Ka dështuar një tentativë e Gëzim Tomës për tu arratisur nga burgu i sigurisë së lartë në Peqin, por nuk do të jetë një ‘mision’ që ka ndërmend ta lë përgjysmë. I ndëshkuar në qelinë e izolimit pas tentativës për arratisje mbrëmjen e djeshme, Toma mësohet të jetë shprehur se nuk do të ndalet derisa të fitojë lirinë.
“Unë jam arratisur nga Greqia, burgu i Drenovës dhe ky është qëllimi im. Detyra juaj është të më ruani, kurse unë do të luftoj që të kem lirinë në të gjitha format”, mësohet të jetë shprehur Toma para zyrtarëve të burgut.
Rreth orës 23:00, një natë më parë, Toma dyshohet që me një tel çakmaku të ketë ndërtuar një mekanizëm për hapjen e derës ose dritares së qelisë. Toma është pikasur nga një gardian i burgut që ka dhënë alarmin.
Në qelinë e tij ka nisur kontrolli i imtësishëm, por pa mundur të gjejnë mjetet e pretenduara nga i dënuari se do t’i përdorte për arratisje. Ndërkohë, Komisioni i Disiplinës brenda burgut, pritet të analizojë të gjithë këtë situatë deri në zbardhjen e ngjarjes.
Gëzim Toma është një nga 7 të arratisurit nga burgu i Drenovës në vitin 2013 nën drejtimin e Admir Tafilit. Akuzohet për vrasje, vjedhje me dhunë dhe arratisje nga burgu së bashku me grupin e tij.
LEXO EDHE:
Tenton të arratiset nga burgu i sigurisë së lartë vrasësi Gëzim Toma