Prokuroria dhe policia e Durrësit kanë nisur arrestimet e personave që dyshohet se janë përgjegjës për rrëzimin e godinave në këtë qytet. Gazeta Mapo mëson se deri më tani janë lëshuar 18 urdhra arresti, ndërsa ka edhe 35 të shoqëruar, që lidhen me hetimet për vënien para drejtësisë të përgjegjësve sa i takon sigurisë së godinave.
Po ashtu bëhet e ditur se mes të arrestuarve është dhe drejtori i Kavalishensës Ahmet Doda, si dhe një zyrtar i lartë i shtëpisë së pushimit të oficerëve në Durrës.
Mes të shoqëruarve janë: Arben Isaku ish-drejtor ALUIZNI, aktualisht nëndrejtor Kadastre. Aldo Dakovelli, shef sektori në Kadastër dhe Artemis Malko punonjëse Kadastre.
Të ndaluar janë ndërtuesit të cilët kanë bërë godinat e rrëzuara, ku përfshihet edhe ndërtuesi i 6-katëshit në Durrës. Po kështu janë shoqëruar inxhinierë, arkitektë dhe zbatues projektesh, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre.
Gjatë ditës së sotme pritet të konkretizohen edhe disa arrestime të tjerë në Durrës. Tërmeti i 26 nëntorit shkaktoi 51 viktima në vend dhe qindra ndërtesa u shpallën të pabanueshme.