Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjitikës, Belinda Balluku deklaroi nga foltorja e seancës së sotme plenare se, askush nuk ka të drejtë të merret me detajet e situatës katastrofike të vendit pas 26 nëntorit, përveç qeverisë. E përlotur, teksa foli për të prekurit nga tërmeti, Balluku theksoi: Akush s’ka të drejtë të merret me detajet, kur ende s’ka mbaruar morti. Me detajet do të merremi ne.
Balluku i bëri thirrje opozitës për debat konstruktiv, si dhe të heqë dorë nga sulmet përkundrejt qeverisë. Sipas saj, kjo e fundit e ka menaxhuar situatën në mënyrë “ekselente” pasi, përkundrejt shteteve që i erdhën në ndihmë me ekipet e tyre të shpëtimit, vendi nuk është mësuar të përballet me fenomene natyrore të kësaj natyre.
“As kam dëshirë që t’i mbaj lotët në këto momente. Opozita duhet të ketë fytyrën e Edlira Hysenit. (deputetja e opozitës, e cila u përlot gjatë fjalës së saj për viktimat e tërmetit) Opozita është aty për të bërë dialog, ndaj duhet të ketë fytyrën e Edlirës. Është shumë e lehtë që secili prej jush të dalë dhe të thotë se çfarë u bë gabim, por nuk e di si është të dalësh përpara Ramë Lalës, i vetmi i mbijetuar nga familja Lala. Ne nuk hahemi dot me Zotin. Asnjë ndërtesë nuk do të hidhet. Eshtë koha të mendojmë për rindërtimin. Jemi këtu për t’u ngritur nga hiri si Feniksi. Ne duhet të jemi të gjithë bashkë për rindërtuar shpirtin e Shqipërisë. Nuk janë 51 ata që kanë vdekur. Na është goditur shpirti”, tha Balluku.
Risjellim në vëmendje se tërmeti me magnitudë 6.4 ballë i mori jetën 51 personave, si dhe plagosi mbi 900 të tjerë.