Media

Themelohet Aleanca për Media Etike




Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 20:55 - 12/02/20 |
mapo.al

Në Tiranë, u themelua sot Aleanca për Media Etike. Nismëtare u bënë 19 media, të cilat synojnë të ngrejnë një mekanizëm vetë-rregullues në komunitetin e medias. Bashkimi Europian dhe Këshilli i Europës e mbështetën nismën, duke theksuar në mbledhjen themeluese se janë pro vetërregullimit në media.


19 media shqiptare themeluan sot Aleancën për Media Etike, një mekanizëm vet-rregullimi në komunitetin shqiptar të gazetarisë. Duke nënshkruar një memorandum bashkëpunimi në themelim të kësaj nisme, përfaqësuesit e këtyre mediave ftuan edhe gjithë mediat e tjera vendase për t’iu bashkuar kësaj aleance për vet-rregullim etik.


Koloreto Cukali, një nga nismëtarët e Aleancës, dhe drejtues i Këshillimit Shqiptar të Medias, përvec disa ideve të mëparshme, nisma e sotme për vet-rregullim të medias mori shtytje të madhe nga përpjekjet e qeverisë për rregullim të medias me të ashtuquajturën paketa antishpifje.



“Qytetari shqiptar do të ketë mundësinë që të ankohet për mediat pjesëtare të Aleancës. Ankesat do të shqyrtohen nga një bord me integritet, i zgjedhur nga këto media dhe do të ndërmjetësohet një zgjidhje” – tha zoti Cukali.


Në këtë mbledhje themeluese të Aleancës, krahas shumë gazetarëve, morën pjesë si këshillues edhe diplomatë nga Bashkimi Europian, Këshilli i Europës, UNESCO dhe Hollanda.


Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca tha se vet-rregullimi është rruga më e mirë, që e dëshiron edhe BE-ja për të përmirësuar gjendjen e medias shqiptare, për problemet e të cilës ai raporton çdo vit.

“Së pari është presioni politik dhe ekonomik ndaj mediave, së dyti është përqëndrimi i mediave në pak duar pronarësh, transparenca e financimeve, kontratat e gazetarëve, si dhe keqpërdorimi i internetit dhe liria e fjalës. Ne besojmë fort tek vet-rregullimi, dhe këtë e kemi thënë shumë herë këto muajt e fundit. Kjo mbledhje sot dhe angazhimi i vet gazetarëve për etikën është sinjal i fortë për të gjithë në shërbim të gazetarisë profesioniste dhe të pavarur, si dhe të lirisë së fjalës” – tha zoti Soreca.

Ndërsa, Mark Marku, shefi i departamentit të gazetarisë në Fakultetin Filologjik të Unversitetit të Tiranës, tha në tryezë se Aleanca duhet mbështetur në rregulla të forta, të cilat më pas duhet t’i zbatojnë njerëz me integritet.

“Pavarësisht denigrimeve që marrin nga deklarata të ndryshme, gazetarët shqiptarë janë kategoria më e emancipuar e gazetarisë shqiptare. Ata janë të vetëdijshëm për profesionin e tyre, duan ta ushtrojnë mirë profesionin e tyre, por kanë disa pengesa që nuk i lejojnë” – tha zoti Marku.

Pjesëmarrësit në takim thanë se krahas shqyrtimit të ankesave që mund të vijnë nga qytetarët, Aleanca për Media Etike duhet të ndërmarrë edhe vet veprime në këtë fushë, për të thyer mosbesimin e të tjerëve, në mënyrë që sa më shumë media të bëhen pjesë e kësaj Aleance.

Ajo mori sot mbështetjen edhe të përfaqësues të Këshillit të Europës, i cili mbështet fort vetrregullimin, etikën dhe lirinë e fjalës.

“Ne do të vijojmë dhe rikonfirmojmë angazhimin e përbashkët me BE-në dhe me aktorë të tjerë ndërkombëtarë për të ndihmuar që etika të zërë sa më shumë vend në punën gazetareske në Shqipëri si në kryeqytet edhe në qytete të tjera” – tha Olsi Dekovi, zëvendës-kreu i Zyrës së KiE-s në Shqipëri.

Përfaqësuesit e mediave nismëtare të Aleancës i kushtuan rëndësi edhe bordit të etikës, dhe kërkuan të zgjidhen persona profesionistë dhe me integritet.

“Ky bord duhet ngritur me njerëz solidë, me integritet dhe të gjithëpranuar, sepse është i rëndësishëm perceptimi që do të ndërtohet se “kush e bën gjyqin”, kush është arbitri” – tha Alfred Lela nga media Politiko.al

Prej më shmë se një viti qeveria Rama polemizoi me shoqatat shqiptare dhe ndërkombëtare të mediave teksa hartoi dhe miratoi paketën ligjore e mbiquajtur për antishpifjen. Qeveria tha se ajo i vë kufi lajmeve të rreme, ndërsa, sipas shoqatave të mediave, ajo krijon një zyrë censure që godet mediat e papëlqyera nga qeveria.

Paketa është ende në zyrat e parlamentit dhe pret një rishikim pas kthimit nga presidenti i Republikës, ndërkohë që pritet po ashtu edhe një koment nga Komisioni i Venecias për të bërë rregullime të fundit./Voa

 



CLOSE
CLOSE
Pas