Tiranë Një bandë prej katër grabitësish kanë ushtruar terror në një firmë të prodhimit të produkteve farmaceutike në Tiranë. Të maskuar dhe të armatosur me kallashnikovë, ata kanë lidhur 11 punonjësit e firmës në Sauk, por kanë dështuar në realizimin e grabitjes. Burime nga policia e Tiranës thanë për MAPO-n se ngjarja ndodhi në Saukun e sipërm, fare pranë segmentit të rrugës Tiranë- Elbasan. Objekti i sulmuar është bërë kompania “LR” në pronësi të një grupi gjerman, ku hynë katër personat e maskuar, nga të cilët dy kishin edhe armë zjarri automatike. Për fat të mirë, një nga punonjëset e depos së firmës farmaceutike dhe kozmetike arriti të njoftonte policinë, çka bëri që plani i bandës së grabitësve të shkatërrohej. Megjithatë, ata u larguan me shpejtësi në drejtim të Farkës, ndërsa disa patrulla të policisë së Komisariatit nr.1 u vunë në ndjekje të tyre. Deri dje vonë në mesnatë policia tha se kishte shoqëruar një numër të konsiderueshëm personash në cilësinë e të dyshuarve, por nuk ka të dhëna ende për autorët.
Ngjarja ndodhi dje në mbrëmje rreth orës 19:00, kur salla operative e Komisariatit nr.1 mori një telefonatë se persona të panjohur kishin hyrë në ambientet një depoje farmaceutike në Sauk dhe po lidhnin punonjësit. Sipas telefonatës që i përkiste një gruaje, personat kishin hyrë me forcë dhe kishin njoftuar se kishin të bënin me grabitje. Menjëherë pas kësaj situate, në drejtim të vendit të ngjarjes u nisën disa autopatrulla të Komisariatit të policisë nr.1, si dhe autopatrulla të njësisë speciale “Shqiponja”. Ndërkohë agresorët vazhdonin me lidhjen e personave, janë dëgjuar sirenat e policisë që i drejtoheshin zonës ku po ndodhte ngjarja. Në këtë kohë, personat e përfshirë në rrëmbim lanë veprimet e tyre në mes dhe menjëherë dolën nga ambientet e depos farmaceutike dhe kozmetike, pa mundur të grabisnin asgjë. Më pas personat mësohet se janë larguar në drejtim të Farkës, me një automjet, në përpjekje për të shpëtuar nga ndjekja e policisë.
Blutë si kanë mbërritur në objektin e sulmuar, fillimisht kanë liruar punonjësit e sulmuar dhe më pas kanë marrë deklarimet e tyre, ndërsa një grup ekspertësh nisi këqyrjen e vendit të ngjarjes për të gjetur prova dhe fakte. Sipas rrëfimit të punonjësve, katër personat kishin hyrë në mënyrë të befasishme. Më pas ata kishin nisur të lidhnin një nga një punonjësit, duke i shtrirë në dysheme e më pas kërkuan pronarin. Gjatë momenteve sulmit të para të sulmit, një grua pësoi të fikët, çka shkaktoi frikë dhe panik në ambientin ku zhvillohej situata. Ndërkaq një nga punonjëset arriti të vidhej nga sytë e agresorëve dhe mundi të futej në magazinë, prej nga ku edhe njoftoi policinë nëpërmjet telefonit celular. Pas hetimeve të para policia tha se ka ngritur dyshime mbi një grup personash, ndërsa mësohet se janë shoqëruar rreth 15 persona në ambientet e policisë me të cilët po punohet.