Një i ri është arrestuar pasi ka kërcënuar me kaçavidë mbrëmjen e djeshme përgjegjësin e pyjore në Librazhd. Bëhet fjalë për të identifikuarin me inicialet A.B., 27 vjeç, banues në fshatin Bardhaj, Prrenjas.
Së bashku me tre të tjerë me inicialet A.B. ( 43 vjeç), A.B. (22 vjeç) dhe L.B. (19 vjeç), në vendin e quajtur “Qafa e Vaskut”, i riu po ngarkonte një furgon me dru zjarri.
Në momentin që janë afruar punonjësit e pyjores, 27-vjeçari ka kanosur me kaçavidë dhe ka tentuar të plagosë në pjesën e barkut përgjegjësin e sektorit dhe monitorimit në agjensinë e zonave të mbrojtura Librazhd.
Ai u kap dhe u arrestua në flagrancë, si dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale furgoni me lëndë drusore dhe kaçavida me të cilën tentoi të plagoste përgjegjësin e pyjores. Nga kontrolli i dokumentacionit të mjetit rezultoi se 27-vjeçari nuk kishte leje drejtimi për të drejtuar mjetin.
Bashkëpunëtorët e tij janë shpallur sakaq në kërkim. Mbi 27-vjeçarin rëndojnë akuzat për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”, “Drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Prerja e paligjshme e pyjeve”.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme proceduriale.