Aktualitet

Sytë në Bruksel/ Sot konferenca e donatorëve, a do hapet shporta e ndihmës për Shqipërinë?





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:54 - 17/02/20 |
mapo.al

Qeveria mendon që ta përballojë të gjithë shumën e rindërtimit duke marrë borxhe nga institucionet financiare ndërkombëtare. Ministri Arben Ahmetaj shprehet se në rast se nuk do arrihet objektivi për 300 milionë euro nga donatorët, atëherë qeveria s’mund ta mbajë premtimin për ringritjen e banesave brenda një viti. Sot në Bruksel prova e parë


Konferenca e donatorëve, e përbërë kryesisht nga vendet e Bashkimit Evropian do të mblidhet sot në Bruksel për të diskutuar rreth paketës financiare që do i jepet Shqipërisë për të përballuar dëmet e 26 nëntorit. Qeveria shqiptare është shfaqur optimiste, por ende e pasigurt për atë çka do vendosin vendet pjesëmarrëse. Synimi është që nga konferenca e donatorëve të arrihet të merren rreth 300-350 milionë euro, ku në fakt shumica do jenë në formën e kredisë së butë për Shqipërinë. Pjesën tjetër prej më shumë se 700 milionë euro, Shqipëria do e marrë borxh nga institucionet financiare nëpërmjet eurobondit. Pra, rreth 1 miliard euro do merren borxhe nga qeveria shqiptare për rindërtimin.



Ahmetaj
Po në rast se nuk arrihet të merret kjo shumë? Ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj thotë në një intervistë se, premtimi i qeverisë për rindërtimin e banesat brenda një viti nuk do të jetë i mundur. “Nëse do të ishte një shifër poshtë 300-350 milionë euro e kombinuar grant kredi atëherë do të gjendeshim përballë një vështirësie serioze financiare për të përballuar në kohën që ne duam gjithë pasojat e tërmetit. Ndryshe skenari pastaj do të ishte shumë afatgjatë”, tha Ahmetaj.


Ndërkohë ai shpjegon dhe se çfarë është paketa që pritet të miratohet nga donatorët. “Nëse ne angazhojmë nesër diçka midis 300 milionë deri në 350 milionë euro, nëse nuk ka bërë ndonjë magji kryeministri le të themi me turin e vet, pra natyrshëm do të shkonte te 300-350 milionë eurove, ku raporti midis granteve dhe kredive do të ishte diçka te 70-80 milionë euro vijnë grante dhe pjesa tjetër vijnë kredi të buta që janë të domosdoshme për rindërtimin”, tha Ahmetaj.

Pra duket qartë se vetë qeveria shqiptare nuk ka asnjë lek në fondet e emergjencës apo strehimit për të përballuar rindërtimin e banesave të prishura, dhe shqiptarët deri më tani varen nga zemërgjerësia e donatorëve.

Fondet
Deri më tani për Tërmetin nga shtete të ndryshme të botës janë dhuruar gjithsej rreth 21 milionë euro ku 15 milionë euro i ka dhuruar Bashkimi Evropian. Kësaj shume i shtohen dhe rreth 3 milionë euro që deklaroi para disa ditësh Holanda. Nga ana tjetër Turqia ka deklaruar se do të ndërtojë rreth 500 apartamente në zonën e Thumanës, ndërtim i cili nuk ka filluar ende. Por sërish shuma është ende larg asaj që pretendohet prej 1.08 miliardë euro. Nga ana e saj opozita i ka kërkuar të anulojë PPP, dhe 150 milionë euro që përfitohen prej tyre t’i kalojnë rindërtimit të banesave. Shqipëria është vendi i paradokseve, për sa i përket mënyrës së sjelljes së qeverisë. Ajo e ka luksin të paguajë 20 milionë euro për kilometër në Unazën e Re, abuzimin me koncesionet e check-up apo sterilizimit. Ngritje të strukturave të panevojshme policore, por emergjencat civile pretendon t’i përballojë duke marrë borxhe nga institucionet financiare.

Fondet: Shqiptarët, pak besim te qeveria për menaxhimin
Fatura e tërmetit prej 1.80 miliardë euro është parë si abuziste nga ana e specialistëve, megjithëse para disa kohësh ajo u certifikua dhe nga Banka Botërore. Në faturë janë futur dhe fitimi i munguar i bizneseve, apo rënia ekonomike. Se sa reale janë ato, këto mbeten për t’u parë. Por kur bëhet fjalë për një shumë të tillë dhe mënyrën se si vepron qeveria gjithmonë mbetet vend për abuzim, të paktën te shqiptarët. Këta të fundit, brenda apo jashtë vendit e kanë më të lehtë t’ua besojnë paratë për rindërtimin shoqatave apo individëve se sa qeverisë shqiptare. Këtë e tregon dhe angazhimi i tyre në portalin e-albania ku u arrit të mblidhej shuma anemike prej 68 milionë lekësh, apo diçka më shumë se 500 mijë euro. Gati 15 herë më shumë mblodhi fondacioni “Firdeus” i imamit Elvis Naçi, diçka më shumë se 7 milionë euro. Rreth 1.3 milion euro arriti të mbledhë gazetari Marin Mema me “Rrënjët e Shqipërisë”, dhe Arbër Hajdari rreth 2 milionë dollarë me “Fundjavë ndryshe”. Por a do i shoqërojë perceptimi shqiptar dhe pjesëmarrësit në konferencën e donatorëve. Kjo mbetet për t’u parë.

Rama harron tërmetin, merret me anti-KÇK dhe krizën e Ukrainës
Prej disa kohesh Rama nuk është shfaqur, në zonat e prekura nga tërmeti por ka preferuar të merret me ligjin Anti-KÇK. Pamjet e ekraneve televizive janë mbushur me një Ramë tjetër, që kacafytet me gazetarët për fatin e bashkëpunëtorëve të tij, apo me zgjidhjen e krizës së Ukrainës, por jo me situatën pas tërmetit, në Durrës, Thumanë, Laç apo Tiranë, ku shumë qytetarë vazhdojnë të jetojnë në çadra apo të sorollaten sa lart poshtë nëpër dyert e administratës për bonusin e kredisë. Disa prej tyre kanë preferuar të hyjnë në shtëpitë e shkatërruara, që janë një rrezik evident për jetën, si e vetmja zgjidhje për të pasur një strehë mbi krye. Vetëm kryeministri nuk është aty. Pikërisht ai kryeministër, që në ditët e para të tërmetit nuk ngeli ditë pa dalë në ekrane duke u shfaqur si shpëtimtar i situatës.

Prej kohësh mungojnë skenat, ku kryeministri zgjatej për ta puthur hallexhinjtë. I vetmi që bën ndonjë vizitë tutje tëhu është kryetari i opozitës Lulzim Basha, por kjo nuk mjafton. Anti-KÇK dhe lufta kundër kushtetuese duket se ka më shumë audiencë, se sa hallet e njerëzve dhe fëmijëve që gdhihen e ngrysen në çadra, në të ftohtin e dimrit. Kryeministri ka gjëra të tjera për t’u marrë. Ai merret me akuza ndaj gazetarëve, merret me akuza ndaj prokurorëve, deklaron hapur se është mik i Vangjush Dakos përgjegjës për ndërtimet në Durrës. Ish-kryetarit të Bashkisë Durrës për tre mandate nuk i ka trokitur në derë as OFL dhe as Prokuroria. Rama të paktën prej një muaji nuk deklaron më se është miku i atyre që e kanë zgjedhur dhe sot shohin shtëpitë e tyre të rrënuara, durojnë aparatçikët e bashkive dhe inspektorateve që nuk i ngrenë as telefonat, u duhet të mbushin një vandak me dokumente për të marrë bonusin e qerasë, ndërsa ndihmat kanë kohë që janë harruar. Ata e dinë se kryeministri ka prioritete të tjera. Ka anti-KÇK, dhe problemet e mëdha si kryetar i OSBE-së, siç ishte dhe Kriza e Ukrainës.

Vetëm për rindërtimin e shtëpive do duhen 662 milionë euro
Sipas Raportit të paraqitur vetëm për rindërtimin e shtëpive do të duhen jo pak por më shumë se 662 milionë euro, ku pjesa më e madhe do i shkojë Tiranës dhe Durrësit, përkatësisht me nga 214 milionë për Tiranën dhe 240 milionë euro për Durrësin vetëm për banesat. Nga raporti del se 11 mijë shtëpi janë prishur, ose janë dëmtuar rëndë në Tiranë, Durrës, Lezhë dhe Krujë, ndërsa 83 mijë të tjera janë dëmtuar pjesërisht ose janë lehtësisht të riparueshme. Raporti evidenton se nga tërmeti i nëntorit të kaluar janë prekur rreth 202 mijë persona, nga të cilët të prekur direkt janë 47 mijë dhe të prekur indirekt janë 155 mijë. Janë zhvendosur 17 mijë persona, ndërkohë që tërmeti ka lënë pas 51 viktima dhe 913 të plagosur. Pra, me pak fjalë, në faturë janë futur të gjithë ata që kanë qoftë dhe një krisje të lehtë në shtëpinë e tyre, dhe që me shumë gjasë tashmë janë riparuar nga vetë qytetarët. E thënë më thjesht, kushdo që ka raportuar pranë organeve qeveritare merr ose jo shpërblim për dëmet e tërmetit, është futur në faturën financiare, që do u paraqitet donatorëve.


Etiketa: , , , ,

Pas