Editorial

Tërmeti, pandemia, Rilindja, më zi se kaq….!








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 20:23 - 11/11/20 |
Armand Maho

Edi Rama mori një pushtet të çalë në vitin 2013. I erdhi si dhuratë e e propagandës së tij dhe e sjelljes arrogante të kupolës së PD, pikërisht të atyre që sot vazhdojnë dhe e ndihmojnë të qendrojë në pushtet.


Në mandatin e dytë, hendeku u thellua akoma më shumë. Shqiptarët që i dhanë një votë amnezie njeriut që nuk ofronte asgjë më shumë se yammamotot e tij, u zhytën akoma më shumë në mjerim kjo dhe si pasojë e sjelljes së pamenduar të opozitës e cila hyri në zgjedhje e përcarë. Rama përfitoi nga kjo situatë për të thelluar akoma më shumë hendekun mes miqve të tij oligarkë dhe atyre që u bie bretku për të paguar faturat e fundmuajit që sa vijnë e fryhen.


Fundiviti i 2019-tes, rezervoi një surprizë të pakëndshme pë shqiptarët. Tërmeti i 26 nëntorit shkaktoi 51 viktima dhe me mijëra të tjerë i la të pastrehë. Fillimviti i 2020-ës solli një pandemi, e cila deri më tani, ka shkaktuar gati 600 viktima dhe mbi 25 mijë të infektuar. Erdhën në kohën më të keqe.



Në një kohë kur prej shtatë vitesh shqiptarët menaxhohen jo nga një qeveri, por nga interesaxhinj e matrapazë pushteti, të cilëve gjëja e fundit që u intereson, janë taksat e qytetarëve dhe kthimi i tyre në shërbime. Kjo është Rilindja, që s’mund të quhet as lëvizje politike, dhe as forcë qeverisëse, por epiteti që i kanë vënë qytetarët: “Sekt”. Në shpjegimin terminoligjik të kësaj fjale, do të thotë të ndjekësh besimin e dikujt, filozofinë e tij, të jesh i ndarë nga pjesa tjetër e njerëzve. Sektet kanë si qëllim manipulimin e mendjes së njerëzve.


Të përqendrosh pushtetin në duart e të parit, të zhvatësh, e të kryesh aktivitet kriminal. Ritet e tyre kanë si qëllim manipulimin e mendjes të ndjekesve, për të përfituar favore apo pasuri. Rilindja ishte amnezia që i pushtoi shqiptarët dy herë rresht, që shiti vjedhjen me anë të PPP-ve si arritje, që thelloi diferencat, që shkatërroi biznesin, që përvetësoi paratë e rindërtimit duke shpërndarë projekte në 3D të parealizuara kurrë, duke lënë në aknth me mijëra familje që sot u shfaqet vdekja në dyert e spitalit, dhe me keq, jo pak shkojnë deri në vetëvrasje.

Lexo edhe :  Kryemadhi flet për partitë e reja: Votat do t'ia marrin Ramës, opozitën s'e përçajnë dot

Nuk po përmendim dështimet me integrimin, nuk po përmendim vjedhjen e paralajmëruar që kërkon të bëjë me zgjedhjet, nuk po përmendim të pabërat që i ka bërë demokracisë. Vetëm dy fatkeqësi, që shqiptarëve i ranë në momentin më të papërshtatshëm. Ku me paratë e shtëpive, po financohen militantë e personazhe të botës së krimit, ku tenderat sekrete privojnë nga shërbimi kundër pandemisë, me mijëra njerëz. Ku pensionisti hidhet nga spitali, nëpunësi, artisti lihet të vdesë, ndërsa nëpër çartera imbarkohen miqtë e kryeministrit.

Një realitet vrasës i një sekti që mendon vetëm për mbështetësit e tij, për financuesit e tij. Në një kohë kur ata që robtohen të paguajnë taksidarët  jetojnë në çadra, apo dergjen nëpër makina e ambulanca të prekur nga pandemia, u  duhet të dëgjojnë idiotësitë e Taulant Ballës që flet për komisione hetimore ndaj Lulzim Bashës në lidhje me raportin e Dick-ut, për histori të sajuara me serbe, për skënderbenj imagjinarë të Elisës dhe për punë në 3D të Veliajt.

Kjo lloj qeverisjeje është e habitshme si vazhdon të qëndrojë në këmbë. Nevoja për ndryshim është e madhe, dhe këtë herë Rama është i pafuqishëm, i rrënuar dhe i kompleksuar në ekstrem për të fituar zgjedhjet.

Rilindja ka ngrënë veten e saj, ka konsumuar çdo vlerë njerëzore që sjell demokracia dhe besimi tek vota. Revolta është e madhe. Të pabërat e kësaj qeverisjeje nuk harrohen kollaj, dhe s’mund t’i blejnë qindarkat apo thasët e miellit që ajo ofron në prag zgjedhjesh. I duhet vetëm një shtysë që të mbetet vetëm një kujtim i keq për shqiptarët. Një pjesë historie që duhet t’u kujtohet brezave se si një qeveri nuk duhet të sillet me besimin e qytetarëve. Rilindja është në limitet e saj. E ka të pamundur t’i fitojë në 25 prill, vetëm nëse humbet opozita. Sepse më zi se kaq nuk ka ku të shkojë më ky vend!


Etiketa: , , , , , ,

Pas