare merr vesh vendndodhjen e tij dhe e arreston. Petar Terkla, kur u kthye nga Kukësi i kishte thënë Rajkos se nuk mundi me u takue me Muharrem Bajraktarin, ngaqë ushtria gjermane ishte në kalim e sipër e nuk pati rast.

Sipas Rajko Parliçit, Petar Terkla ka qenë i caktuar si komandant i ushtrisë në Ferizaj prej Shtabit Madhor Drazhist, kurse Stojmir Parliçi po prej të njëjtit shtab ishte caktue si nënprefekt në Ferizaj dhe (me hamendje) Lubo Kerstiçi si kryetar bashkie. Stojmir Parliçi kishte me pasë lidhje me Bajrush Shtimjen, me Ismail Goranin dhe me nënprefektin, emnin e të cilit nuk e kujtonte Rajko Parliç.

Në përgjigje të kërkesës së datës 29 shkurt 1944 të Prefekturs së Prishtinës, Ministria e Punëve të Brendshme (Tiranë) urdhëroi që shtetasit e mësipërm të mbaheshin në burg dhe kundër tyne të merreshin masat ligjore.

Theksojmë se as në këtë dokument, as në dokumente të tjera të shumta të konsultuar nga autori i këtij punimi, nuk rezulton që Muharrem Bajraktari të ketë bashkëpunuar me forcat e Drazha Mihailoviçit, përkundrazi ka qenë i vendosur për mbrojtjen me çdo kusht të interesave të Shqipërisë Etnike dhe shqiptarëve kudo që jetonin në trojet e tyre.

  1. Veprimet e çetnikëve në trevat shqiptare në Mal të Zi

Organizime të çetnikëve dhe veprime të tyre kundër elementit shqiptar kishte dhe në trevat shqiptare të Malit të Zi.

Sipas informacionit të datës 5 prill 1944, që Komanda e Përgjithshme e Xhandarmërisë i drejton Ministrisë së Punëve të Brendshme, rezulton se më 16 mars 1944 patrulla të Ushtrisë Shqiptare në Petnicë (Rozhajë) kishin takuar në kufi dhjetë çetnikë malazezë dhe një vajzë të cilët, simbas urdhërit të komandantit të vendit, u shoqëruan me gjindarmë e ushtarë për t’ja dorëzuar komandantit të fuqive vullnetare në zonën neutrale të Bihorit, me qëllim që ky t’ja dorëzonte Komandës Gjermane. Mirëpo, në shoqërim e sipër, në vendin Baricë të Petnicës, ata kishin tentuar për t’u arratisur për Mal të Zi. Patrulla kishte qënë e shtrënguar të hapte zjarr kundër tyre, ku kishin mbetur tetë prej tyre të vrarë dhe dy të tjerët e vajza ishin larguar. Por vajza, nga plagët që kishte marrë, u gjet e vdekur në vendin Jahovicë.

Më 14 prill 1944, Zyra Politike e Ministrisë së Punëve të Brendshme u informua nga Komanda e Përgjithshme e Xhandarmërisë, se Qarkkomanda e Shkodrës, më datën 6 prill 1944, ishte lajmërue nga Rrethi i Tuzit se në Vermosh ishin grumbulluar një fuqi çetnikësh malazezë prej afro 400 – 500 vetësh, në të cilët kishte edhe oficera e ish-personalitete malazeze, si dhe nji oficer italian.

Kjo fuqi furnizohej me mjete ushqimore nga një komandë gjermane me qendër në Guci dhe, siç kuptohet, kjo fuqi qëndronte atje në marrëveshje dhe me autorizim të komandave gjermane. Mirëpo populli i asaj krahine çfaqej mjaft i shqetësuar dhe urrejtës kundra tyre, duke qenë se kjo fuqi ndodhej e shpërndarë ndër banesat e popullit të atjeshëm, ndonëse nuk mund të mohohej se edhe nga parija e atjeshme mund të furnizoheshin për interesa e qëllime të tjera të tyre.

Komanda e Xhandarmërisë së Qarkut të Shkodrës, “për çdo eventualitet e ndryshim situate, qëndrimin e çetnikëve malazezë n’atë vend me pozita strategjike e të rândësishme si për difensivë ose ofensivë e çmonte mjaft të rrezikshme për interesat Kombëtare”.

Lidhur me këtë çështje, Qarkkomanda e Shkodrës ishte e mendimit dhe lutej që “të ndërmjetsohet ku duhet për largimin e asaj fuqije s’andejmi, ose të formohet e të dërgohet sa mâ parë një Kompani e Rojes Kufinit për me muejt me qenë gadi për çdo nevojë e qëllime t’errta që eventualisht mund të ngjasin, mbasi edhe në kohnat e mâparshme n’atë vend ka pasë ekzistue nga një kompani e Rojes Kufinit”.

Në lidhje me këtë problem, Inspektori i Përgjithshëm i Kryeministrisë, i cili në atë kohë ushtronte edhe detyrën e prefektit të Shkodrës, Javer Hurshiti, më 8 prill 1944, kërkonte nga Ministria e Punëve të Brendshme, “që çështjes t’i epet rândësija që meriton tue ndërmjetësue për largimin e tyne ose për ristabilizimin e një fuqie të mjaftueshme të Rojes së Kufinit …”

Përsëri, më 24 prill 1944, prefekti i Shkodrës Javer Hurshiti, insistonte zyrtarisht pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, që t’u njoftohej mënyra e veprimit rreth çetnikëve që qëndronin në Vermosh e që vazhdimisht pa autorizimin e organeve shqiptare kalonin kufinin. Nga këto veprime, theksonte Hurshiti, “veç që banorët e Vermoshit ishin tue u rândue prej tyne, por dyshohej se në kohna t’ardhshme mund të sillin konsekuenca t’idhta për at’ krahinë”.

Pas këtij insistimi, Ministria e Punëve të Brendshme, me shkresën nr. 282/76 Rezervat, datë 2 maj 1944, që i drejton Prefekturës së Shkodrës, e vinte në dijeni se rreth përqëndrimit t’asaj sasie çetnikësh malazezë në rajonin e Vermoshit, “ishte njoftue Komanda Gjermane, e cila do të merrte masat e duhuna për rregullimin e çështjes”.

Si përfundim i angazhimit të autoriteteve përkatëse, më 10 maj 1944, Komanda e Përgjithshme e Xhandarmërisë njofton Ministrinë e Punëve të Brendshme se çetnikët malazezë që ndodheshin në Vermosh, qysh më 25 prill 1944 ishin larguar s’andejmi duke kapërcyer kufirin t’onë e hyrë në tokën malazeze. 

  1. Çetnikë serbë përgatiten në Bullgari për të sulmuar shqiptarët

Më 23 shkurt 1944, prefektura e Prizrenit informon Ministrinë e Punëve të Brendshme rreth disa veprimeve të qeverisë bullgare. Sipas këtij informacioni “në Bullgari dhe afër kufinit shqiptar janë tue u përgatitë njëmijë e dyqind serbë t’atyne krahinave me qëllim me hy këndej kufinit dhe me u ra shqiptarëve”. Nga ana e saj, Ministria e Punëve të Brendshme më 16 mars 1944 i drejtohet zyrtarisht Ministrisë së Punëve të Jashtme, me lutjen që “të bâhen demarshet e duhuna ndaj Qeverisë Bullgare që të ndalojë të tilla përgatitje kundra shtetit shqiptar”.

  1. Presion shqiptarëve për t’u anëtarësuar në Partinë Drazhiste

Në trevat shqiptarë jashtë kufijve të Shtetit Shqiptarë të vitit 1944, konstatohet se ushtrohej presion i hapur edhe ndaj elementit shqiptar për t’u anëtarësuar në Partinë Drazhiste.

Këtë fakt e provon dhe informacioni rezervat, i datës 7 mars 1944, i Prefektit të Prefekturës së Prishtinës, Hysen Prishtina, drejtuar Zyrës Politike të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në Prishtinë, me të cilën u përcjell kopjen e shkresës nr. 17/I Rezervat, datë 16 shkurt 1944 të Nënprefekturës së Gjilanit, që bënte fjalë mbi propagandën e Partisë Drazhiste në mes të Shqiptarëve të përtej kufinit, mbi pjesëmarrjen e tyre në atë Parti dhe që jepte hollësira rreth komandantëve dhe efektivëve të asaj Partie n’atë kufi t’onin.

Në informacionin e Prefekturës së Prishtinës shtohej se shqiptarët, sipas informatave të kësaj prefekture, nënshkruheshin në Partinë Drazhiste nga frika e terrorit dhe torturave serbe, meqenëse nuk kishin një mbrojtje të mjaftueshme në nder, pasuri dhe jetë nga ana e Shtetit Shqiptar, prej të cilit mvareshin në atë periudhë.

Në fund të komunikimit, prefekti Prishtina lutej që të njoftoheshin se “ç’masa mundemi me marrun, ose shifen t’udhës m’u marrun, për ndalimin dhe zhdukjen e propagandës dhe të rrezikut të pjesëmarrjes shqiptare në Partinë Drazhiste shoviniste, dhe për mbrojtjen e elementit shqiptar përtej kufinit”. 

  1. Njëzet mijë çetnikë serbë përgatiten për të sulmuar Kosovën

Më 25 prill 1944, Zyra e Adjutanturës, në Komandën e Përgjithshme të Mbrojtjes së Kufirit, vuri në dijeni Komandën e Mbrojtjes Kombëtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme, mbi përgatitjet që po bënin çetat drazhiste për të sulmuar popullsinë shqiptare në Kosovë.

Sipas informatave të mbledhura prej titullarit të Komandës së Kompanisë së Rojes së Kufirit Rakosh, parashtrohej se, një numër i vogël çetnikësh serbë silleshin n’afërsitë e zonës Luçka-Reka me qëllim vëzhgimi dhe zbulimi, për të përgatitur ndonjë sulm kundër vendeve t’ona. Supozimi se ishin çetnikë nuk duhej të besohej mbi idenë që ata shfaqnin, mbasi këtë e paraqisnin si formë, me qëllim që të fshehnin idenë e tyre komuniste. Çetnikët serbë përfitonin të silleshn në zonën e sipërthënë, mbasi ishin informuar se vullnetarët shqiptarë nuk bënin patrullime të rregullta n’atë zonë të rëndësishme.

Titullari i kompanisë së Rakoshit ishte informuar edhe se “drazhistat, në bashkëpunim me forcat e Nediçit, ishin tue lufue ashpërsisht në qarqet e Çaçakve dhe Uzhicës kundër forcave të Titos, tue u provokue dëmë të konsiderueshme komunistëve”.

Prefektit i Pejës, Xhelal Preveza, më 21 qershor 1944, i drejton Zyrës Politike të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në Tiranë, një shkresë rezervat, ku e informon se sipas lajmeve që vinin nga nënprefektura e Tutinës, më datë 11 qershor çetnikët serbo – malazezë kishin djegur katundin Nish, që ndodhet në veri të katundit Grubetiqe, të rajonit Komunës Ribariqit. Banorët e katundit të djegur ishin mbledhur në katundin Ribariq.

Gjithashtu, nënprefektura e Tutinës lajmëronte se çetnikët ishin duke u mobilizuar dhe grumbulluar fuqi rreth kufirit të Komunës së Ribariqit. Informata më të hollësishme prefekti Preveza do të përcillte në vijim të komunikimit.

Ndërsa për situatën që po percipitonte në Veri të Mitrovicës, sjell të dhëna me interes një informacion i prefektit të Mitrovicës Ibrahim Lutfiu, dërguar Komitetit Qendror të Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe Administratës së Kosovës, i cili është administruar edhe nga Zyra Politike, në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në Tiranë (nuk ka datë dhe nr. protokolli) të cilin po e japim të plotë në vijim:

“Më datën 23 korrik 1944, një grumbull çetnikësh afër njëzetë mijë vetash iu drejtue kufinit Etnik të kësaj Prefekture, me pretekst se luftojnë kundra komunistavet. Të gjithë t’armatusun. Në krahun e djathtë kishin kët’ shkresë: LIRI A VDEKJE – HAKMARRSIT E KOSOVËS. Disa prej këtyne ju kan kërcënue shqiptarvet në kufi tue thanun se do të vijnë në Kosovë.

Mbramë natën, me qëllim provokacioni, disa prej këtyne çetnikëve t’organizatës së Drazha Mihajlloviçit, i janë afrue kufinit Ethnik Merdar – Prepallac dhe në disa vende i kanë gjuejt Shqiptarët, tue hudhë njëkohësisht granata duersh, por asnjë Shqiptar s’âsht plague.

Qysh herët kemi pasë informata se prej anës së kësaj Organizate bâhet një përgatitje me qëllim që të sulmojnë Kosovën. Tekstin e betimit të këtyne çetnikëve ju a kemi dërgue. Pra shifet se vonë apo herët çetnikët do të bâjnë një tentativë për realizimin e qëllimeve të tyne kundra Kosovës.

Megjithëse kjo Prefekturë i muer masat e duhuna për sigurimin e kufinit Ethnik, e shof si detyrë me lajmërue Komitetin Qendruer dhe Administratën e Kosovës që të jenë gati për çdo eventualitet, mbasi numri i armikut âsht shumë i madh në barazim me fuqinat civile të kësajë Prefekture.

Njëkohësisht ju bâjmë më dijtë se armët e municioni na mungojnë për nji rezistencë të gjatë.

Ju lutemi që kjo gjâ të konsiderohet me rândësi dhe të jeni gjithnji në heshtje”.

Një informacion të ngjashëm përcjell për Ministrinë e Punëve të Brendshme, më 26 korrik 1944, edhe prefekti i Prizrenit, Shaqir Curri.

Sipas këtij informcioni, që bazohej në një burim shumë të sigurtë, ndër rrethet e Kurshumlisë, pranë kufirit të Podujevës, ishte grumbulluar një fuqi prej njëzetë mijë çetnikësh drazhista dhe kishin qëllim që në rastin më të parë të sulmonin Kosovën. Kjo fuqi udhëhiqej nga oficerët Zr.Markoviç Gjuriç, Kesereviç etj. dhe bashkë me ta majori gjerman Weime. Sipas prefektit Curri, “gjendja paraqitej mjaft kritike për arsye se fuqitë t’ona ushtarake e civile janë angazhue në luftë me serbo-malazezët në kufinin e Malit të Zi.” Prefekti Curri lutej që çështja të merrej në shqyrtim me seriozitet dhe të disponoheshin masat e rastit.

Fund

LEXO EDHE:

Përpjekjet e drazhistëve me xhandarmërinë dhe vullnetarët shqiptarë


Etiketa: , , , , ,

Pas