Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, ka përshëndetur efektivët e policisë që u angazhuan për mbarëvajtjen e protestës së thirrur nga opozita. Ai ka takuar e përgëzuar nga afër policët që formuan kordonin mbrojtës, të cilët ishin edhe të parët që u larguan me mbërritjen e turmës së protestuesve. Për mediat ai u shpreh shkurt: “S’kam ardhur për prononcime por për të falenderuar policët që kanë bërë një punë të shkëlqyer”.
Ndërkohë Policia e Shtetit dhe Prokuroria pritet të fillojnë hetimin në lidhje me incidentet në protestën te Kryeministria. Një grup hetimi ka mbërritur në vendin e ngjarjes për mbledhjen e provave. Policia ka fotografuar e filmuar gjithë ngjarjet para Kryeministrisë, ndërkohë që do të mblidhen edhe provat. Burime për Mapo thanë se orët në vijim priten arrestime.
/Gazeta Mapo/