Në këto ditë të tmerrshme dhe të dhimbshme për shqiptarët, shumë njerëz, familje e organizata po solidarizohen me ata që janë prekur nga tërmeti. Gjithsekush me aq sa ka pasur mundësi po kontribuon për t’u ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë.
Kështu ka bërë dhe PAOK-u. Klubi selanikas, kampion i Greqisë, ka mbështetur publikisht nismën e tifozërisë së tij, që ka nisur grumbullimin e ndihmave për të prekurit nga tërmeti, ndihma që do të nisen të enjten drejt Shqipërisë.
“Tifogrupi Toumba po grumbullon ndihma për Shqipërinë dhe misioni i grumbullimit zgjat deri të enjten. Të nevojshme janë veshmbathje, ushqime, pije dhe trajtime mjekësore”, shkruan tifogrupi.
“Le të bashkohemi të gjithë me tifogrupin Toumba për të ndihmuar Shqipërinë. Të jemi bashkë, e bëjmë botën më të mirë”, njofton vetë klubi i PAOK-ut, që ka shpërndarë njoftimin e tifozërisë së tij.