Pas tre ftesave të refuzuara, 6 janari më në fund ka konkretizuar takimin e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, me të cilin ka diskutuar për çështjen e caktimit të mandatarit për formimin e qeverisë së re. Takimi u mbajt në Presidencë në orën 15:00 të pasdites dhe zgjati pak minuta.
Pas daljes nga presidenca, Kurti tha për gazetarët se ky takim ishte pa efekte juridike dhe se po bëhen përpjekjet maksimale për formimin sa më shpejt të qeverisë.
“Unë dëgjova nga presidenti që të formohet sa më shpejt themelimi i institucioneve, ai kërkoi të bëjmë nominimin për kryeministër. Po bëjmë përpjekjet maksimale dhe duhet të urojmë që do t’ja dalim. Ndoshta do të ketë dhe takime politike dhe institucionale (me Thaçin)në të ardhmen. Kam qenë shumë korrekt me institucionet”, tha ai.
Ai ka bërë të ditur se pas kësaj do të raportojë në Kryesinë e VV-së dhe do t’ia sjellin presidentit propozimin me shkrim.
Duke folur rreth shkarkimit të mundshëm të Glauk Konjufcës nga posti i kryetarit të Kuvendit, Kurti tha se nuk mund të kthehemi mbrapsht pas 26 dhjetorit kur u konstitua Kuvendi.
“Pata bërë ofertën me datën 23 dhjetor, e vlefshme deri në mesnatën e 24 dhjetorit për pakicat. Meqenëse u refuzua oferta nuk dëshironim të zvarrisnim konstituimin e Kuvendit.Nuk mund të kthehemi mbrapsht.Koha kalon. Edhe unë do të dëshiroja të jem 10 vjet më i ri por kjo nuk është e mundur.Duhet të bëjmë hapa para dhe jo pas”.
Për ofertën e re që mund t’i adresohet LDK-së, Kurti tha se do të diskutohet në takimet e ardhshme, teksa i bëri edhe një herë thirrje LDK-së që sa më shpejt të ndërtojnë institucionet e reja.
“Për bindjen time më mirë është që për çështjen e presidentit të vendosim më vonë”, tha Kurti.
I pyetur rreth skenarit për të shkuar në zgjedhje të parakohshme në mungesë të gjetjes së konsensusit me LDK-në, ai tha:
“Qytetarët kanë zgjedhur me 6 tetor, nuk më duken të interesuar të zgjedhin sërish. Por nëse na imponohen zgjedhjet si subjekte politike edhe në fushata, edhe në zgjedhje patjetër që marrim pjesë”.
Presidenti Thaçi i kishte dërguar Kurtit tri kërkesa për takim, por që të gjitha ishin refuzuar nga fituesi i zgjedhjeve të 6 tetorit.
Para takimit Thaçi-Kurti, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) zhvilloi mbledhjen e Kryesisë dhe të grupit parlamentar.
Kujtojmë se më 26 dhjetor 2019 është konstituuar Kuvendi i Kosovës, ku Glauk Konjufca është zgjedhur kryeparlamentar, por pa marrëveshje me LDK-në edhe pse deputetët e kësaj partie e kanë votuar pro Konjufcës.
Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK-ja që nga zgjedhjet e 6 tetorit janë duke negociuar për arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje, por pa ndonjë rezultat konkret.
LEXO EDHE:
Thaçi i vendos afat Albin Kurtit: 48 orë kohë për të nominuar kryeministrin
Albin Kurti flet pas takimit me Thaçin: Ende s’kam mandat për formimin e qeverisë