fbpx

Editorial

Tërmeti live/ A po teprohet me portretet e viktimave?!





               Publikuar në : 12:38 - 26/11/19 |
Blerina Gjoka

Tërmeti i fortë që goditi vendin sot në mëngjes ka tronditur të gjithë shqiptarët, veçanërisht ata që pësuan më shumë dëme dhe humbën edhe familjarë e të afërm, apo që vazhdojnë t’i kërkojnë nën rrënoja. Gazetarët po ashtu janë tronditur, por u duhet të raportojnë për pasojat e tërmetit, operacionet e shpëtimit në Thumanë, apo në Durrës, ku disa pallate janë rrëzuar. Një vilë në Durrës gjithashtu u transmetua “live” gjysmë e rrëzuar gjatë gjithë kohës dhe disa minuta më pas u raportua se ajo u shemb duke zënë brenda shtatë anëtarë të familjes, fati i të cilëve ende nuk dihet.


Në lidhjet direkte në televizionet informative shumë gazetarë shfaqen të tronditur duke parë nga afër nxjerrjen e trupave të viktimave, apo mrekullohen kur ka të mbijetuar. E gjitha live, nga kamerat që transmetojnë pamje nga shumë afër. Dy gra në Thumanë u nxorën të vdekura nga gërmadha e pallatit dhe kamerat e medias ishin të fokusuara te barrela që mbante trupat e pajetë. Dikush i plagosur rëndë në kokë, një tjetër i gjakosur. Dhe gazetarët që përcjellin gjithë këtë dramë…



Po përtej informacionit për të cilin duhet tu jemi falenderues reportereve të terrenit, ka diçka shqetësuese.


Mënyra se si po shfaqen në ekran pa asnjë censurim imazhet e kësaj tragjedie kanë ngritur shumë pikëpyetje;

A po e teprohet me fiksimin e portreteve të viktimave me mbulimin e saj këtë ngjarje? A po e kalon kjo cakun etik? Pse autoritetet lejojnë kamerat të filmojnë kaq afër? Kujt i shërbejnë pamjet me imazhe tronditëse të transmetuara në një kohë kur pjesë e kësaj audience janë edhe fëmijët?

Ne patjetër që nuk kemi shumë përvojë në këtë drejtim. Një katastrofë e ngjashme ka ndodhur në vitin 1979, kur vendi ishte nën regjimin komunist, dhe nuk kishte media të lirë.

Rastet e katastrofave natyrore kanë treguar gjithmonë problemet me etikën e medias dhe gazetatët po akuzohen se publikojnë imazhe me pamje të rënda.

Në mediat perendimore ekspertët diskutojnë shpesh mbi këtë të drejtë të medias për të publikuar imazhe të rënda; ata besojnë se duhen publikuar kur kjo i shërben publikut të gjërë për ta sensibilizuar për një ngjarje me rëndësi, për shembull, lufta në Siri.

Por kjo pyetje nuk shtrohet kur është rasti i katastrofave natyrore.

Ekspertët besojnë se media perëndimore përdor dy standarde kur vjen fjala për katastrofa apo tragjedi që ndodhin në botën e tretë dhe për ngjarjet që ndodhin në Perëndim. Për shembull tërmeti në Haiti në vitin 2010 solli para syve të botës pamje të tmerrshme të njerëzve të vdekur në rrugë, por imazhe të tilla munguan pas uraganit Katrina që goditi New Orleans në SHBA.

 

Katastrofat dhe tragjeditë, ku është caku i mbulimit mediatik?!

Shoqata e lajmeve dixhitale në Radio Televizion (RTDNA) thotë se subjektet e lajmeve duhet të trajtohen me “respekt dhe dinjitet”. Gazetarët nxiten nga RTDNA që të përdorin vetëm përmbajtje grafike të forta kur kontribuojnë në të kuptuarit e një tregimi, pavarësisht nga vendndodhja, shkrimi, “Fotografitë e fuqishme mund të ndihmojnë të shpjegojnë më mirë tregimet ose ato mund të shtrembërojnë të vërtetën duke mjegulluar përmbajtjen e rëndësishme të raportimit”- thuhet në deklaratën e shoqatës.

Shumë gazetarë dhe kritikë besojnë se përmbajtja grafike nuk është e nevojshme për të shpjeguar më mirë tregimet, duke e parë atë si “sensacionale”. Të tjerë shkojnë më tej me kritikën e tyre, duke thënë se ky sensacion vlen veçanërisht për raportimet që vijnë nga bota jo-perëndimore, ku përmbajtja shqetësuese është e tepruar dhe nuk arrin të tregojë “dhembshuri ndaj viktimave të krimit apo të tragjedisë”.

Që nga Tërmeti i Haitit në vitin 2010, botimi i përmbajtjeve grafike është bërë një temë e nxehtë. Valerie Payen-Jean Baptiste, një e mbijetuar nga katastrofa, foli për Revistën e Gazetarisë Amerikane në pamjet e marra nga gazetarët.

“Kritika ime ka të bëjë me fotot dhe videot e panevojshme që tregojnë copa trupash, njerëz që vdesin, lakuriqësinë e njerëzve, për mjerimin, tragjedinë e njerëzve në lidhje me ushqimin dhe ujin. A është vërtet e domosdoshme kjo mizori për të mobilizuar një veprim masiv humanitar?”- thotë ajo.

Tërmeti në Haiti vrau 230,000 njerëz, plagosi 3 milion dhe shkaktoi dëme mbi 14 miliardë dollarë. Shumë nga videot dhe imazhet e kapura me trupa të përgjakur nëpër rrugët e Port au-Prince të shtypur nën rrënojat e ndërtesave u shpërndanë në rrjete sociale dhe media.

Kritika për mbulimin e tërmetit bëri që disa organizata lajmesh të rishqyrtojnë kufijtë e tyre për përdorimin e përmbajtjes grafike

New York Times, dërgoi 5 fotografë në fatkeqësinë natyrore, duke mbrojtur botimin e imazheve shqetësuese; “Fotografët donin që bota të shihte, të dinte se sa e tmerrshme ishte”.

Pas sulmeve me gaz në Siri në Shtator 2013, një panel i kongresit amerikan publikoi video të civilëve sirianë me të vjella dhe konvulsione nga gazi nervor. Pamjet u përdorën nga CNN. Sekretari i Shtetit i SHBA John Kerry mbrojti botimin e përmbajtjes, duke thënë se kjo siguron se: “të gjithë e kuptojnë se çfarë është në diskutim”.

Mirëpo, qartazi, vendndodhja e ngjarjes ndikon në publikimin e këtyre imazheve, pasi gjatë uraganit Katrina, përmbajtja grafike ishte e pakët. Media nuk i publikoi shumë fotografi ose video të viktimave që shkaktoi ky uragan, ku vdiqën afër 2 mijë vetë.

Pas uraganit, CNN kërkoi të drejtën për të raportuar në kërkimin e trupave por qeveria nuk i dha akses. Qeveria federale nuk lejoi mediat të bashkohen me ekipet e ndihmës që kërkonin kufomat.


Etiketa:

Pas