Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, ka shumë shanse të mbetet pa asnjë post kryesor, të paktën për dy vitet e ardhshme, kur i skadon mandatin presidentes Atifete Jahjaga, shkruan sot Koha Ditore.
Ndërsa në deklaratat e pakta zyrtare nga LDK dhe PDK thuhet se gjithçka është në rregull, njerëz të përfshirë brenda procesit shprehen se ka dallime, kryesisht për ndarjen e posteve kryesore.
Megjithatë, partnerët e koalicionit tashmë janë pajtuar për shumicën e pikave të programit.
Për LDK-në, edhe çështja e kryeministrit është punë e kryer, dhe se ai do të jetë Isa Mustafa.
Ndërkaq, ndarja e dikastereve qeveritare dhe emrat e ministrave do të publikohen vetëm pak orë para nënshkrimit të marrëveshjes, në fundjavë.
Burime të gazetës kanë thënë se hezitimet e PDK-së vijnë për shkak të postit të presidentit, në të cilin Thaçi do të donte të ulej qysh tani, kur të krijohen institucionet e reja.