fbpx

Sport

Ter Stegen: Presidenti i Bayernit e teproi, ja raporti im me Neuer





               Publikuar në : 16:37 - 08/10/19 |
mapo.alm

Marc-André Ter Stegen, portieri i Barcelonës dhe kombëtares gjermane, doli në konferencë për shtyp, para se të matet të mërkurën me Argjentinën në një ndeshje miqësore. Ai do të luajë titullar ndaj Albiceleste, siç është njoftuar nga trajneri Joachim Löw, duke fituar diçka nga debati publik që hapi me Manuel Neuer për “pronësinë” e portës së “Mannschaft”.


Momenti – “Disa javë më parë morëm një pikë në Dortmund me Barcelonën, kështu që ndjesitë janë të mira. Unë jam shumë i entuziasmuar që do të luaj nga fillimi”.



Presioni pas debatit me Neuer – “Unë nuk ndiej presion. Është një ndeshje, ku dua të jap më të mirën time, si gjithmonë”.


Ndryshimi i ciklit – “Formacioni kundër Argjentinës do të kushtëzohet nga lëndimet. Do të jenë lojtarë, që nuk kanë luajtur bashkë në fushë në shumë raste, por çdo proces kërkon kohë. Ne shpresojmë të fitojmë”.

Fjalët e Uli Hoeness – “Unë nuk iu jap shumë rëndësi deklaratave të askujt. Thjesht përqendrohem te futbolli në fushë. Kjo më pëlqen. Ajo që u tha ishte shumë e tepërt. Ky është një sport, në të cilin performanca e secilit duhet të jetë masa kryesore matëse. Të gjithë duan të luajnë. Ajo që ka më shumë rëndësi për mua është ajo që ndodh në fushë”.

Titullari në Kampionatin Europian – “Të gjithë duan të luftojnë për vendin e tyre dhe të arrijnë qëllimet personale. Më e rëndësishmja, vendimet duhet të merren si rezultat i performancës së gjithsecilit, jo në bazë të gjërave të tjera. Të gjithë ata që e shohin veten me mundësi të luajnë titullar do të japin gjithçka për këtë. Është e qartë se qëllimet e ekipit janë mbi të gjitha”.

Kupa e Botës 2022 – “Ka mbetur shumë kohë deri atëherë. Unë dua të jem mirë me klubin, të vazhdoj të jem një opsion edhe këtu në kombëtare. Askush nuk e di se çfarë do të ndodhë deri atëherë. Do të bëj çmos që të jem në atë Botëror, por tani për tani më intereson vetëm çfarë ndodh në një afat të shkurtër”.

Marrëdhënia me Neuer – “Ne jemi profesionistë. Të gjithë duan të kenë vendin e tyre në “Mannschaft” dhe japin gjithçka për të. Të jesh profesionist, gjithashtu, do të thotë të kesh një marrëdhënie të mirë me tjetrin. Nuk ka asgjë konfliktuale midis nesh, është krejt e kundërta. Ne do ta mbështesim njëri-tjetrin. Nuk ka asgjë për të theksuar në lidhje me këtë”.

Biseda me Neuer – “Manuel e di se iu referova situatës time në çdo kohë, kështu që nuk mendoj se duhet të sqarojmë asgjë. Ne flasim çdo ditë, kemi një marrëdhënie profesionale dhe do të vazhdojë në këtë mënyrë”.

Argjentina – “Është një ndeshje fantastike, ku të gjithë duam të luajmë. Edhe unë. Bisedova me Leo (Messi) dhe ai ka diçka për të zgjidhur me federatën. Ne kemi dashur të përballemi me të në këtë miqësore, por ndonjëherë është më mirë të mos luash kundër tij…”


Etiketa: , ,

Pas