Kryesore

Thellohet kriza politike: PD nis bllokimin, BE nis të lëvizë








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 09:12 - 25/04/19 |
mapo.al

Partia Demokratike dhe aleatët e saj në opozitë sot do zhvillojnë protestë në pesë zona të ndryshme të vendit duke bllokuar të paktën për një orë akset kryesore rrugore. Ambasadori Soreca kërkon takim me partitë e vogla opozitare. Europa nis të lëvizë, qershori po afron, palët nuk tërhiqen.


“Përshkallëzim të protestave”… Kjo ka qenë moto e partive opozitare të cilat sa më shumë flitet për 30 qershorin, aq më larg e shohin pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale në kushtet aktuale. Sot, opozita pritet të zhvillojë protestë në disa zona të Shqipërisë, ku do të ketë edhe bllokim të rrugëve kryesore për një afat të përcaktuar. Bllokimi i rrugëve dhe format e tjera të protestës që do të kulmojë më 11 maj në Tiranë, janë paralajmërimi i bllokimit të zgjedhjeve, gjithnjë nëse mazhoranca nuk bën një hap pas. Kjo e fundit dje ka bërë edhe një hap “përpara”, kur miratoi përbërjen e anëtarëve të komisionit të Reformës Zgjedhore me pesë përfaqësues nga PS dhe pesë të tjerë nga “opozita e re”, ajo çfarë ka mbetur në Parlament nga PD dhe LSI. Partitë e opozitës zyrtare, që sot janë në rrugë me mandate të djegura, shprehen të vendosura për largimin e Edi Ramës dhe krijimin e një qeverie tranzitore që do të përgatisë terrenin për zgjedhjet e parakohshme, të lira dhe ndershme. Pak orë pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, Ambasadori i BE-së në Tiranë zhvilloi një takim me kreun demokrat Lulzim Basha, prej të cilit nuk janë dhënë detaje zyrtare mbi atë që është diskutuar apo dakordësuar. Ndërkohë sot Soreca do të takohet me drejtues të partive të tjera të opozitës. “Ditën e nesërme, e enjte 25 prill, ora 16:00, pranë zyrave të delegacionit të BE-së në Tiranë, krerët e LZHK, PAA, PBDNJ, PDK, PR, do të zhvillojnë një takim me Ambasadorin e Bashkimit Evropian në Shqipëri z. Luigi Soreca. Takimi ka në fokus situatën politike në vend”, thuhet në njoftim. Në mungesën e një ambasadori të zgjedhur të SHBA-së në Tiranë, për momentin “violinë e parë” në orkestrën ndërkombëtare mbetet BE, me përfaqësuesin e saj në Tiranë Luigi Soreca. Marrëveshja e partive opozitare për të pamundësuar zgjedhjet lokale nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre padyshim që është alarmi që tashmë ka mbërritur edhe në kancelaritë europiane.


Aksion në rrugë dhe në “zyra”


Duke nisur prej orës 18:00 të ditës së sotme, akset kryesore në të gjithë vendin do të bllokohen nga qytetarët, të cilët mbështesin opozitën në kauzën për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kështu sikundër është parashikuar në Elbasan, do të bllokohet rrethrrotullimi i Bradasheshit, aksi kryesor i hyrjes nga Shqipëria lindore, në Durrës në autostrada Plepa-Kavajë, në Milot, karburanti në autostradë, aksi kryesor nga Shqipëria e Veriut, në Fier, rrotullimi i Sheqit dhe në Tiranë rrethrrotullimi i Shqiponjës. Protesta e opozitës është një nga format e mosbindjes civile dhe sikundër mësohet akset do të mbahen të bllokuar për të paktën 60 minuta. Degët e PD-së dhe partive aleate, ish-deputetët, anëtarët e kryesisë dhe ato të Këshillit Kombëtar, do të jenë në krye të protestuesve, ndërsa akset rrugore do të bllokohen në të dyja kahet e lëvizjes. Kjo konsiderohet si një radikalizim i protestave opozitare, që deri më tani ka organizuar 9 protesta në Tiranë, 3 prej të cilave kombëtare, që kanë nisur para godinës së Kryeministrisë dhe kanë përfunduar te godina e Parlamentit, ku ndaj protestuesve është hedhur gaz lotsjellës dhe ujë me presion. Nuk dihet si do jetë sjellja e policisë në ditën e sotme, por nga strukturat e rendit parashikohet që të ketë tentativë për të ndaluar qytetarët në bllokimin e rrugëve. Kjo formë e mosbindjes civile duket e kushtëzuar edhe nga reagimet e deritanishme të qeverisë dhe përfaqësuesve të mazhorancës, dy ditë më parë kryeministri Edi Rama u shpreh se nuk do ketë shtyrje të zgjedhjeve lokal dhe sipas tij do të mbahen më 30 qershor, me apo pa opozitën. Nga ana e saj opozita zyrtarë me marrëveshjen e nënshkruar dje thotë se do pamundësojë zgjedhjet duke ashpërsuar qëndrimin. Sa më shumë afron koha aq më tepër shtohet edhe shqetësimi ndërkombëtar, që sërish do u duhet të merren me problematikat që kanë lënë prej kohësh në vendin tonë. Problem i mungesës së zgjedhjeve të lira dhe të ndershme ka qenë gjithnjë shkaku i çdo konflikti të mëtejshëm politik.


A po lëviz Europa?


Deri tani nga pozicionet ku janë vendosur dy palët kundërshtare duket e vështirë që mes opozitës që unifikuar dhe të drejtuar nga Lulzim Basha në njërën anë, dhe PS-së së drejtuar nga Edi Rama, të ketë pika takimi, të paktën për kushtin kryesor, atë të largimit të këtij të fundit nga posti kryeministror. Takimet e Sorecas mund të interpretohen edhe si një lëvizje e fundit e BE-së, e ngjashme me atë të 2017, për të verifikuar vendosmërinë e partive opozitare në kërkesat e parashtruara, që duket se pas nënshkrimit të marrëveshjes një ditë më parë, nuk lënë vend për dyshime. Nga ana tjetër BE (të paktën përfaqësuesit e saj në Tiranë) krahas takimeve politike të qeta nëpër zyra do kenë edhe sytë në protestën që do të zhvillohet ditën e sotme në disa qytete të vendit. Masiviteti i saj dhe vendosmëria e protestuesve do jenë dy kriteret domethënëse që edhe vetë faktori ndërkombëtar të dijë të lexojë më me saktësi atë që po ndodh në Shqipëri. Deri më tani janë në fazën e mbledhjes së fakteve, ndërsa për pak ditë afron edhe protesta e 11 majit e cila do të tregojë shumë më tepër për situatën e rëndë që po kalon vendi. Ajo nuk mundet të kalojë as me deklarata standarde të tipit: “pjesëmarrja në zgjedhje është e domosdoshme” apo “opozita e ka vendin e saj në institucione”. Kjo fazë është ezauruar dhe ndodhen para një fakti që konfliktualiteti politik në vend vjen gjithnjë e në rritje, për aq kohë sa asnjëra palë nuk ka çeduar në qëndrimet e saj. Ndryshe nga situata në 2017, kur kishte një presion në rritje vetëm ndaj opozitës, tashmë dy vite më pas, për shkak edhe të dështimit të asaj që ndodhi me marrëveshjen e 17 majit mes Ramës dhe Bashës, qendra e presionit duket se do të lëvizë. Problemet e mëdha me korrupsionin, lidhjet e politikës me krimin, trafiku i drogës dhe emigracioni masiv janë disa nga pikat ku Europa do të ndalet me lupë në dorë, kjo edhe për shkak se po në qershor qeveria ka sprovën për hapjen ose jo të negociatave.


Etiketa: , , , , ,

Pas