Aktualitet

Thaçi: Zaev shfajësohet për deklaratat për ndryshim kufijsh






               Publikuar në : 21:53 - 11/07/19 |
mapo.al

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se kryeministri i Maqedonisë së Veriut, ZoranZaev, i ka kërkuar falje për disa deklarata që u bënë publike nga dy komedianë të njohur rusë,Vovan dhe Leksus, ku Zaev kishte rënë pre në një telefonatë të rreme. Zaev në këtë telefonatë e kishte përmendur emrin e Presidentit të Kosovës, si i përfshirë në bisedime me Presidentin e Serbisë AleksandarVuçiç për ndarje të Kosovës.


Kryeministri i Maqedonisë së Veriut e kuptoi se ishte pre e një mashtrimi, kur dy komedianët rusë e publikuan incizimin e telefonatës në kanalin e tyre në YouTube. ZoranZaev kishte rënë pre e komedianëve rusë, të cilët përmes telefonit i janë prezantuar si ish-presidenti ukrainas PetroPoroshenko dhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, JensStoltenberg.

Në këtë bisedë telefonike është folur edhe për bisedimet Kosovë-Serbi dhe kryeministri Zaev kishte shprehur shqetësimin që “Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai serb AleksandarVuçiç, po përpiqen të shkëmbejnë territore”, duke theksuar se këtu mund të ketë ndikim edhe Rusia, plan ky që mund të ketë pasoja negative në Ballkan.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas publikimit të këtij incizimi tha se ai është telefonuar nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut ZoranZaev për të sqaruar deklaratat e tij.“Kam biseduar në telefon me kryeministrin Zaev. Ai më ka thirrur mua që të sqarohet për deklaratat e tij dhe çfarë ka biseduar me dy komedianët rusë duke menduar që po flet me ish-presidentin Poroshenko.

Më ka thënë shumë qartë që ka qenë një rrethanë në të cilën ka rënë pre e mashtrimit dhe gjithçka që ka folur për komunat e Kosovës që do t’i jepen Serbisë ka folur duke u bazuar në thashetheme në disinformata dhe të dhënat dhe lançimet e gazetës ruse Sputnik dhe thashethemeve ruse.

Më ka kërkuar falje mua dhe Kosovës. Në të njëjtën kohë ka theksuar se gjërat për të cilat ai ka folur me mashtruesit janë gjëra që nuk qëndrojnë në raport me Kosovën”, tha në një deklaratë për media Presidenti Thaçi. Ai tha se disa muaj më parë ka pasur përpjekje që edhe ai vetë të bëhet pre e mashtrimit të komedianëve rusë, por që kabineti i tij e ka kuptuar rrengun dhe e kanë shmangur telefonatën.

Publikimi i deklaratave të kryeministrit maqedonas ZoranZaev, që “Thaçi e Vuçiç kanë plane për shkëmbim territori”, nxitën reagime në Kosovë. Kryeministri Ramush Haradinaj, pa e përmendur emrin e Presidentit Thaçi, shkroi se “Askush nuk do të na ndajë. Sovranitetin, integritetin dhe paprekshmërinë e Kosovës, do ta mbrojmë me çdo çmim”.

Këtë reagim, Haradinaj e bëri pas publikimit të telefonatës së ZoranZaev, ndërsa, sot në një konferencë për media edhe kryeministri kosovar e pranoi që edhe ai vetë ka qenë pre e një telefonate nga komedianët rusë, pas një telefonate të vërtetë që ka zhvilluar me ish-presidentin ukrainas PetroPoroshenko.

Ndërkohë, partia opozitare Lëvizja Vetëvendosja, vazhdon të besojë që Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë Aleksandar Vuçiç kanë plane të fshehta për ndarje të Kosovës. Argument sipas tyre është edhe publikimi i telefonatës së ZoranZaev, prandaj, ky subjekt politik kërkon zgjedhje të jashtëzakonshme, siç thonë, “për ta larguar Thaçin nga roli i Presidentit”.

 


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas