Ambasadori i Bullgarisë në Shqipëri, Momtchil Stoyanov Raytchevski, foli për ndihmën e qeverisë bullgare pas tërmetit katastrofik të 26 nëntorit, si dhe për çeljen e negociatave.
Në një prononcim për mediat nga inspektimi në rrugën e Vernikut për çeljen e punimeve Bilisht-Vernik, Raytchevski u shpreh se Bullgaria i ka ardhur në ndihmë Shqipërisë me ndihma materiale, në kuadër të mekanizmit europian për mbrojtje civile, me një grup inxhinierësh që bënë analizën e godinave, si dhe me shumën e 100 mijë eurove.
“Shteti bullgar siguroi që në ditën e parë të tërmetit 100 mijë euro, që u dërguan në Shqipëri. Përsëri përfitoj nga rasti të them që Shqipëria nuk e përjetoi e vetme këtë tërmet, Bullgaria dha ndihmë edhe për një nga shtëpitë e fundit që i kishte mbetur Korçës për t’u rindërtuar dhe kjo shtëpi është në Vidohovë”-tha më tej ambasadori.
Pyetjes nëse qeveria bullgare ndan të njëjtin mendim me atë holandeze, se Shqipëria nuk është ende gati për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian ashtu sikurse është Maqedonia e Veriut, Raytchevski iu përgjigj se nuk bëhet fjalë për një garë. Më tej, tha se të dy shtetet kanë për të bërë akoma.
“Atë që mund të them është se kjo nuk është një garë. Në tërësi, në familjen europiane nuk është proçesi i vërtetimit kush është më i miri, kush jo. Është një proçes ku si në qendrimin e Komisionit Europian, ashtu edhe të partnerëve tanë, është e qartë siç është e qartë edhe pozita e Bullgarisë që Republika e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut janë pjesë prej nesh.
Të dy shtetet kanë për të bërë akoma, kriteret janë të qarta, por duhet punuar. Të punojmë edhe ne, edhe ju, që të kemi mundësi gjatë vitit të ardhshëm; të kemi plotësuar të gjitha kushtet për një vendim që do të na gëzojë të gjithë ne. Por ju lutem, mos e mendoni këtë si një garë, se cili duhet të vrapojë më shpejt”-u shpreh ambasadori i Bullgarisë në Shqipëri.