Tërmeti i fuqishëm 6.3 ballësh në Kroaci i ka marrë jetën një vogëlusheje 12-vjeçare. Lajmi i trishtë konfirmohet për mediat vendase nga kryetari i Petrinjas, Darinko Dumbovic.
“Qyteti është i shkatërruar plotësisht, ne kemi një fëmijë të vdekur”, – tha kryebashkiaku i Petrinja-s.
Sipas Qendrës Europiane të Tërmeteve, lëkundja sizmike u regjistrua pikërisht me epiqendër pranë qytetit Petrinja dhe Sisak.
Dumbovic bëri gjithashtu të ditur se një djalë dhe një burrë, me shumë gjasa atë e bir, u gjetën të lënduar brenda një makine, dhe u dërguan me urgjencë në spital.
https://www.youtube.com/watch?v=Kygto91u5UQ&feature=youtu.be
Dëmet materiale janë shumta, si çati të shëmbura, fasada ndërtesash dhe madje edhe disa godina banimi.
Ndërkohë, pritet një raportim zyrtar, për të ditur nëse ka të tjerë viktima ose të lënduar.
Një pjesë e Kroacisë ka mbetur pa energji elektrike, dhe policia u ka bërë thirrje qytetarëve që të largohen nga ndërtesat.
Sizmologu kroat Kresimir Kuk e përshkroi tërmetin si “jashtëzakonisht të fortë”. Ai paralajmëroi njerëzit që të qëndrojnë larg ndërtesave të vjetra dhe të lëvizin në zonat më të reja të qytetit për shkak të lëkundjeve që priten në orët vijuese.