Kongresi i Autoriteteve Rajonale dhe Lokale pranë Këshillit të Europës nuk do dërgojë mision monitorimi në Shqipëri siç ka bërë gjatë zgjedhjeve lokale. Në një njoftim për mediat thuhet se ata janë tërhequr pas një konsultimi të presidentit të KiE në përputhje me rregullat e Kongresit.
Shkak është bërë pasiguria në organizimin e zgjedhjeve lokale dhe rreziqet në zonat e mundshme ku do shkonte delegacioni. Ky Kongres monitoroi zgjedhjet lokale në Stamboll para pak ditësh dhe doli me një raport paraprak.
“Drejtuesit e Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës ka vendosur që të mos dërgojë në Shqipëri një Delegacion për Vëzhgimin e Zgjedhjeve për shkak të pasigurive të vazhdueshme në lidhje me organizimin e zgjedhjeve vendore në Shqipëri më 30 qershor dhe rreziqeve të mundshme për sigurinë në zona të ndryshme”, thuhet në njoftimin e KiE.
Këshilli i Europës është një organizatë ndërkombëtare e cila ka si synim ruajtjen e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit në Europë, në të cilën Shqipëria është anëtare me të drejta të plota që prej vitit 1995. Themeluar në vitin 1949, Këshilli ka 47 vende anëtare dhe vepron me një buxhet vjetor rreth 500 milionë euro. Organizata dallon nga Këshilli Europian, i cili përbëhet nga krerët e 28 shteteve pjesëtare të Bashkimit Europian dhe që merret me drejtimin e përgjithshëm politik të Bashkimit Europian.