Kryeministri Edi Rama deklaroi nga Kuvendi se ish-presidenti Hashim Thaçi po mbahet në burg padrejtësisht.
Ai nënvizoi se Thaçi po mbahet në qeli pa asnjë akuzë.
Kryeministri Rama shtoi se asnjë organ ndërkombëtar nuk ka vërtetuar raportin e Dick Marty.
Me tone të larta, kreu i qeverisë shqiptare përplasi disa here foltoren e Kuvendit me grusht dhe hodhi akuza ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha.
Njësi terroriste e ka quajtur UÇK-në – një i vdekur që është këtu – tha Rama- dhe duke iu referuar Berishës shtoi me ironi se ai vjen vërdallë dhe kujton se është i gjallë.
“Një president në detyrë të merret peng pa akuzë, të mbyllet brenda pa akuzë, të rrijë një vit pa akuzë, kjo është unikale. Çështja jonë është të vëmë në vend kombin e këtij kombi, kombit shqiptar. Nuk mund kurrë ta pranojnë që ky komb i jep jetë një lëvizje çlirimtare që na qenka një njësi terroriste kriminelësh që merret me trafik organesh”, u shpreh Rama.
Kryeministri Rama e ka quajtur opozitën “një tufë varkash druri” që kur shkon në Kuvend i duket sikur po përballet me një anije. Teksa i kujtoi “non gratën”, ish-kryeministrit Sali Berisha, Rama i paralajmëroi se nëse i shkojnë pas shumë shpejt do të harrojnë edhe Adriatikun (Evropën), jo vetëm Atlantikun (SHBA).
Ish-kryeministri Sali Berisha u përpoq të fliste, por kryetarja e Kuvendit i tha se nuk i takon të flasë sa herë të dojë, duke ia hequr mikrofonin. Berisha, megjithatë, filloi të fliste pa mikrofon.
Parlamenti diskuton sot projekt-rezolutën e mazhorancës për Kosovën. Seanca u shoqërua me debate, ashtu siç ndodhi edhe në komisionin për politikë të jashtme pak ditë më parë.
Drafti “Mbi pabazueshmërinë e pretendimeve të raportit të Dick Marty-t për trafikim organesh në Kosovë dhe Shqipëri gjatë luftës në Kosovë” ka marrë dakordesinë e opozitës, e cila ka shtuar edhe dy amendamendte të tjera. Së pari kërkon dënimin e genocidit serb dhe së dyti shtimin e një paragrafi, ku të theksohet se vetë Dick Marty ka deklaruar se “i kërcënohet jeta nga elementë radikalë serbë”.
Dy projekt-rezoluta kundër genocidit serb në Kosovë u paraqitën nga opozita më herët, por asnjëra prej tyre nuk ka kaluar për miratim në Kuvend.