Editorial

Tërmeti, korona, shtëpia në mes dhe diejt mbi krye





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 21:52 - 25/03/20 |
Mapo.al

Në tre muaj, prej kapercyellit të Nëntorit të motit të shkuar e deri në këtë Mars, krejt shoqëria jonë u vu në një sprovë të çartur, prej një force larg mundësive të çdokujt.


Të dyja, lidhur ngushtë me një prej të shenjtave gjëra që kemi, shtëpinë, vatrën, banesën. Me 26 nëntor, ngrehina ku kalojmë jetën, ku bëjmë plane, zihemi e pajtohemi, ku dashurojmë, ku ngremë familjet, dhe endërrojmë, u kthye në mallkim që mund të të merrte jetën nga çasti në çast.


Tërmeti i fortë i shkundi themelet dhe i madh e i vogël rendën, ikën larg atyre hapësirave të ngrohta, plëngut të madh të jetës. Krejt kursimet e viteve kanë disa në ato mure, dyer, mobilje e rehati që i kanë krijuar me shumë mund.


Shpia na u rend, na u bë frika më e madhe. Po kjo kaloi. Sot, me rrezikun e koronavirusit, vatra, banesa, apartamenti ose godina private, na vijnë si mundësia e vetme dhe ndoshta e fundit për të shpëtuar. Lagjet, rrugët kanë një ngjashmëri; janë bosh dhe të trishta. Në nëntor sepse njerëzit ikën sa më larg. Sot shkretinë, se janë të gjithë ngjeshur brenda atyre jo shumë metrave katrorë, me ose pa hipotekë.


Në të dy mallkimet, shoqëria jonë ngjan se reagoi mirë. Pati solidaritet. Përulje. Por, edhe një rënie të diferencave mes sho-shoqit, një klimë më të zbutur politike. Morën bojën përmasat e qenies humane, shumica…edhe ata që kishin harruar, duke rendur pas lakmisë e pushtetit.

Në të tërmetit orë, edhe më vanitozët, ata që nuk e hiqnin lëkurës Gorgio Armanin e udhëtimet luksoze u ndërmendën që jeta ofron plot gjëra më të rëndësishme se falsitetet e dukjes.

Veçse, kjo u harrua shpejt. Ditët kaluan, toka s’po lëkundej më për fat, dhe arrogantët, ata që e mbajnë veten për perendi e diej të këtij trualli nxorën sërish krye.

Dhe bash në krye, rilindasit, qeveritarët tanë me makinerinë e madhe propagandistike nga pas, që kërkon të na qortojë prore, pse nuk i dashurojmë, pse nuk u blatojmë gjithë çkemi; kaq hyjnorë janë, edhe pse kanë dështuar gjegjësisht në secilin drejtim.

Pas 3 muajsh, ja behu mallkimi tjetër. Njerëzit masivisht po reagojnë mirë. Vetëm se ata që janë zakonisht në hall, këto ditë po bëjnë cirk në rrathët e ferrit. Disa, dhe jo pak, diskutojnë bukën e gojës.

I njëjti stof, të njëjtët që kemi mbi krye, edhe pse dukshëm të frikësuar për shëndetin e tyre, se vilat dhe takëmi i madh që kanë nuk ofron imunitet, sërish duken më të trembur se mund të humbin më të vyerën gjë, pushtetin. Ndaj, nuk tregojnë asnjë shenjë përunjësie, siç e do koha.

Të njëjtët zotë, që dinë gjithçka e nuk pranojnë asnjë kritikë. Qaramanë me privilegje e mundësi, që nuk ngopen me ç’kanë arritur, po duhet edhe t’i duam, të bëjmë be në emër të tyre, të ulemi në gjunjë kur na shfaqen me video-selfie.

Sak, kjo të bën të mendosh. Ç’duhet të ndodhë tjetër që ata e skota e tyre, të kujtohen njëmend se janë të përkohshëm, dhe çka i bën të ndryshëm nga të tjerët dhe jo të zakonshëm, s’janë aspak vlerat, po thjesht mëkati mbi mëkat, abuzimi, dhe drejt ta themi, vjedhja e pandalshme e çdo gjëje që u kap dora.

Mapo.al


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas