Tërmetologji ose grimca nga jeta e tronditur prej tërmetit

Nga Erion Kristo

Qysh pas tërmetit të shtatorit donim të shkruanim një shkrim me titullin Tërmetologji. Shkrimi nuk kishte të bënte me sizmikën dhe as synonte të sillte në skenë ndonjë shkencë të re. Donim thjesht të tërhiqnim vëmendjen te disa aspekte të rëndësishme njerëzore, pasi të kalonte trembja nga tërmeti i shtatorit, te reagimi ynë si shoqëri dhe shtet ndaj mynxyrave të tilla. Këto aspekte duhet të dokumentohen sa më saktë që të jetë e mundur, në mënyrë që ardhmëria të na gjykojë siç duhet. Po nuk arritëm ta shkruanim se ra tërmeti i dytë. Ndaj tani nuk do të presim të fashiten pasojat, por do ta shkruajmë menjëherë shkrimin. Duam të përmendim sa më shumë fakte që të jetë e mundur, që ato të ruhen, e të përcillen më tej. Nga faktet duhet të nxjerrim përfundime. Disa fakte në fakt mund të jenë dhe opinione, por dhe opinionet kanë vlerën e tyre.



Nga tërmeti i parë, ai i shtatorit, nxorëm disa konkluzione: Tërmeti nuk është shaka. Nuk mund të kujtohesh për Zotin atëherë kur tundesh, por pak më përpara. Shteti bëri propagandë dhe nuk i ndihmoi njerëzit, madje në disa raste u tha të ktheheshin sërish në pallatet e dëmtuara (një nga këto pallate u shemb në tërmetin e dytë të nëntorit, shoqëruar me viktima). Shteti nuk solli ndonjë standard të ri në fushën e ndërtimeve, nga shtatori në nëntor. Zyrtarët e lartë të shtetit nuk duhej të talleshin me zyrtarët e tjerë të lartë të shtetit lidhur me nevojën për kujdes. Kujdesi rezultoi se nuk është kurrë i tepërt. Humori shtetëror dëmtoi më shumë. Teatri Kombëtar nuk u dëmtua nga tërmeti. Tërmeti e tronditi shoqërinë, po kaloi tangjent. Shteti nuk mori asnjë masë. Njerëzit u panikuan dhe e kaluan natën nëpër makina dhe trafik. Kuptuam se populli sheh shumë televizor dhe portale. Miqtë e Shqipërisë reaguan. Kryeministri tha se institucionet e tij ishin në këmbë, por njerëzit nuk patën të njëjtën përshtypje. Nuk u bë asnjë trajnim i popullatës, siç bëhet rëndom në botë. Qeveria kërkoi të mblidheshin të dhëna për pasojat e tërmetit. Çfarë ndodhi me të dhënat që u mblodhën?

Tërmeti i parë kaloi dhe u harrua. Na tundi, po nuk na shkundi. Por harresa zgjati veç dy muaj, derisa tërmeti na tundi prapë. Kësaj radhe na shkundi vërtet: 51 njerëz humbën jetën, rreth 900 njerëz u plagosën, mijëra banesa u dëmtuan. Njerëzit u tmerruan. Dëmet e tërmetit mendohet të shkojnë rreth 500 milionë euro. Çastet që më shumë prekën shqiptarët ishin: Gjyshja që shpëtoi fëmijën në krahët e saj. Vdekja e studentes. Vdekja e djalit që nuk u dorëzua. Shuarja e disa familjeve si familja Lala, Cara, Greku, Reçi, Vata etj.

Qysh nga tërmeti i parë duhej që të kishim ngritur një lloj mekanizmi mbrojtës, por rezultoi se nuk kishim një të tillë. Pati shumë çoroditje. Organizmi shtetëror megjithëse ishte aty, i gjithi, nuk krijoi siguri dhe mbështetje për banorët. Skenat e përplasjeve me policinë u dhanë live. Banorët u ankuan gjerësisht në media për mungesën e ushqimeve dhe batanijeve apo strehimit. Më pas Qeveria vendosi që ata të strehoheshin në hotele. Ndërkohë qindra hotele dhe shtëpi u çelën për njerëzit në nevojë, jo vetëm në Shqipëri, por dhe në Kosovë.

Një mirënjohje e madhe shkon për të gjithë njerëzit që ndihën. Shumica e bizneseve ndenjën anonime. Dhe e individëve. Më e çmuar ishte ndihma qytetare dhe shtetërore e shqiptarëve të Kosovës. Ishte mbresëlënëse, ishte një akt i madh komb-formimi. Gjithashtu dhe shumë qeveri të botës që u angazhuan. Edhe ndaj tyre duhet mirënjohje. Mirënjohje e madhe duhet të tregohet ndaj atyre që shkuan atje dhe u përballën me vështirësitë, vullnetarë dhe punonjës të shtetit. Pati shumë heroizëm dhe vetëmohim prej tyre. Mediat gjithashtu, informuan publikun pa reshtur. Mirënjohja më e madhe shkon për ata që dhanë, edhe pse nuk kishin. Shpirti i madh i solidaritetit mbizotëroi. Pa asnjë dallim, shqiptarët u përbashkuan.

Angazhimi i shtetit të ri të Kosovës me dërgimin e ushtrisë dhe mbledhja e ndihmave nga biznesi dhe qytetarët, ishin një akt i madh që ngrohu zemrat e gjithë shqiptarëve. Fotoja që çau rrjetin ishte ajo e ushtrisë së Kosovës nisur në drejtim të Shqipërisë, që të kujtonte një Operacion Pelikan, por kësaj here nga vëllezërit dhe motrat tona. Në fakt, ishte një foto e vjetër, por njerëzit u ndien mirë dhe e shpërndanë gjithandej në rrjetet sociale. Divat e FSK dhe të skuadrave speciale meritojnë një shkrim më vete, dhe jo vetëm për pajisjet, përgatitjen dhe seriozitetin e tyre.

Njerëzit u prekën nga plaku prej Medvegje që dhuroi pensionin dhe nga zonja me kancer prej Peje që dhuroi te Klan Kosova. Madje dhe një fëmijë i vogël që lypte në Klinë, dorëzoi gjithë të hollat e mbledhura. Qeveria e Kosovës dha 500 mijë euro dhe BehgjetPacolli 1 milion euro. Me ta u bashkuan plot sipërmarrës të tjerë, si Birra Peja etj. 200 tonë me ushqime dhe veshmbathje u nisën nga Kosova në drejtim të Shqipërisë.

Por nuk ndenji pas Shoqata e Gastronomëve të Prishtinës që shpërndau mijëra vakte të ngrohta për banorët; mjekët kosovarë që u gjendën pranë të lënduarve nga tërmeti; mjekët e Vushtrisë, Xhebrailat e Suharekës etj. Gjilani, Lipjani dhe Ferizaj dërguan ndihma, Prishtina, e plot të tjerë. Edhe nga Maqedonia e Veriut, nga Gostivari, e kudo tjetër.

Artistet e famshme të Kosovës u angazhuan. Bebe Rexha erdhi në Shqipëri për të sjellë ndihma; Dua Lipa u solidarizua; Rita Ora po ndihmon familjen Sala që të rindërtojë shtëpinë. Edhe LazimDestani dhuroi 3 milionë euro për Shqipërinë dhe nuk bëri zë hiç.

Edhe sipërmarrësit shqiptarë dhe shoqatat mblodhën fonde dhe ndihma. Fundjava ndryshe 2 milionë dollarë; Shqiptarët për shqiptarët (Fondacioni Firdeus) 5 milionë euro; Rrënjët shqiptare 1.4 milion dollarë; ShefqetKastrati 1.5 milion euro; Aeroporti i Rinasit 1 milion euro; Fondacioni Soros 500 mijë euro; 1.2 milion euro Samir Mane; 1 milion dollarë Pëllumb Salillari; rreth 3 milion dollarë në sitin e qeverisë. Të verbrit e Elbasanit mblodhën ndihma duke hequr nga pensionet e tyre. Te Teatri Kombëtar 9000 qytetarë dhuruan 40 tonë mallra. Te sheshi “Nënë Tereza” Nisma Thurje dhe Fundjava Ndryshe mblodhën rreth 40 tonë ndihma. Te stadiumi “SelmanStërmasi” u mblodhën ndihma, e te sheshi “Skënderbej”.

Këngëtari Stresi u bëri apel gjithë vipave shqiptarë që të ndihmonin shqiptarët e prekur. Ai nisi direkt rindërtimin e një shtëpie në Marikaj. Aulon Kalaja ngriti magazinë dhe mensë në Bubq. Klouni Erind erdhi nga Shkodra për të argëtuar fëmijët. Gjirokastra dhuroi, Elbasani, Vlora, Korça.

Ish-Ambasadori i OSBE-së, Robert Bosch, pasi përmendi të gjitha vendet europiane që ndihmuan Shqipërinë, e vuri theksin te mungesa e Holandës. Holanda e pasur nuk denjoi të ndihmonte Shqipërinë e varfër. Por ndihmuan: Italia, Zvicra, Greqia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Rumania, Bullgaria, Turqia (Erdogan tha se do ta bënte Durrësin Antalia të dytë), Franca (vetëm me ekipe, por më vonë premtuan ndihmë përmes një Agjencie Zhvillimi), Gjermania (caktoi dhe landet të ndihmonin), Kroacia, Hungaria, Estonia dhe Serbia. Një foto e një ushtari shqiptar dhe një serbi, bëri xhiron e rrjeteve sociale. Ishte shumë domethënëse.

Në qendër të Athinës qytetarët grekë dhe shqiptarë mblodhën ndihma dhe vlera monetare. Ndihmën e nisën tifozët e klubeve të futbollit. Fushatë u bë në të gjithë Greqinë. Edhe Kryeministri Mitsotakis tregoi mbështetjen e vet. E njëjta gjë ndodhi në Itali. Rajonet dhe Karitasi mblodhën ndihma gjithandej. Dërgesa e Qeverisë Italiane ishte madhështore. SHBA nisin ekspertët e vlerësimit.

Katari dha 20 milionë euro; Emiratet Arabe 3 milionë euro; Ambasadori kinez tha se dy kompani dhuruan 2 milionë euro; Greqia 2 milionë euro; Austria 600 mijë euro; Maqedonia e Veriut 100 mijë euro; Vatikani 100 mijë euro. Në Gjermani edhe punonjësit e firmave të ndryshme dhuruan. Miss Serbia erdhi në Shqipëri për të ndihmuar. Ndërsa sipërmarrësi malazez që u përfol për 2 milionë euro nuk dhuroi aq.

U bënë lutje në Suharekë, në Stokholm, në Sheshin “Skënderbej”, në Sheshin “Nënë Tereza”. Ranë në sy nxënësit e shkollës së mesme të mjekësisë në Tetovë që u solidarizuan me lutje për viktimat e tragjedisë. Ata shpalosën një flamur gjigant. Qytetarët e Krotonit në Kalabri shpalosën solidaritetin e tyre me shqiptarët, në stadium. Në Bruksel mbajtën një minutë zi. Besimtarët myslimanë shqiptarë u lutën në 700 xhami të vendit.

Gjithsesi në këtë kohë të zymtë ranë plot gjëra në sy të njerëzve: Shteti pa veshje të posaçme. Gërmimi me duar nga ana e forcave tona ushtarake. S’kishim një qen shpëtimi, as pajisje termike. Nuk kishim trupa të posaçëm për një situatë të tillë, as mjete. Mungesa e organizimit dhe e shtabeve të emergjencës. Ndërkohë, qeni hero i FSK shpëtoi tre persona. Puthja e dorës së Kryeministrit u bë gjesti më i shpeshtë. Teatri Kombëtar jo vetëm që nuk ra, si karakatinë që ishte, por shërbeu dhe si bazë për mbledhjen e ndihmave. Vjedhja e ndihmave – gazetat greke shkruan gjatë për këtë. Nuk munguan servilët e pushtetit, as Kryeministri i kudogjendur me kamera.

Ra në sy varfëria e madhe. Menaxhimi i situatës u bë me gabime. Edhe media pati gabime, por u tregua këmbëngulëse dhe informoi. Shqiptarët besuan te Nisma Thurje, Aleanca për Teatrin, Fundjava Ndryshe, Shqiptarët për shqiptarët, MarinMema etj. Aktivistët e Nismës Thurje gjetën strehim për rreth 700 qytetarë. Nëpunësit e shtetit u detyruan të ndalnin një pjesë të rrogës.

Organizimi i Kosovës u bëri përshtypje gjithë shqiptarëve, por jo ministres së Mbrojtjes. Ishim të papërgatitur për raste të tilla, pavarësisht se ministrja e Mbrojtjes thoshte se tani jemi më mirë se sa kurrë, në letrën e saj drejtuar Presidentit.

Publikut të gjerë i bënë shumë përshtypje: Njerëzit që ziheshin për të marrë ushqim dhe batanije. Panelet mbushur me njerëz pa lidhje. Debatet shterpë. Ndërtimet ishin shkel e shko. Popujt fqinjë me zemër të madhe. Kontrasti me Kosovën dhe trupat e tyre. Shqiptarët e thjeshtë që janë heronjtë e vërtetë. Politikanët që nuk i hapën shtëpitë e tyre. Teatri i kryeministrit. Mediat që u kërcënuan. Intervistimi i fëmijëve në shkelje të plotë të etikës. Fjalimet e stisura të biznesmenëve. Thuhet se nga taksat tona, 1 milion euro shkojnë për stërvitjen e qenve, po nuk kishim një qen.

Prokuroria më në fund lëvizi dhe nisi të mbledhë prova. Duhet të bjerë tërmeti i drejtësisë. Ndërkohë Rama po i prish provat duke prishur ndërtimet e shembura. Ndërtesat duhet të shemben pasi të bëhet ekspertiza teknike dhe ligjore. Më pas ai nxori ministrin e vet të Brendshëm që na sqaroi se provat janë marrë ndërkohë. Ky ministër bëri dhe si arrogant në Lezhë.

Shefi i Rendit në Rinas vodhi ndihmat, bashkë me gruan e vet. Berisha në vitin 2007 mbylli Institutin e Sizmologjisë. Ministrja e Mbrojtjes kur falënderoi delegacionet ndërkombëtare, harroi atë të Kosovës. Madje harroi dhe flamurin e Kosovës. Mbi 250 specialistë nga mbarë bota erdhën në Shqipëri.

Kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Valbona Sako dha dorëheqjen se tha dy gafa. Pas Kryetares së Bashkisë dha dorëheqje dhe nënkryetarja e Bashkisë Durrës që nuk tha gjë. Zëvendësuesi i Sakos ka probleme. Ku u zhduk Vangjush duar-akullorja?

Më pas Rama mblodhi në tryezë gjithë ata që kishin mbledhur fonde, me idenë që t’i bashkonin fondet në një. ElvisNaçi nuk pranoi dhe i bëri thirrje Ramës: o bëhen gjërat siç duhen, o ne ikim nga tryeza. Duhet transparencë e plotë.

Dëme të mëdha pati dhe në Lezhë, Laç, Kamzë, Vorë etj. Ndërkohë që tërë përqendrimi ishte në Durrës.

Ngjalli shumë dashuri te publiku inxhinierja Luljeta Bozo. Ajo foli për gabimet në ndërtime dhe nevojën për respektimin e rregullave. Pamja dhe komunikimi i saj ngjallën besimin e publikut. Ndërsa emërimi i Çuçit si Shef i gjendjes së jashtëzakonshme dhe vendosja e Arben Ahmetajt në krye të fondeve nuk ngjallën besim.

Pati dhe ngjarje të tjera: U bë legjendë çështja e taksës te rruga e Kombit. Noizy tha se po vidheshin ndihmat. Një person nga Lezha u arrestua se donte të vidhte ndihmat. Çështja e sigurimit të pronave nuk u diskutua fare, por pritet të dalë sërish në plan të parë. Hoteli Vila Verde u shkatërrua nga fadromat se rrezikonte fqinjët. Hotel Palma nga katër kate u bë me tetë kate, prandaj ra. Kush mbajti përgjegjësi?

Ajo çka ra në sy për keq: Asnjë arrestim serioz. Njerëzit kërkuan burgosjen e politikanëve, inxhinierëve, ndërtuesve dhe arkitektëve. Por morën arrestimin e një vajze dhe të dy policëve. Shumë nga oligarkët nuk u ndien fare. VIP-at tanë reaguan vonë, pas Pacollit. Pagesa e 5 eurove te trau i Kukësit për ndihmëtarët. Arroganca e punonjësve të shtetit, mungesa e taktit. Politikanët egoistë. Drejtori i Emergjencës civile nuk u pa gjëkundi për ditë të tëra. Vjedhja e ndihmave. Mbledhjet e Qeverisë në orët e para të mëngjesit. Dy qytete të Shqipërisë rritën çmimet e hotelerisë, ndërkohë që qindra hotele i pritën falas njerëzit. Policitë bashkiake vinin gjoba pa pushim, edhe pse njerëzit ishin të trembur.

Opozita mblodhi një tryezë me ekspertë për të diskutuar për situatën. Konkluzionet ishin të thjeshta: shteti nuk funksionon; emergjencat nuk funksionuan, njerëzit sorollaten; nuk ka grupe verifikimi në terren; studimi sizmik nuk është detyrim ligjor, por vetëm rekomandim dhe nuk respektohet nga ndërtuesi; IKMT nuk është vetëm për të prishur objekte, por dhe për të parë zbatimin e lejeve të ndërtimit; askush nuk i kontrollon lejet; është ndërtuar dhe aty ku nuk lejohet. Por Rama u tall sa deshi me opozitën dhe qëndrimet e saj duke i quajtur qamet.

Qeveria miratoi paketën sociale: familjet e prekura nga morti do përfitojnë shtëpi nga qeveria dhe një pension për gjithë jetën. Për të rinjtë bursë çdo muaj ndërsa për pensionistët pension të posaçëm si ai që marrin artistët. Shteti do ngrejë lagje të reja me standarde shumë të larta. Disa masa të Qeverisë ishin të gjetura, si ideja për t’i strehuar njerëzit në hotele. Ndërkohë hotelet e kishin bërë këtë më herët.

Kryeministri ishte kryeprotagonisti i ngjarjeve. Ai u vu në qendër, madje në epiqendër të situatës. Ai nuk la askënd të mbizotëronte. Angazhimi i tij me orë të zgjatura në terren, por dhe në media, ngjalli siguri dhe pasiguri te njerëzit. Kërkesa e Kryeministrit për të mos dërguar më ndihma, por para, u prit keq nga publiku. Ra shumë në sy arroganca e tij. Përplasja mes Kryeministrit dhe Zëvendësit dhe përplasja mes Kryeministrit dhe Kryetarit të Bashkisë. Ai e urdhëroi atë të lyente me bojë një shkallë pallati, në orën 4.30 të mëngjesit. Se vetë shkonte në punë në orën 5.30. Ai e trajtoi Kryetarin e Bashkisë si rreckë.

Batutat e Kryeministrit me qytetarët e thjeshtë, të çoroditur nga ngjarja, ishin pa fund. Madje ai u tall dhe me një person që kishte probleme me gruan e vet. Pa u menduar gjatë dhe pa e ditur se personi kishte vërtet një problem, me të cilin ai nuk duhej të tallej. Rama vizitoi në spital dy fëmijë që ishin hedhur nga pallatet. Ai u premtoi atyre se do t’i marrë në shtëpinë e vet.

Qeveria nuk e pushoi propagandën për asnjë çast. Ndërkohë që u bë çdo përpjekje që të pushonte propaganda antiqeveritare. U mbyll JOQ në mënyrë të paligjshme, Dosja.al, BrryliBroadway, u hoq editoriali i gazetës Dita se ishte shumë i ashpër me Kryeministrin. Rama dështoi në censurimin e Jeta osh qef. Megjithëse AKEP-i ndërhyri, ata hapën një domen të ri. Ndërkohë dy nga administratorët e portalit janë ende në burg. Ky veprim i policisë shkaktoi protestën e Këshillit Shqiptar të Medias. Ky veprim ishte tërësisht i paligjshëm.

Propaganda u përpoq të sajonte një lloj sherri mes një qytetari dhe Presidentit. I pastrehu që qau në krahët e Ramës është një njeri i pasur nga Struga. Çudi që doli dhe emri i djalit të Ramës në mediat pranë oborrit qeveritar.

Rama kritikoi dhe ministrin e Brendshëm për sulmet kibernetike. Pas vendimit të AKEP, AnonymousAlbaniapiratuan sitin e institucionit në shenjë hakmarrjeje për mbylljen e portalit. Zero reagim ndaj krimit kibernetik.

U arrestua një vajzë gjoja për përhapje paniku, ndërkohë që kishte përcjellë vetëm lajme në fejsbukun e vet personal pa shtrirje (në fakt ajo kishte bërë një gabim të rëndë, se kishte fyer Kryeministrin).

Kryeministri abuzoi me idenë e Gjendjes së Jashtëzakonshme, që në fakt ishte Gjendja e Fatkeqësisë Natyrore. Ai nuk donte informacion jashtë kanaleve të tij zyrtare, pra ERTV. Rama e shfrytëzoi tërmetin për censurë ndaj medias online. Gjithashtu, mediat nuk duhet të shpërndajnë lajme të paverifikuara. Por mediat nuk mund të mbyllen pa një vendim gjyqësor.

Rama i kërkoi NATO-s pakashumë gjithçka që nuk kishte: krevate, batanije, tenda, pompa, gjeneratorë, matrapikë, ura, sharra, mjete shpëtimi, mjete prerëse, mjete termike dhe akustike.

Rama kërcënoi ndërtuesit se do dënohen me 15 vjet burg ata që nuk respektojnë kushtet e ndërtimit. Ai kërcënoi gjithashtu se do fusë në burg të gjithë ata ndërtues që nuk riparojnë vetë dëmet në pallatet e tyre. Rama nuk mbajti përgjegjësi për inspektoratet e veta që nuk zbatojnë ligjin. Rama tha se sanksionet duhet të jenë të egra si tërmeti. Por pranoi që dhe vetë kishte dështuar, duke e humbur betejën me ndërtuesit.

Njerëzit ishin me shpresë se Rama do anulonte disa nga PPP e famshme, sidomos koncesionet e rrugëve. Po Ramës as që i shkon në mendje.

Rama lozi me fëmijët. Rama qau me lot. Rama i bërtiti një qeni: pusho! Rama mbajti tespihe. Rama ofendoi gazetarët. Rama bëri batuta me njerëzit rrugëve. Rama kërkoi vëmendje mediatike. Rama ishte gjithçka.

Për ta mbyllur këtë shkrim, duam të theksojmë: Shqiptarët janë më lart se elitat e tyre. Ky është fakt. Dhe mos shikoni ndonjë të paudhë që gaboi. Shikoni fuqinë e popullit tonë. Ne do fitojmë. Tani të mendojmë rindërtimin.


Fatal error: Uncaught ___C_0: (E_ERROR) Trying to access array offset on value of type bool in /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/js/tinymce/skins/wordpress/images/formatting.config:252 Stack trace: #0 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(13): ___C_5->_errorHandler(2, 'Trying to acces...', '/home/gazetamap...', 13) #1 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(17): JNews\Module\Block\Block_9_View->get_demo_style() #2 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(74): JNews\Module\Block\Block_9_View->get_image_size() #3 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(63): JNews\Module\Block\Block_9_View->build_column(Array, 'jeg_col_2o3') #4 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(47): JNews\Module\Block\Block_9_View->render_column(Array, 'jeg_col_2o3') #5 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/BlockViewAbstract.php(17): JNews\Module\Block\Block_9_View->render_output(Array, 'jeg_col_2o3') #6 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/ModuleViewAbstract.php(165): JNews\Module\Block\BlockViewAbstract->render_module(Array, 'jeg_col_2o3') #7 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Single/SinglePost.php(1265): JNews\Module\ModuleViewAbstract->build_module(Array) #8 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Single/SinglePost.php(205): JNews\Single\SinglePost->related_post(false) #9 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/class-wp-hook.php(307): JNews\Single\SinglePost->related_post_hook('') #10 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/class-wp-hook.php(331): WP_Hook->apply_filters(NULL, Array) #11 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/plugin.php(474): WP_Hook->do_action(Array) #12 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/fragment/post/single-post-1.php(66): do_action('jnews_single_po...') #13 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template.php(772): require('/home/gazetamap...') #14 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template.php(716): load_template('/home/gazetamap...', false, Array) #15 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/general-template.php(204): locate_template(Array, true, false, Array) #16 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/single.php(16): get_template_part('fragment/post/s...') #17 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template-loader.php(106): include('/home/gazetamap...') #18 /home/gazetamapo/public_html/wp-blog-header.php(19): require_once('/home/gazetamap...') #19 /home/gazetamapo/public_html/index.php(17): require('/home/gazetamap...') #20 {main} thrown in /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/js/tinymce/skins/wordpress/images/formatting.config on line 252