fbpx

Mapo Letrare

Teodorakis: Çfarë duan më shumë ata të Suedisë? Kadarenë e njeh bota





               Publikuar në : 13:57 - 12/10/19 |
mapo.al

Marrë nga libri “Miqësi e trazuar: Greqia në kujtimet e një ambasadori”


Pas zgjedhjeve të 3 korrikut, puna në ambasadë do të vazhdonte fare normalisht. Diplomatët ishin të gjithë në krye të detyrës dhe pushimet e verës i kishin programuar vetëm për pak ditë, më së shumti për 10 ditë. Sektori konsullor po përballonte, si përherë, një punë shumë voluminoze, dhe sepse ishte sezoni veror dhe mijëra bashkatdhetarë niseshin për pushime në atdhe.



Ato ditë, së bashku me Engjëllushen, na kishin ftuar për darkë në hotel “Hilton”, në qendër të Athinës, çifti i mjekëve Lyra, zonja Pari dhe zoti Yoannis, të dy ndër mjekët më të shquar në Greqi; Pari një endrinologe dhe Yoannis specialisti më i mirë në vend i kirurgjisë plastike. Kishte studiuar në Brazil. Ishte jashtëzakonisht miqësor dhe me shumë humor. Ishte edhe nënkryetar i Kongresit Botëror të kirurgjisë plastike.


Me ta na kishte njohur profesor Tritan Shehu, që i kishte miq të vjetër dhe së bashku do të rrinim shpesh për një gotë verë. Për Tritanin flisnin shumë mirë dhe vërtet ai kishte shumë miq, personalitete të fushave të ndryshme.

Do të na mirëkuptonin të dy e sidomos zonja Pari, kur vend e pa vend do t’i trokisnim në derë për të njohurit tanë nga Tirana dhe ajo do të ishte gjithmonë e gatshme për të ndihmuar.

Folëm për tema nga më të ndryshmet, por edhe për zgjedhjet në Shqipëri. Profesor Yoannis e njihte shumë mirë politikën dhe, në nivelet më të larta të saj, e nderonin shumë.

Midis të tjerash, u tregova se pas disa ditëve isha i ftuar në 80 vjetorin e lindjes së kompozitorit të shquar grek, Mikis Teodorakis.

Profesor Yoannis do të “hidhej” përpjetë: “Po ky është një nder i madh që të bëhet se…ambasador, me politikanë e me deputetë e zyrtarë takohesh për ditë. Mikis Teodorakis është një figurë brilante e Greqisë, jo vetëm si muzikolog dhe kompozitor, por edhe si politikan, studiues, publicist e gazetar.

Ai është shumë i dashur në Greqi. Ne të gjithë krenohemi me të. Ai ka qenë një luftëtar i shquar antifashist që në moshë fare të re. Më vjen shumë mirë që ju ka ftuar… Dhe, ambasador, mos harroni se është edhe një mik i madh i popullit shqiptar. Ka folur gjithmonë hapur, publikisht, edhe para demokracisë në Shqipëri, për popullin shqiptar e për luftën që ai ka bërë kundër fashizmit.”

…Me Mikis Teodorakis do të takohesha në Athinë, në një veprimtari kulturore.Tek po bisedoja me heroin kombëtar Manolis Glezios, afrohet z.Teodorakis, një burrë i madh, me flokë kaçurrela pak të thinjura, në atë kohë 78 vjeç. “Mikis”, do t’i thoshte Glezios, “takoje këtë mikun tim, është ambasadori i ri i Shqipërisë.Ne jemi shumë miq bashkë, zoti ambasador, dhe me siguri do të jeni edhe mik me z.Teodorakis”.

Kompozitori me famë botërore më shtrëngoi dorën dhe pyeti: “Flisni frëngjisht?”

“Jo”, i thashë.

“S’ka problem, flasim anglisht…”

Mikis Teodorakis ishte një figurë emblematike në Greqi, me karakterin e tij rebel, kryelartë, antikonformist e kurajoz. Dhe grekët e respektonin dhe e nderonin pafundësisht, pa thënë edhe thjesht si një kompozitor i famshëm.

Kisha vërtet kënaqësi që u njoha me të, e më pas e kisha për nder që do të bisedonim shpesh bashkë.
Folëm lirshëm e hapur për tema nga më të ndryshmet dhe duke kërkuar të di diçka më shumë për kompozimin e tij të famshëm, sublim, himn, të Zorbës, duke qeshur do të më thoshte: “Kazantzakis, ky bir i shquar i Kretës, i Iraklios, ka shkruar një histori të mrekullueshme për Zorbën.

Dhe tani gjithmonë themi “Zorba” i Kazantzakis. Dhe kur themi kështu, do të thotë Zorba greke…Zorba është një figurë sa reale aq edhe e letërsisë, e muzikës dhe e kinematografisë. Zorba i ka kapërcyer menjëherë kufijtë e Greqisë, sapo u shkrua. Kazantzakis e ka gdhendur me mjeshtëri tipin dhe botën e Zorbës. Se vetë Kazantzakis ishte një njeri i madh, me kulturë të madhe. Ai ishte edhe poet, edhe shkrimtar dhe përkthyes, po a e dini ju ambasador, se Kazantzakis ka qenë edhe ministër menjëherë pas luftës?… Unë nuk e di se ç’kërkojnë ata të Akademisë në Stokholm për t’i dhënë çmimin Nobel. Po atë e njeh gjithë bota, njohin Zorbën e tij… Nuk ia dhanë sa ishte gjallë, por tani pse nuk ia japin? Po kush mund të krahasohet me Nikon? Tani po bëhen nobelistë në disa vende, por…nuk e di…unë nuk kam lexuar gjë nga ata… Nikos vetëm me Zorbën duhet t’i jepnin Nobelin… Por, ambasador, pak rëndësi ka tani, po flas me revoltë se nuk përmbahem kur duan të na gjykojnë disa…nuk di ç’të them… Ai e ka titullin Nobel, jo vetëm nga populli i tij…”

E ndërpreva duke i thënë se “edhe Kadareja ynë është nominuar vit për vit, por nuk e ka fituar…:
“Jam plotësisht dakord me ju se edhe Kadareja e ka këtë titull. Ai njihet sot në të gjithë botën, veprat e tij janë kudo të përkthyera.”

Dhe i tregova se çfarë më kishte thënë në Gjermani nobelisti Gūnter Grass për këtë temë e që e kam përshkruar në librin tim “Për Gjermaninë – histori diplomatike dhe kujtime”.

“Po, e kam dëgjuar se Kadare është nominuar disa herë dhe të nominohesh disa herë radhazi, në një farë mënyre, tregon se e ke fituar këtë çmim, apo jo?… Të kuptohemi, nuk e kam thjesht tek çmimi, as për Kazantzakis e as për Kadarenë”, do të shpërthente me temperamentin tij të vërtetë. “E kam tjetërkund; e kam me këta Europianët e ftohtë, me këta të Stokholmit që dinë shumë pak për kulturën dhe historinë tonë të pasur… Po ne keni kripë, ambasador, ne kemi jod, më kupton, ne jemi me botë të madhe, me zemër të madhe; ne kemi tradita e zakone të mrekullueshme, ne kemi dashuri të madhe, ne kemi epos, ne kemi këngë e valle që mahnitin këdo.

Ne grekët dhe shqiptarët, por edhe popujt e tjerë të Ballkanit… Por ne në Ballkan duhet të duam më shumë njëri-tjetrin, duhet të shkojmë mirë me njëri-tjetrin… Kemi pasur shumë luftëra dhe është derdhur shumë gjak… Edhe Janis Ricos duhet të ishte nobelist… Ne kemi disa shkrimtarë nobelistë, pore dhe Janis duhet të ishte… Unë, i dashur ambasador, jam i dashuruar me poezitë e Ricosit, i kam pasur frymëzim për muzikën time… Jam i dashuruar me Zorbën; më duket vetja diçka nga ai, nga bota e tij, nga shpirti i tij, nga rebelimi i tij. Se edhe rebelimi është forcë shpirtërore.

Dhe më vjen shumë mirë që grekët e duan aq shumë muzikën time, Zorbën tim, që e dinë të gjithë, e vallëzojnë të gjithë. Tani po shkoj drejt të 80-ve, miku im, dhe jam krenar që jam ky që jam, që kam bërë diçka për popullin tim, jo vetëm në muzikë”.

I fola se në shqip kishim të përkthyera disa libra të Kazantzakis, që shumë vite më parë. Dhe do të më kujtoheshin në ato momente “Krishti kryqëzohet përsëri”; “Kapedan Mihali”; “Bilanci i një jete”; “Udhëtoj nëpër Japoni e Kinë”, “Jeta e Alexis Zorbës”; “Vëllavrasësit” etj.

“Kjo flet shumë”, do të më thoshte, “ja, flet për ato që thashë më lart… Këtë nuk e kanë bërë të gjithë… Po le të flasim përsëri për Kadarenë… Ç’bën, shkruan? Sa vjeç është Kadareja? Ou, po qenka shumë i ri, po unë jam 15 vite më i madh… Pa më thuaj ambasador, po kush ka shkruar më mirë, më bukur e më thellë për Eskilin tonë? Ka pak muaj që e kam lexuar, nuk po e kujtoj titullin…”

“Eskili, ky humbës i madh”, i shpjegova.

“Po, po, ky libër. Po Kadareja ka shkruar aq bukur për historinë tonë, për antikitetin tonë, për kulturën dhe heronjtë tanë të mitologjisë… Ja sa i madh është Kadare… Në këtë libër flet edhe për traditat tona të përbashkëta, greke dhe shqiptare, por edhe për traditat ballkanase, për zakonet, doket, për dasmat, mortet, vajet, këngët, vallet… Flet edhe për kodet, shumë herë të egra, të gjakmarrjes, por edhe për ato që rregullonin jetën. Flet edhe për dashuritë, për betimin, për besnikërinë, për shprehitë kanunore, për eposet dhe për rapsoditë… E çfarë duan më shumë ata të Stokholmit?

Janë të ftohtë, ambasador…”

“E paskeni lexuar mirë Eskilin e Kadaresë, z.Teodorakis”, i thashë vërtet me shumë kënaqësi…

“Po jo vetëm këtë, miku im”, do të vazhdonte mjeshtëri i madh, “kam lexuar disa libra të Kadaresë… Prandaj fola edhe për Nobelin…edhe për Kazantzakis, Ricos-in dhe Kadarenë…”


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas