Presidenti kosovar, Hashim Thaçi vazhdoi t’i mëshojë tezës së mbështetjes amerikane, teksa deklaroi sot se ka përkrahjen e tyre për marrëveshje me Serbinë. Këto komente, Thaçi i bëri gjatë një takimi me kongresmenin amerikan, Ed Case. I pranishëm në takim ishte edhe ambasadori amerikan, Philip Kosnett.
“Me kongresistin Ed Case u pajtuam se roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbetet qenësor për Kosovën dhe rajonin, si dhe i shpreha mirënjohje për punën që bëjnë ushtarët dhe të gjithë amerikanët që shërbejnë në Kosovë. Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon, duke ndërtuar marrëdhënie të mira me fqinjët dhe duke punuar për marrëveshje përfundimtare të paqes me Serbinë. Në këtë synim e kemi mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës!”.
Ndërkohë ish-kryeministri Sali Berisha thotë se pas projektit të ndryshimit të kufijve qëndron fondacioni Soros në Beograd.
Gjatë një fjale mbajtur përpara studentëve demokratë evropianë, Berisha u shpreh se ndryshimi i kufijve çon në luftë.
“Keni dëgjuar të flitet për ndryshim kufijsh në Ballkan? Ju garantoj se nuk ka asgjë që çon drejt luftës. I kujt është projekti? Projekti i cili ka dy vite që përpiqet të shitet kudo është projekti i fondacionit të Hapur të Xhorxh Soros në Beograd”, tha ai.