fbpx

Aktualitet

Tentuan të trafikojnë hashash, policia arreston dy të rinj






               Publikuar në : 13:12 - 17/09/19 |
mapo.al

Policia e Shkodrës ka arrestuar dy persona, të cilët 18 muaj më parë, tentuan të trafikojnë 74 kg hashash drejt Malit të Zi. Dy të rinjtë me iniciale Rr. P., 23 vjeç dhe M. P., 21 vjeç u arrestuan në fshatin Selcë të Malësisë së Madhe.


Njoftimi i policisë:



Nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, falë një pune të mirëorganizuar dhe në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, në fshatin Selcë të Malësisë së Madhe, u bë e mundur kapja dhe arrestimi i shtetasve:

Rr. P., 23 vjeç, banues në fshatin Selcë, Malësi e Madhe.

M. P., 21 vjeç, banues në fshatin Selcë, Malësi e Madhe.

Për këta dy shtetas Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Më datë 10.03.2018, dy shtetas nëpërmjet kufirit të gjelbër, nga Shqipëria në drejtim të Malit të Zi, në vendin e quajtur Shkalla e Selcës, kanë tentuar të trafikojnë lëndë narkotike (cannabis sativa), armë dhe municione, por pasi janë hasur nga shërbimet policore, duke shfrytëzuar errësirën dhe terrenin malor janë larguar duke i braktisur ato.

Nga Seksioni i Narkotikëve në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda Tiranë në bazë të informacioneve policore mbi personat e dyshuar, për një periudhë 18-mujore ka vazhduar hetimi për mbledhjen dhe sigurimin e provave ligjore për autorësinë e këtij rasti dhe nga tërësia e veprimeve policore dhe hetimore u arrit që të dokumentohet ky rast trafikimi.

Gjatë këtij operacioni është sekuestruar 74 kg lëndë narkotike cannabis sativa, 1 armë zjarri dhe fishekë luftarakë.

Materialet u referuan në Prokurorinë për Krime të Rënda për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”.


Etiketa: , , ,

Pas